leoni

Tefta Cami-Cani: Kremtimi i 100-të vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në RPSSH dhe në KSA të Kosovës II

Tefta Cami-Cani: Kremtimi i 100-të vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në RPSSH dhe në KSA të Kosovës II

        Në RPSSH u ngrit një komision qeveritar dhe u programuan të gjitha veprimtaritë politike, shkencore, kulturore e artistike, botuese e propagandistike, që do të zhvilloheshin gjatë gjithë vitit 1978 ne rrethe e zona në shkallë kombëtare si dhe në kryeqytet. Me atë rast u evidentuan në mënyrë më të plotë idetë e mëdha të mbledhjes e të vendimeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, roli i saj historik mbarëkombëtar, si dhe rrezatimi i atyre ideve e idealeve kombëtare gjatë gjithë periudhave të mëvonshme të historisë kombëtare te brezat, që kanë përfaqësuar e përfaqësojnë anën progresiste mbarëkombëtare.

    -Më 10 qershor në sallën e Teatrit të Operës e të Baletit , mbahet një mbledhje solemne, ku ka folë Ramiz Alia mbi rëndësinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në të ishin ftuar e muarrën pjesë patriotë nga të gjitha anët e Shqipërisë dhe nga Kosova e viset e tjera shqiptare përtej kufirit.

      -Më 11 qershor para arkivolëve të Abdyl e Naim Frashërit të vendosur në një shtrat topi e të mbuluar me Flamurin Kombëtar parakaloi populli i Tiranës dhe u bënë homazhe në sheshin “Skënderbe”. Eshtrat e Abdyl Frashërit, të ideatorit e organizatorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u sollën nga Turqia nga një delegacion i qeverisë shqiptare, që shkoi për t’i marrë. Sipas informacionit “Mbi marrjen në Stamboll të eshtrave të Abdyl Frashërit.” Firmosur nga Xhorxhi Robo shënohet këto të dhëna për tërheqjen e eshtrave të Abdylit dhe për arsyet e mosdhënies të eshtrave të Sami Frashërit:”…2. Sami Frashërin turqit e Çmojnë si një shkencëtarë të madh, që i ka dhënë shumë kulturës turke, por ndonjë gjë për të nuk kanë bërë, duke filluar që nga varri i tij modest, nga mospërjetësimi i emrit, mosbërjen e ndonjë monumenti apo busti etj. Këte na e vuri në dukje edhe nipi i tij Emin Ereri tha: “Samiu i ka dhënë shumë Turqisë, por kjo s’i ka dhënë asgjë atij.”

    Kur na shpjegoi në shtëpin e tij veprat që ka shkruar Sami Frashëri që ishin 60 dhe që i kishte hedhur në një kartë të madhe me datën e shkrimit dhe të botimit të tyre, për veprën “Shqipëria Ç’ka qenë Ç’është dhe Ç’do të jetë” kishte shënuar me laps vitin 1885.

    3.Lajmi i tërheqjes së eshtrave të Abdylit shkaktoi reagimin e elementit reaksionar shqiptarë, të kryesuar nga Tahir Kolgjini e Qazim Prodani. Disa prej tyre shkuan tek varri i Abdylit, ndoshta me qëllim që t’i merrnin vetë eshtrat, por atje u pritën nga shqiptarë të Kosovës e të Maqedonisë, sidomos nga djemtë e Sheuturkut nga Tetova, të cilët bënë roje në varr deri sa eshtrat u vendosën në Konsullatë. Dy nga djemt na shoqëruan deri në kufirin turko-grek. Shqiptarët e atjeshëm, sidomos ata nga Kosova e Maqedonia e vlerësuan shumë lartë marrjen e eshtrave dhe u prekën shumë nga kjo.” (AQSH, F.14, V.1978, D.282, fl.28)

       Arkivolet e Abdylit e të Naim Frashërit të vendosura mbi shtratin e topit e të mbuluar me Flamurin Kombëtar u përcuallën me nderime nga udhëheqja e populli i Tiranës të shoqëruar me muzikë e këngë patriotike për në memorialin që është ngritur për tre vëllezërit Frashëri tek Parku i Madh Kombëtar. Aty janë varrosur eshtrat e Abdylit e të Naimit dhe në memorialin e Samiut mungojnë eshtrat e tij, sepse nuk i ka dhënë Turqia.

      Me datën 10 qershor 1978 u zhvillua metingu i madh solemn në sheshin “Skënderbej”, ku mbajti një fjalim të rëndësishëm kryeministri i Shqipërisë, Mehmet Shehu, për rëndësinë historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe për udhëheqësit e saj të shquar.

      -Me 11-13 qershor 1978 zhvilloi punimet Konferenca Shkencore në shkallë kombëtare me temë “Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe epoka e saj.”Morën pjesë studius nga Shqipëria e Kosova, si dhe nga viset e tjera shqiptare të Maqedonisë e të Malit të Zi, nga arbëreshët e Italisë, si dhe shqiptarë e profesorë të vendeve të tjera.

       Në telegramin e kryetarit të Shoqatës të Shkencave e të Arteve në Prishtinë, prof. Esat Mekuli nr.180, me 15.V.1978 Prishtinë njofton Akademinë e Shkencave të RPSSH:”Lidhur me shkresën tuaj, më 25.III.1978, kemi nderin t’ju njoftojmë përsëri, se me kënaqësi e pranojmë ftesën për pjesëmarrjen në Konferencën Kombëtare të studimeve mbi “ Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe epokën e saj” të shkencëtarëve tanë.

     Ju njoftojmë se në Konferencën Kombëtare të studimeve mbi “ Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe epokën e saj” do të marrin pjesë këto shkencëtarë:

    1.Akademik Ali Hadri-“Rëndësia historike e Lidhjes Sëhqiptare të Prizrenit”.

    2.Akademik Rexhep Qosja-“Ndikimi i Lidhjes së Prizrenit në letërsinë e Rilindjes.”

    3.Akademik Idriz Ajeti-pa kumtesë.

    4.Prof.dr.Mark Krasniqi-“Funksioni i dhomës së miqve në Kosovë në epokën e Lidhjes së Prizrenit”.

    5.Prof.dr. Skënder Rizaj-“ Çeshtja e administrimit të viseve shqiptare në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.”

    6.Doc. dr. Shukri Rrahimi-“Rritja e rrymë së autonomisë në gjirin e Lidhjes së Prizrenit.”

    7.Dr.Masar Kodra-“Dibra me rrethinë në epokën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.”

    8.Mr.Sadulla Brestovi-“Lidhja e Prizrenit dhe popullsia serbe e Kosovës.”

    9.Mr.Zekiria Cana-“Lidhja e Prizrenit sipas Dimitrije TuÇoviqit.”

   10.Fejzulla Çerkini-“Disa dokumente gjermane lidhur me luftën e Dervish Pashës kundër forcave të Lidhjes së Prizrenit në Slivovë, Shtimje, Caralevë dhe Dule.”

   11.Mr.Zoran Gjeorgjeviq-“Lufta e Lidhjes së Prizrenit për pushtet, autonomi dhe pavarësi në dritën e shtypit serb.”

  12.Mr.Drita Gunga-“Lidhja e Prizrenit dhe gruaja shqiptare.”

  13.Mr.Resmije Kryeziu-“:Lidhja e Prizrenit në shtypin europian.”

  14.Milutin Foliq-pa kumtesë.

  15.Mr.Bedri Shehu-

   Me këtë rast ju shfaqim përshëndetjet tona më miqësore ! Kryetari: Akademik Esat Mekuli.” (AQSH, F.14, V.1978, D.281, fl.134-135)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …