(Në 22-vjetorin e rënies së dëshmores së kombit, Antigona Fazliu)
1
Krah shqiponje n’Qyqavicë
Ag mëngjesi në Drenicë
Mali seç ushton: -Antigona rron!
2
Në tufan e në stuhi
Lufton Gona për liri
Popullatës duarthatë
U lidh plagë u mjekon vrragë
3
Me fjalën ATDHE në gojë
Dhe me dashuri
Antigona syshqiponjë
N’luftë ra për liri
Me fjalën SHQIPËRI në gojë
Me shumë ngrohtësi
Antigona si lastar
Në t’lirisë altar…
Me fjalën KOSOVË në gojë
Me flatrat porsi shqiponjë
Në rrebesh s suferinë
E fitove pavdekësinë
4
Qyqavicë me gërxhe, brinja
Djep kreshnikësh-je më trimja
Stoli e rrallë e atdheut tim
Çerdhe shqipesh n’fluturim
Shqipe e rrite Antigonën
Me guxim mundi zezonën
5
Qysh e vogël gjashtëvjeçare, Gona zemërmitare
“Pushkën” e vënte në krah si trime, luftëtare
-Baba, mëma ime, do të bëhem trime
Thoshte Gona prore,në moshën fëmijërore
-“Pushkën” s’e lëshoj , se atdheun e due
Sikur trimi Skënderbeu kam për të luftue’
6
Ngjitet Gona trime malit për liri
Luftën dot s’e ndal për një ideal
Krahut pushkën n’zemër kishte zjarr
Luftoi nëpër male me trimat luftarë
Dhe mbi dëborë fjeti në t’acartin mot
Gona zemërtrime gjoksin plot barot
7
Pranë kodriçes buzë burimit ngrihet lart një lapidar
Atje rrodhi gjaku i Gonës, i trimëreshës si lastar
Ra shqiponja për liri, syri s’iu tremb dot
Korri, griu mbi gjakatarët me flakë e barot
Gona trime zemër-ar iku, hyri n’histori
E poeti këngëton vargje radhaz vargëzon
Për dëshmoren e paepur që ka emrin Antigonë
Motra Gone t’qoftë lavdi-flakë lirie n’përjetësi!…