Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë testuar gjithsej 1 mijë e 494 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 49 raste pozitive dhe tri humbje jete nga pasojat e infektimit me virusin korona. Numri total i rasteve pozitive prej fillimit të pandemisë, 15 muaj më parë është 106 mijë e 538 raste nga 557 mijë e 859 të dyshimtë me virus. Gjatë kësaj periudhe kohore kanë humbur jetën 2 mijë e 213 të infektuar të cilët në të shumtën e rasteve kanë pasur edhe sëmundje të tjera të rënda dhe kryesisht janë persona të moshuar. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 346 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 98 mijë e 223 kurse numri i rasteve aktive në dy tre muajt e fundit nga mbi 14 mijë, ka zbritur në 6 mijë e 102.
