Zymer Mehani

Zymer Mehani: Monografia e Qazim Berishës, “Ushtarët shqiptarë, të vrarë në armatën jugosllave (1951 – 1993)” – Libër i dhembjes dhe i mallit I

          1.

          Një ndër kapitujt më të dhimbshëm të historisë së shqiptarëve të Kosovës dhe të atyre që jetuan në viset e ish-Federatës Jugosllave, në dekadën e fundit të shekullit XX, është vrasja e të rinjve shqiptarë në Armatën e ish-Jugosllavisë.

          Edhe libri monografik “Ushtarët shqiptarë, të vrarë në Armatën Jugosllave” (1951-1993) i autorit të zellshëm, Qazim Berisha rrëfen tragjedinë e qindra të rinjve shqiptarë, të vrarë nga shërbimet sekrete serbe, derisa po e kryenin detyrimin ushtarak në ish -APJ. Bëhet fjalë për një segment të posaçëm të dhunës shtetërore serbe mbi shqiptarët, e që është si hyrje në vitet e luftë së përgjakshme që ata përjetuan me okupatorin serb, në dekadën e fundit të shekullit të kaluar (1989-1999).

          Mendojmë se autori Qazim Berisha me këtë monografi, të gjithë ushtarëve shqiptarë, të vrarë nga APJ-ja u ngriti një monument, ngase edhe ata janë pjesë (madje tejet e dhimbshme) e themeleve të shtetit të ri të Kosovës.

          Këto krime dhe inskenime të vrastarëve serbë e jugosllavë, që ata i bënë edhe nëpër kazermat ushtarake ndaj ushtarëve shqiptarë, duhet të bëhen të ditura për tërë institucionet ndërkombëtare të botës demokratike.

          Autori Berisha, në hyrje të këtij libri do të tregojë: “Ishte, pra viti 1996, kur fillova t’i publikoj shkrimet e mia për të gjithë ushtarët e vrarë me radhë, në dy gazeta shqiptare, që dilnin atëbotë në Prishtinë, (“Fjala jonë“ dhe “Gazeta shqiptare”)”. Pas botimit të këtyre shkrimeve (fejton) në disa vazhdime në gazetat e përmendura, Qazim Berisha me të drejtë e hodhi idenë, se duhet nisur një punë sistematike që materialet të cilat flasin për këtë temë të kompletohen dhe të botohen në një libër monografik.

          2.

          Libri “Ushtarët shqiptarë, të vrarë  në Armatën Jugosllave” (1951-1993) përmban 12 kapituj, me gjithsej 133 zëra (biografi) të ushtarëve shqiptarë, që pësuan në APJ, ku paraqiten shënime biografike elementare të tyre ( si rritja, shkollimi e edukimi, thirrja për shërbim në armatë..) dhe data të rëndësishme (të lindjes dhe të vdekjes së tyre (vrasjes, helmimit, mbytjes me torturë…), duke u bazuar në të dhënat që autori i voli, kryesisht nga familjarët e të vrarëve, gjatë vizitave që ua bëri familjeve të tyre.

         NË KAPITULLIN E PARË përfshihen ushtarët shqiptarë, të vrarë brenda periudhës 1951-1979: Ramadan Gashi, i lindur më 1930, në  Vërbofc të Drenasit, i vrarë në korrik 1951, në Vishegrad të Bosnjes e Hercegovinës; Ibrahim Emini, i lindur më 1932, në Gllamnik të Podujevës, i vrarë më 1951, në Bihaq të Bosnjes e Hercegovinës; Ali Nasuf Hetemi, i lindur në vitin 1935, në Jashanicë të Klinës dhe i vrarë në nëntor të vitit 1956; Januz Asllan Tolaj, i lindur në vitin 1961, në fshatin Pobërgjë të Deçanit dhe i vrarë më 1962, në Sarajevë të Bosnjes e Hercegovinës; Shaban Isa Hoxha, i lindur më 15 maj 1963, në Batushë të Gjakovës, i vrarë më 21 nëntor 1963, në Lublanë të Sllovenisë; Rifat Qazim Boja, i lindur më 23 qershor 1941, në fshatin Kërnicë të Klinës dhe i vrarë më 14 dhjetor 1963, në Novo Mesto të Sllovenisë; Shaban Behram Deshishku, i lindur më 5 qershor 1942, në Bellopojë të Podujevës, i vrarë më 16 tetor 1964, në Shkup të Maqedonisë së Veriut; Raif Brahim Rrahmani, i lindur  në vitin 1943, në fshatin Ballofc të Podujevës, i vrarë më 25 dhjetor 1965, në Rijekë të Kroacisë; Sadik Adem Haziri, i lindur më 1942, në fshatin Açarevë  të Skënderajt, i vrarë në Çakovec të Kroacisë, më 1966; Bajram Zejnullah Krasniqi, i lindur në vitin 1944, në fshatin Bërnicë, Lagja  Sinidolli e Prishtinës dhe i vrarë më 22 shtator 1966; Xhavit Mehmet  Daka, i lindur më 1945, në Korishë të Prizrenit dhe i vrarë në vitin 1968, në Sarajevë të Bosnjes e Hercegovinës; Nuhi Sadik Tafaj,i lindur në vitin 1949, në Grejkoc të Suharekës, i vrarë më 28 shkurt 1971, në burgun famëkeq, në Goli Otok të Kroacisë; Azem Tefik Rexhepi, i lindur në vitin 1953, në fshatin Gjurkoc të Shtimes, i vrarë në shtatorin e vitit 1972, në Rajllovc, afër Sarajevës; Idriz Ahmet Krasniqi, i lindur më 1951, në fshatin Zhilivodë të Vushtrrisë, i vdekur në Spitalin Ushtarak në Beograd, në m-ars 1975;  Ramadan Shefki Bakiu, i lindur më 1956, në Bitinë e Epërme të Ferizajt, i vrarë në Sombor të Vojvodinës, më 1976; Nexhbedin Sulejman Osmani, i lindur më 10 janar 1957, në Tetovë, i vrarë në Dravograd të Sllovenisë, më 1979.

NË KAPITULLIN E DYTË i gjejmë ushtarët tanë, të vrarë gjatë vitit 1981: Besim Xhemë Bajraktari, i lindur më 1958, në Junik të Deçanit. Më 5 gusht 1981, pranë Aeroportit të Ri të Banjallukës e vrasin eprorët e tij; Shaban Sadik Prushi, i lindur më 1961, në Prush të Gjakovës. Në vitin 1981 u soll i masakruar nga ushtria dhe u varros pa u dhënë asnjë informatë për familjen; Qerim Abdurrahman Aliu lindi më 25 nëntor 1961 në Kumanovë. Më 1981 mobilizohet në Vitoviricë. Më 28 gusht 1981 dërgon një telegram në shtëpi që ta vizitojnë sepse ishte i sëmurë! Familjarët shkojnë menjëherë në Kazermë, por marrin përgjegjen nga komandanti: Ai ka bërë vetëvrasje; Halil (Habib) Hajrullahu, nga fshati Banullë i Lipjanit, u vra më 2 shtator 1981, gjatë kryerjes së shrbimit ushtarak në Banjallukë (Bosnje e Hercegovinë); Sami Ali Gashi, u lind më 1961, në Prishtinë. Në Armaten Jugollave është mobilizuar në shtator 1980, Garnizonin e Kikindes (Vojvodinë), e pastaj është transferuar në garnizonin Ushtarak të Vërshacit (Vojvodinë). Pas disa ditë bisedash në sigurimin ushtarak më 8 gusht 1981 vritet duke marrë një breshëri plumbash në gjoks; Naim Ramadan Ajgeri u lind më 1968. Në shtator 1987 mobilizohet në Ushtrinë Jugosllave, në Ajdovçinë të Sllovenisë. Në emër të një fakti se Naimi paska thyer fotografinë e Titos në kazermë, torturohet deri në vdekje, më 14 prill 1988; Rrustem Bali Bejta, nga fshati Prekaz i Skënderajt, si pasojë e keqtrajtimeve të rënda, vdiq vetëm disa ditë pasi u lëshua nga shërbimi ushtarak, më 1981; Asllan Ukë Gashi, lindur në Suharekë më 17. 09. 1969. Rekrut në APJ më 12 shkrut 1980, në VP nr. 1266/20, Vipavë, Slloveni. Transfer më 3 korrik 1980 në VP nr. 2950, në Snezhanë. U vra më 9. 11. 1981. Arsyetimi: Ka bërë vetëvrasje!

KAPITULLIN I TRETË i përfshin ushtarët që u vranë gjatë vitit 1982: Sami (Shani) Krasniqi, (1956), nga fshati Buqe i Sharrit, u vra më 16 shtator 1982, derisa po e kryente shërbimin ushtarak në Novo Mesto (Slloveni); Nazmi Abdullah Muja lindi më 25 maj 1962, në Gradicë të Drenasit. Në Armatën Jugosllave shkoi në shtator 1981, në Mostar të Bosnje e Hercegovinës, VP 7394/15. Më 25 maj 1982 oficerët e KOS-it e hodhën nga kati i tretë dhe thanë se bëri vetëvrasje. Vrasës të tij ishin officerët: Kapiteni Ante Allajbeg (VP 73-94 Mostar), nënkolonel Simeon Tumanoviç (VP 3945 Sarajevë), dhe nënkolonel Aleksandër Vasilieviç (VP 945 Sarajevë); Shefqet Avdyl Jashari (Prekazi), i lindur më 1952 në Prekaz të Skënderajt. Më 1982 mobilizohet në Ushtrinë Jugosllave në Novi Sad. Më 24 tetor 1982 policia speciale e godet në lift me një mjet të fortë dhe e hedh në gropën e tij; Ismet Muharrem Bojku lindi më 3 prill 1962 në Gjakovë. Jetonte në Deçan. Më 8 tetor 1981 e dërgojnë urgjentisht në shërbim në Garnizonin Ushatarak të Shtipit VP 444/4 VE-1, në Maqedoni. Më 19 shtator 1982 është helmuar nga komandanti Zvonimir Kostiq dhe me të ardhur në shtëpi, vërejti pasojat e helmimit. Komanda ushtrake nuk pranoi rishikimin as Spitali i Shkupit. Vdiq në përjekje për të jetuar më 7 tetor 1982 në spitalin e Pejës; Hasan (Telat) Sezairi (1959), nga Gostivari, u likuidua me 15 maj 1982, gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak në Krivollakë të Kroacisë; Halil Halim Binaku u lind më 1952, në Gllobar të Drenasit. Më 1981 mobilizohet në Ushtrinë Jugosllave, në Shibenik të Kroacisë. U tregua shumë i zoti në ushtri dhe mori gradën e dhjetarit. Në mesnatën e 26 nëntorit 1982, u vra në tradhëti; Latif (Mehmet) Zeqiri, u lind më 5 tetor 1959, në fshatin Kaçandoll të Mitrovicës, u vra më 4 qershor 1982, derisa po e kryente shërbimin ushtarak në Lubjanë (Slloveni); Rasim Ramadan Zeka u lind më 1.5.1961 në Metërgofc të Podujevës. Më 4 nëntor 1981 mobilizohet në Garnizonin e Komandës Ushtarake të Sinjit (Kroaci), në VP 2427/12. Më parëe familja kishte informata se ai po torturohej nga sigurimi ushtarak dhe shkojnë ta vizitojnë, por nuk u lejohet. Në natën në mes të 6 dhe 7 prillit 1982, ushtarakët kapiteni Filipoviç, koloneli Zdravko Barac, majori Janko Milobratiq dhe kapiteni Ivan Kovaqeviç e varën në kabllon e rrymës, në kuzhinën e kazermës; Izeir (Rrustem) Sadiku u lind më 25 janar 1957, në Rahovicë të Preshevës. Në vitin 1981 u dërgua për ta kryer shërbimin ushtarak në garnizonin “Lora” të Splitit. Me 12 prill 1982, sipas një informate të tërthortë të oficerit Franjo Tot, oficer i lartë i sigurimit ushtarak, Frane Dobravqiq e kishte ftuar Izeirin në raport. Me atë rast ai e ka hedhur nga kati i tretl, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Të njëjtit nuk i dihet varri; Musë (Ramadan) Hoxha, u lind më 10 qershor 1965, në fshatim Bellanicë të Suharekës. Në Akademinë Ushtarake të Aviacionit Musai shkoi më 1978, në Rajllovc të Sarajevës, në P.U.3395, ku aftësohej për pilot. Më 20 dhjetor 1982, kishte dalë në qytet me shokë dhe duke u kthyer në kazermë, diku rreth orës 21:00, një veturë e përplas për vdekje, në Bihaq të Bosnjes e Hercegovinës; Enver (Selman) Elezi (26. 04. 1964), nga fshati Sllatinë e Kaçanikut, që shtrihet në rrënjë të Sharrit. U vra më 4 qershor 1989, derisa po e kryente shërbimin ushtarak, në Divulle të Splitit (Kroaci); Mustafë Arif Pantina u lind më 13 shtator 1963, në Gllarevë të Klinës. Në prill të vitit 1963 mobilizohet në Garnizonin ushtarak të Derventes (Bosnje e Hercegovinë). Për katër muaj me radhë, sikur e shpjegonte në letra, iu nënshtrua presionit ushtarak, ndërsa më 1 gusht 1983, në poligonin e kazermës u vra me snajper. U tha se e vrau veten duke marrë një kokër mollë në degë!

NË KAPITULLIN E KATËRT hyjnë biografitë e ushtarëve shqiptarë, të vrarë gjatë viteve 1983-1984. Këtu përfshihen: Adem Binak Osmanaj, lindi më 29. 12. 1963, në Turbuhovc të Istogut. Më 9 tetor 1982 mobilizohet në Garnizonin e Lublanës (Slloveni). Me të arritur në kazermë fillon dhuna mbi të. Në një letër familjes, i njofton se nuk e di a do të mund të kthehet i gjallë në shtëpi. Në natën e 5 qershorit 1983 e hedhin në hekurudhën e trenit dhe e vrasin; Murat Isufi u lind më 1965, në Haraçinë të Shkupit, vritet më 4 qershor 1983, në Lublanë të Sllovenisë; Agron Haxhi Ferizi, u lind më 1957, në fshatin Kodrali të Deçanit. U mobilizua në Ushtrinë Jugosllave më 6 janar 1984 në Novi Sad. Më vonë e transferojnë në Baçka Topollë, ku vritet më 25 gusht 1984. Arsyetimi: Ka bërë vetëvrasje; Ejup Fejzë Sahiti u lind më 2. 2. 1961, në Papaz të Ferizajt. Më 1984 mobilizohet në shërbimin ushtarak në Valevë të Serbisë VP 2666. Ishte 24 tetori 1984, dymbëdhjetë ditë pa e kryer shëbimin ushtarak, kur vritet. Nuk kishte asnjë shpjegim nga ushtria. Edhe gjyqi ushtarak u mbajt, por nuk u dhanë informacione për familjen; Naser (Shaqir) Gashi (30. 08. 1962), nga fshati Kopiliq i Poshtëm i Skenderajt, u vra derisa po e kryente shërbimin ushtarak në Shetinska Gora (Slloveni), më 10 qershor 1984; Beqir Sahiti, u lind më 29 qershor 1965, në fshatin Stubëll të Vitisë, u vra gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak në Maribor (Slloveni), më 6 gusht 1984.

KAPITULLIT TË PESTË i takojnë biografitë e ushtarëve të vrarë gjatë vitit 1985. Aty hyjnë: Abedin Selman Bala, u lind më 30. 12. 1960, në Korreticë të Epërme të Drenasit. Ishte njeri me një intelektualitet të jashtëzakonshëm. Njihte shumë gjuhë. Më 4. 1. 1981 mobilizohet në Maribor të Sllovenisë VP –3672/1. Më vonë e dërgojnë në Postonje (Slloveni) VP 1427. Ditën që lirohej u organizua një proces policor dhe u arrestuan 15 shqiptarë, gjoja të organizuar, të cilët pas nëntë muajve u dënuan nga 3 deri në 13 vjet burg të rëndë. Abedini mbajti burgun në disa vende të Jugosllavisë, deri në natën ndërmjet 11 e 12 janarit 1985 kur policia ushtarake hyri në qelnë e burgut dhe e mbyti përdhunshëm. U tha se bëri vetëvrasje; Malik Azizi u lind më 18 shkurt 1965, në fshatin Koritë të Gostivarit. Ai shkoi ushtar në vitin 1985, në Kazermën e Beogradit të Serbisë, prej nga në familje erdhi kumti i zi se “ka bërë vetëvrasje”; Mujë (Rexhë) Maqaj u lind më 27 korrik 1965, në fshatin Bregu i Zi (Cerabreg) të Lipjanit. U vra gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak, më 16 qershor 1985, kur Muji ishte caktuar në roje, dhe kur u hap lajmi në kazermë se ushtari shqiptar bëri vetëvrasje, në Benkovc (Kroaci); Shemsi Shala u lind më 1965, në fshatin Rufci i Ri të Lipjanit. Ai shkoi ushtar në Kazermën e Mostarit të Bosnjes dhe Hercegovinës. Në versionin zyrtar thuhej se një shok i tij e kishte qëlluar me një plumb në ballë me pahir dhe e kishte shtrirë të vdekur në tokë; Fadil Selim Berdynaj lindi më 1963 në Radavc të Pejës. Më 7 maj 1985 mobilizohet në Armatën Jugosllave në Prilep të Maqedonisë. Më 23 qershor 1985, nga presioni psiqik e fizik, thuhej se Fadili bëri vetëvrasje, por fjala ishte për një vrasje me dhunë, sepse nuk kishte shenja të tjera; Rexhep (Ismet) Blakaj u lind më 1964, në fshatin Jabllanicë e Vogël të Pejës. U vra derisa po e kryente shërbimin ushtarak në kazermën e Viroviticës (Kroaci), më 10 dhjetor të vitit 1985; Fadil Xhafer Gashi u lind më 21 dhjetor 1965, në fshatin Dobërdol të Podujevës. Në gusht të vitit 1984 mobilizohet në Garnizonin e Kralevës (Serbi), VP 8977/6. Më 7 maj 1985 e dërguan roje në Ratina, afër Vërnjaçka Banjës, ndërsa mbrapa e ndoqën dhe e vranë pas shpine, më 8 gusht të atij viti. U tha se bëri vetëvrasje; Enver Hasi, nga fshati Poroj i Tetovës (1965), u vra derisa po e kryente shërbimin ushtarak në Ushtrinë Jugosllave, në vitin 1985.

