Tefta Cami

Tefta Cami-Cani: Zhvillimi i punimeve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe I

      Sipas gazetës “Zëri i Popullit”, nr. 279 (7571), e martë, 21 nëntor, 1972-Me 20 nëntor të vitit 1972 u hap Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, si një veprimtari shkencore mbarëkombëtare. Kanë marrë pjesë 87 delegatë nga Shqipëria dhe nga shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe nga arbëreshët e Italisë. Në Kongres janë pasqyruar arritjet dhe prirjet e zhvillimit të gjuhës, si dhe janë përcaktuar mbi baza shkencore parimet dhe drejtimet kryesore të hartimit të drejtshkrimit për gjuhën letrare të njësuar, apo siÇ quhet për gjuhën standarde. Kongresi është udhëhequr nga motoja e Konsultës Gjuhësore të Prishtinës të vitit 1968:”Një komb-një gjuhë letrare.” Referatin kryesor me temë “ Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme kryesore të drejtshkrimit” e mbajti profesor Androkli Kostallari, drejtor i Institutit të Gjuhës e  Letërsisë shqipe.

       Në këtë Kongres morën pjesë e referuan profesor e studiues të Shqipërisë, të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi,  nga arbëreshët e Italisë dhe  nga vende të ndryshme të Evropës. Formimi i gjuhës letrare të njësuar (gjuha standarde), është vlerësuar si një variant më i përpunuar i gjuhës së popullit shqiptar, që ka kaluar një proces të gjatë, i cili ka filluar në shekujt XVI-XVIII dhe ka vazhduar përpunimi i saj  në shekullin XIX, gjatë Rilindjes Kombëtare, si dhe gjatë shekullit XX, ku arrin deri në atë Kongres. Në fund të punimeve të Kongresit u hartua një projektrezolutë, e cila u miratua në Kongres njëzëri nga delegatët. Kongresi i Drejtshkrimit dhe miratimi njëzëri i Rezolutës për gjuhën letrare të njësuar ka rëndësi për sigurimin e unitetit kombëtar shqiptarë.

   Pas punimeve të Kongresit të Drejtshkrimit dhe miratimit të Rezolutës për Gjuhë Standarde, Beogradi u preokupua dhe shtroi pyetjen: ”Pse shqiptarët në Jugosllavi pranuan dhe po zbatojnë Gjuhën Standarde Shqipe?”

      Pas ndërrimit të sistemit janë shprehur mendime e opinione të kundërta me vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit si këtej Drinit edhe përtej Drinit nga studius e politikanë dhe, për rrjedhojë, nuk zbatohet gjuha standarde as nga një pjesë e politikanëve dhe as nëpër institucionet zyrtare. Gjuha e njësuar e standarde shpreh nivelin kulturor të një populli e vendi. Ajo nuk mohon dialektet e të folmet krahinore të zonave, sepse ato janë e mbeten burimi kryesor i pasurimit dhe përsosjes së mëtejshme të saj.

       III. Kuvendi i Parë i Studimeve Ilire.

         Në kryeartikullin e gazetës “Zëri i Popullit”, nr. 222 (7514), e premte, 15-20 shtator, 1972 pasqyrohet: Zhvilloi punimet ”Kuvendi i Parë i Studimeve Ilire-Ngjarje e rëndësishme në jetën tonë shkencore.” U mbajt referati “Ilirët e Jugut  dhe gjeneza e shqiptarëve” nga prof. Aleks Buda. Në punimet e tij janë mbajtur 6 referate dhe 60 kumtesa shkencore, në të cilat janë parashtruar rezultatet e arritura në studimin e problemeve themelore të ilirologjisë dhe të historisë së shqiptarëve të hershëm. Në punimet e Kuvendit kanë marrë pjesë dhe kanë mbajtur kumtesa e diskutime një numër i madh i shkencëtarëve të shquar nga vendet e ndryshme të Evropës dhe Azisë, si nga RP e Kinës, Austria, Britania e Madhe, Bullgaria, Franca, Greqia, Italia, Jugosllavia, Polonia, Rumania, RD Gjermane dhe RF Gjermane. Kanë marrë pjesë delegacioni i Universitetit të Prishtinës nga Kosova, një numër studiuesish nga Maqedonia e Mali i Zi.

       Në Kuvend janë trajtuar problemet themelore të ilirologjisë:

     1). Problemi i gjenezës së Ilirëve. Problemi i etnosit Ilir dhe i kulturës ilire në plan ballkanik, si dhe me një shtrirje më të gjerë kohore prej neolitit deri në periudhën e hekurit të hershëm dhe me një shtrirje më të gjerë hapësinore, që përfshin Thesalinë me krahinat veriore të Greqisë, Maqedoninë, Serbinë Jugore dhe Qendrore, Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën dhe përtej detit gadishullin e Apeninëve.

    2) Problemi i urbanizimit të Ilirëve.

    3). Është trajtuar në një shkallë më të lartë fenomeni i superstrukturës e në mënyrë të veçantë të shtetit Ilir.

     4). Për herë të pare është trajtuar në mënyrë të thelluar e të gjithanshme tezat e njohura të shkencave albanologjike, problemi i vazhdimësisë iliro-shqiptare dhe i autoktonisë së shqiptarëve në territoret e sotme, të historisë së shqiptarëve të hershëm, rruga historike që ka kaluar njëri nga popujt kryesorë të botës antike, ilirët dhe ndikimet e tij mbi historinë mesjetare të Gadishullit Ilirik, më vonë Ballkanik. Gjithë përmbajtjen e Kuvendit e ka zënë gjeneza e ilirëve dhe e gjuhës së tyre, shkalla e zhvillimit të tyre ekonomiko-shoqëror e kulturor, roli politik i ilirëve në gadishullin Ballkanik dhe në Mesdhe, problemi i vazhdimësisë iliro-shqiptare dhe i autoktonisë së shqiptarëve mesjetarë. Referatet e diskutimet dëshmuan për interesin e madh shkencor që paraqesin këto probleme. Ilirët janë paraardhësit e popullit shqiptar. Etnogjeneza e shqiptarëve shtroi shumë kërkesa e detyra për studime të mëtejshme në fushën e arkeologjisë, gjuhësisë historike, të onomastikës e etnografisë, të antropologjisë, si dhe të studimeve komplekse ndërdisiplinore të problemeve themelore të ilirologjisë dhe të mesjetës së hershme në një diapazon më të gjerë kohe e hapësire.

  Në të gjitha veprimtaritë ka asistuar Enver Hoxha dhe udhëheqës të tjerë të Partisë e të Shtetit.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …