Ragip Gjoka: Fadil Gjoka, 1967-1994

Ragip Gjoka: Fadil Gjoka, 1967-1994

“Më mirë i vdekur se sa kështu siç jemi katandisur”.

 Fadil Gjoka u lind më 25 shkurt të vitit 1967 në fshatin Tërstenik të Komunës së Drenasit. Fadili ishte fëmiu më i madh i Murat e Ajete Gjokës të cilët rritën edhe dy djem Ragipin e Shaipin dhe pesë vajza Afijen, Bukurijen, Afërditen, Elfijen dhe Gjylferijen. Fadili, shkollën fillore e kreu në vendlindje, Tërstenik, ndërsa të mesmen në Skenderaj. Aktiviteti i tij kundër çdo gjëje që do të lidhej me pushtetin e Serbisë do të fillonte qysh në moshë të re kur nuk e përfill ftesën e Sekretariatit të atëhershëm të Mbrojtjes Popullore për rekrutim në ushtri. “ Kësaj armate nuk i besoj që përditë sjellë shqiptarët në arkivole dhe tek e fundit nuk është ushtri e imja dhe për të gjallë nuk shkoj”, kishte thënë Fadili.

Për këtë ishte dënuar, dënim ky që vetëm sa e kishte nxitur më shumë kundër pushtetit të atëhershëm. Sepse, Fadili, edhe pse shumë i ri do të bëhej organizatori kryesor i demonstratave në Skenderaj gjatë viteve 1988-1989, ku do të burgosej, do të maltretohej rëndë, do të dënohej si organizator, por asnjë fjalë se kishte thënë për shokët e tij. Pas daljes nga burgu, Fadil Gjoka, do të thellohej edhe më shumë në luftën kundër agresorit serb dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Një nga shokët e afërt të Fadilit, Bislim Kodra do të rrëfej se si me Fadilin ishte njohur qysh më 1983, kur Fadili kishte vetëm 16 vjet. “Edhe pse shumë i ri, kishte një urrejtje të madhe kundër pushtuesit serb. Me të kuptuar se në Prekaz po krijohej një forcë e re që do t’ia kthente armët policisë e ushtrisë serbe, menjëherë do të inkuadrohej në këtë lëvizje dhe kontributi i tij do të jetë shumë i vlefshëm”, thotë Kodra. Ishte i kyçur në grupet e para të rezistencës në Drenicë e më gjerë.

Kishte shoqëri dhe mbante lidhje të drejtpërdrejta me Adem e Hamëz Jasharin dhe trimat tjerë që vepronin në atë kohë. Në vitin 1992, në Drenas, Fadili do të arrinte që t’ua rrëmbente dy jelekë antiplumb mjaft të fuqishëm policisë nga vetura e tyre e policisë e tipit Niva. Këta jelekë do t’i dorëzoheshin Adem e Hamëz Jasharit të cilët ata do t’i përdornin në betejat e ardhshme kundër policisë serbe. Fadili do të ndihmonte me furnizimin me armë Zonën e Drenicës, kishte raporte të mira edhe me Zahir Pajazitin, ndërsa nëpërmjet Fadilit do të armatoseshin edhe Sylejman Selimi e shumë luftëtarë tjerë që më vonë do të bëheshin udhëheqësit kryesorë të UÇK-së. Gjatë viteve të 90-ta kur edhe veçse kishin filluar sulmet ndaj policisë , Fadili do të ndërmerrte disa aksione kundër tyre dhe do të izolonte shumë bashkëpunëtorë të regjimit.

Për aktivitetin e Fadil Murat Gjokës do të rrëfejnë me shumë pietet disa nga bashkëpunëtorët e tij gjatë asaj kohe. Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Drenicës, Sami Lushtaku do të thotë se shtëpia e Fadilit ka qenë bazë e sigurt, ku shpeshherë ka qëndruar edhe Adem Jashari. Kurse, Jakup Nura tregon se si menjëherë pas daljes nga burgu, Fadili do t’i bashkohet shokëve. “Burgu nuk kishte ndikuar në të që të hiqte dorë nga rruga që kishte nisur me shokë, por vetëm sa e kishte kalitur dhe shtuar bindjen më shumë se rruga e nisur duhej çuar deri në fund. Në këtë kohë ne kishim një njësi të armatosur, e cila në rast se forcat e policisë përdornin armët e zjarrit kundër masave të protestuesve, të iu kundërvihemi në të njëjtën mënyrë. Në këtë njësi ishte edhe Fadili” , shprehet Jakup Nura.

Edhe Jetullah Geci thotë se Fadil Gjoka ishte besnik i Adem Jasharit dhe shokëve të tij. “Qëllimi kryesor i tij ishte sigurimi i armatimit, i ambientit ku do të qëndronte Adem Jashari dhe grupi i tij. Qëndrimi besnik i Fadilit ndaj shokëve mundësoi kryerjen e shumë detyrave me rëndësi kombëtare në atë kohë”, dëshmon Jetullah Geci. Në gusht të vitit 1993, një sasi e konsiderueshme armatimi e destinuar për komandant Adem Jasharin ishte bllokuar në Jabllanicë. Me të dëgjuar për këtë, Fadili do të nisej për Dukagjin dhe nëpërmjet kontakteve të tij do të arrijë ta sjellë armatimin në Drenicë. Fadili i ishte përkushtuar me tërë qenien e tij kauzës për çlirimin e Kosovës. E kishte kuptuar se më nuk mund të jetohej i shtypur, i maltretuar e i turpëruar në vendin tonë.

“Më mirë i vdekur se sa kështu siç jemi katandisur”, do të shprehej shpesh ai. Më 8 maj të vitit 1994, derisa po shkonte për t’u takuar me disa shokë në Prekaz i ndodhë një aksident komunikacioni. Fadili, aty për aty nuk dukej të ishte lënduar, bile ju ndihmon edhe disa të tjerëve të përfshirë në aksident që të dërgohen në spital. Edhe pse refuzon edhe ai dërgohet për kontroll. Gjatë gjithë kohës së qëndrimit të Fadilit në spital, atë e kanë ruajtur njerëzit e sigurimit. Familja e tij tek të nesërmen merr vesh se Fadili ka pasur aksident. Ata gjithnjë do të dyshojnë se vdekja e tij nuk ishte shkak i aksidentit, por se ishte vrarë qëllimisht. Vdekja e Fadil Gjokës do të shkaktonte një humbje të madhe te shokët e rezistencës. Xhemë Kodra, një nga shokët e tij të idealit thotë se Adem Jashari e kishte shok dhe bashkëpunëtorë të ngushtë Fadilin dhe se kur mori lajmin për vdekjen e tij u pikëllua pa masë.

”Komandantit Adem Jashari dhe të gjithë ne shokëve të tij që e kishim njohur për së afërmi na mbeti një zbrazëti e madhe fizike pa të, por çdo herë e mbanim në kujtesë shëmbëlltyrën e tij në zemrat tona dhe vepra e tij ishte sinonim për të vazhduar edhe më me ngulm rrugën që kishim nisur”, tregon Xhemë Kodra. Edhe Kadri Veseli, një prej anëtarëve të grupeve të para ilegale në një vizitë në familjen e Fadilit do t’i tregojë babës të Fadilit, Muratit se si Fadili në 1993 e kishte marrë nga Prelloci dhe e kishte dërguar në Abri. “E ke pas djalin shumë të zoti. Për ne të gjithë, jo vetëm për ju si familje ka qenë humbje e madhe sepse e kemi pas shtyllë në organizimin e lëvizjes”. Fadil Gjoka ka qenë i martuar dhe ka lënë një vajzë, Marigonën.

Emrin vajzës ia kishte lënë Hamëz Jashari, për respektin që kishte për flamurin dhe bashkimin kombëtar. Ilir Shaqiri, motra e të cilit ka qenë gruaja e Fadilit, thotë se ka qenë pikërisht Hamëz Jashari nismëtari kryesor që ata të lidhnin miqësi. Kjo tregon se sa shumë e kanë dashur dhe kanë pasur besim te Fadili, Hamza, Ademi e gjithë shokët. Më 28 dhjetor të vitit 2018, pas shumë përpjekjeve e kërkesave të familjes drejtuar institucioneve kryesore të shtetit për njohjen e meritave të Fadilit, presidenti Hashim Thaçi do ta dekoronte dëshmorin e kombit Fadil Gjoka me urdhrin “Hero i Kosovës”. “ Sot, dekorova dëshmorin Fadil Gjoka një prej luftëtarëve më të hershëm të UÇK-së. Fadili, shquhej për guximin e tij edhe si pjesëmarrës i aksioneve të para kundër forcave policore serbe”, thuhej në dekoratën e presidencës dhënë familjes së heroit Fadil Gjoka.

Ragip Gjoka: Fadil Gjoka, 1967-1994

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …