Qeveria e Kosovës pritet që të premten të votojë programin qeverisës për katër vitet e ardhshme, zbatimi i të cilit mund të nisë pasi të miratohet. Që prej formimit të qeverisë, ekzekutivi është kritikuar në vazhdimësi nga partitë opozitare për vonesë në prezantimin e programit qeverisës, derisa pjesëtarë nga shoqëria civile vlerësojnë se qeveria ka pasur mjaftueshëm kohë për hartimin e tij duke e theksuar të domosdoshme që i njëjti të reflektojë mbi nevojat e qytetarëve. Në fundjavën e dytë të muajit prill kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte mbledhur ministrat e kabinetit të tij qeveritar për të hartuar programin qeverisës dhe planin e veprimit për katër vitet e ardhshme të qeverisjes. Megjithatë, programi ende nuk është prezantuar dhe votuar në qeveri. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar sot se programi do të votohet këtë të premte.