NË KAPITULLIN E GJASHTË janë evidentuar biografitë e ushtarëve shqiptarë, të vrarë gjatë vitit 1986: Haki Rexhep Shatri u lind në korrik të vitit 1958, në fshatin Tomoc të Istogut. Shkoi ushtar në Novi Sad, më 2 shkurt 1985, e pastaj transferohet në P.U. 4911 të Sarajevës. Një ditë para se ta kryente shërbimin ushtarak, kthehet i vrarë, i mbyllur në arkivol, më 3 shkurt 1986; Muhamet Osmani u lind më 10 dhjetor 1968, në fshatin Ballofc të Podujevës. Vdiq në spital të Prishtinës, më 1986, nga pasojat e shëndetit të rrënuar në burgun ushtarak të APJ. Pat shërbyer në në Shibenik të Kroacisë; Erdogan (Alajdin) Morina (1 maj 1958), nga Prizreni, u vra në kazermën e Batajnicës, derisa po e kryente shërbimin ushtarak në Ushtrinë Jugosllave, më 2 dhjetor 1986; Inajet (Fuad) Itsrefi, (1966), nga fshati Veleshtë e Strugës. Në janar të vitit 1986, dërgohet për ta kryer shërbimin ushrak në Kazermën e Petro Varadinit, afër Novi Sadit (Vojvodinë). Më 12 qershor 1986, derisa gjendej në roje, një dorë e fshehur e zbrazi një karikator plumba në trupin e tij; Sami Daut Shabani u lind më 1961, në Zaskok të Ferizajt. Në maj të vitit 1985 shkoi ushtar në Kazermën ushtarake të Koprivnicës (Kroaci), VP 3790/42. Më 9 janar 1986 vritet pas shpine. U varros pa asnjë dëshmi dhe nënmbikqyrje ushtarake.

TE KAPITULLI E SHTATË i gjejmë biografitë e ushtarëve që u vranë gjatë vitit 1987, ku bëjnë pjesë: Fatmir Kurti, u lind më 1 mars 1966, në Smolicë të Gjakovës. Ai shkoi ushtar në Garnizonin e Lubjanës. Po kthehej nga shërbimi ushtarak, me një shëndet të rrënuar. Mjekët e Prishtinës i kishin sugjeruar familjes që ta dërgonin në spitalin e Shkupit. Atje mjekët kishin konstatuar se vuante nga leokemia. Ishte 5 maji i vitit 1987, kur pushojnë vuajtjet e Fatmirit, ngase ai nuk arriti ta fitonte betejën me atë sëmundje të rëndë; Miftar Sylë Tali lindi më 15.2.1965, në Babaj të Bokës, Malësia e Gjakovës. Më 20 qershor 1986 mobilizohet në Ushtrinë Jugosllave në Garnizonin e Pazinit, në Istri të Kroacisë, VP 6116/11, ndërsa më 15.1.1987 transferohet në VP 4969 të Pazinit. Për shkak se ishte familje kufitare, në Miftarin bëhet presion që të bashkëpunojë për nevoja ushtarake kundër popullatës kufitare. Qëndon më shumë në burgje e spitale se sa në ushtri. Më 23 prill 1987 e njoftojnë familjen dhe e lëshojnë Miftarin me shumë plagë në trup. Në trenin Zagreb –Beograd Miftari ishte bashkë me vëllaun Haxhiun. Policia speciale u hodhi sprej syve dhe tërhoqi Mitarin duke e hedhur për dritare nga treni afër qytetit të Kutinës (Kroaci). Vetëm tri ditë më pas trupi i shkatërruar i Miftarit kthehet në shtëpi; Ramush Shala, u lind në vitin 1967, në fshatin  Ponesh të Gjilanit, u vra gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak në Sarajevë, me 1987; Aziz (Sadik) Kelmendi (15 janar 1967), nga fshati Karaçicë i Lipjanit, me banim në Prizren, më 1986 dërgohet për ta kryer shërbimin ushtarak në Leskovc (Serbi). Emri i tij lidhet me inskenimin e “Masakrës së Praçinit”, të cilën e bëri KOS-i ushtarak jugosllav. Azizin e ngarkuan për këtë rast, dhe e vranë pas shpine, më 3 shtator 1987, jashtë kazermës, ndërsa zyrtarisht njoftuan “bëri vetëvrasje” (!); Esat Ferati u lind më 5 janar 1967, në fshatin Vërbnicë të Mitrovicës. Në janar të vitit 1987, shkoi ushtar në Boinska Bello të Sllovenisë. Pas gjashtë javësh kthehet, i mbyllur në arkivol. Versioni zyrtar: “Ka vdekur nga leukemia”; Tafil Zahir Hyseni u lind më 7. 5. 1962, në Lumbardh (ish-Velikorekë) të Podujevës. Më 3 dhjetor 1984 mobilizohet në Ushtrinë Jugosllave, por i dërrmuar nga jeta në burgje, lirohet përkohësisht. Më 17.12.1986 regrutohet në Ajdovqinë të Sllovenisë VP 1266/8B. Nuk e lejojnë të vizitohet asnjëherë nga familja, prandaj më 4 shtator 1987 largohet nga kazerma pa leje drejt shtëpisë. Sigurimi ushtarak e kap dhe e kthen në kazermë, ku ushtrohet dhunë deri në vdekje. U tha se bëri vetëvrasje; Besim Hashim Fazliu u lind më 15 janar 1967, në Prishtinë. Më 19. 1. 1987 u mobilizua në Garnizonin ushtarak të Lublanës, VP 50028. Më 13. 12. 1987 u dërgua për të ngrënë më heret, se gjoja kishte punë në magazinë. Ishte helmuar, ndërsa arriti t’i shoh edhe sigurimin ushtarak që po e përcillte. Vdiq më 31 dhjetor 1987; Ibrahim Isuf Kastrati u lind më 1 janar 1961, në Turjakë të Rahovecit. Më 1984 mobilizohet në Garnizonin e Suboticës. Pas një përleshjeje ushtarësh, intervenon dhe shuan rrahjen, por pasi kjo rrahje ishte e programuar nga policia sekrete, ai dënohet me pesë vjet burg të rëndë. Nga burgu i Pozharevcit kthehet i vdekur, më 22 shtator 1987, në arkivol, hermetikisht të mbyllur; Qani (Muharrem) Shabani (1965), nga Rahoveci, u vra më 5 nentor 1987, derisa po e kryente shërbimin ushtarak në Pulë (Kroaci); Raif Adem Isufi u lind më 5 maj 1960, në Kotorr të Skënderajt. Në tetor të vitit 1986 mobilizohet në Ushtrinë Jugosllave në Bileçe të Bosnje Hercegovinës. Pastaj u aktivizua komandant reparti në Bohinjsko Bello të Sllovenisë. Më 5.12. 1987, në ora 22:00 e njoftojnë se gjoja ushtarët shqiptarë në Kazermën e Bohinjsko Bellos po rrahen me ushtarët tjerë. Raifi gjendej në kazermën e Bledit. E urdhërojnë të shkojë atje, por veturë nuk i japin. Niset këmbë me dy shokë të tjerë. Rrugës e sulmojnë me një xhip ushtarak dhe e mbysin, ndërsa plagosin rëndë një ushtar tjetër nga Koshutova e Mitrovicës, që mbetet invalid i përjetshëm dhe me plagë më të lehta një ushtar nga Presheva; Mustafë (Mumin) Ramadani, (1967) nga fshati Bozofc i Tetovës, u vra më 27 prill 1987, dersisa po e kryente shërbimin ushtarak në Garnizonin Ushtarak te Strumicës (Maqedoni e Veriut); Bedri Niman Bajgora u lind më 5.3.1959, në Vushtrri. Më 1986 mobilizohet ushtar në Garnizonin Ushtarak të Pirotit (Serbi), VP 8297/39. Në tre muajt e fundit merret vazhdimisht në biseda informative. Më 14 janar 1987 gjendet i varur në parkun e makinave.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …