Mehmet Bislimi: TAHIR MEHA DHA KUSHTRIMIN

Qëndresa heroike e Tahir dhe Nebih Mehës, në Prekaz, më 13 maj 1981, shënoi rifillimin e rezistencës aktive, me armë në dorë

Qëndresa heroike e Tahir dhe Nebih Mehës, në Prekaz, më 13 maj të vitit 1981, shënoi rifillimin  e rezistencës aktive, me armë në dorë kundër pushtimit jugosllav të trojeve tona. Dy muaj pas larjes me gjak, nga milicia dhe ushtria jugosllave, të demonstratave dhe protestave të popullatës liridashëse të Kosovës, që u zhvilluan në Prishtinë dhe në qytetet e tjera të vendit, me kërkesë për liri, barazi dhe forcimin e pozitës kushtetuese të Kosovës, forcat policore dhe ushtarake të RSFJ-së, të cilat kishin shpallur “shtetrrethimin” në “Krahinën Autonome të Kosovës ”, më 13 maj të vitit 1981, në ditën festive të Milicisë, me qindra policë dhe ushtarë jugosllavë, në mesin e tyre edhe policë shqiptarë, kishin rrethuar kullën e Nebih Mehës në Prekaz. Ata kishin marrë për detyrë që ta arrestonin Tahir Mehajn, i cili kishte rënë në konflikt me policinë vendore dhe për të cilin kishin të dhëna se kishte armë dhe kishte paralajmëruar haptas nuk do të dorëzohej.

Ishte pikërisht 13 maji, “Dita e Milicisë” së Jugosllavisë, ajo që nxiti forcat policore për ta rrethuar një shtëpi të një shqiptari të pabindur, me qëllim për të shënuar edhe një fitore tjetër kundër “nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar” sikur thuhej zyrtarisht. Mirëpo Tahir Mehaj dhe babai i tij, Nebihu nuk kishin pranuar t’i dorëzonin armët. Ata ishin kundërpërgjigjur zjarrit të forcave policore, edhe pse ishin rrethuar me tanke e autoblinda të shumta. Pas largimit nga shtëpia të fëmijëve të mitur dhe grave nëpër tymin helmues, Tahir dhe Nebih Meha kishin rezistuar në kullë gjatë tërë ditës, për 20 orë rresht. Ata, jo vetëm që nuk ishin dorëzuar, por kishin rezistuar trimërisht dhe heroikisht. Gjatë përpjekjeve të milicëve jugosllavë për të depërtuar në kullë, Tahiri dhe Nebihu kishin vrarë pesë policë jugosllavë, sipas versionit zyrtar, ndërsa kishin plagosur dhjetëra të tjerë. Në përpjekje për ta çarë rrethimin, meqë po iu mbarohej municioni, kishin rënë në altarin e lirisë, babë e djalë, Nebih e Tahir Meha, duke shkruar kështu një faqe të veçantë të heroizmit dhe sakrificës së popullit shqiptar për liri dhe pavarësi nga okupatori jugosllav.

Milicia e RFSJ-së, jo vetëm që nuk kishte shënuar fitore për ditën e saj festive, por kishte pësuar një turp të pa parë e të padëgjuar deri atëherë. Qindra policë dhe ushtarë, me armët më moderne të kohës, të mbështetur edhe nga tanke e helikopterë, kishin rrethuar një shtëpi të varfër, fshatare, të Drenicës dhe jo vetëm që nuk kishin arritur t’ iu merrnin armët dhe t’ i arrestonin dy armiq të Jugosllavisë, por kishin humbur pesë milicë nga njësitë elite speciale dhe shumë të tjerë kishin marrë plagë të rënda.

“Rilindja” e 14 majit të vitit 1981, ashtu sikur edhe Radio Televizioni i Prishtinës, njoftonin opinionin se ditë më parë, në Prekaz të Drenicës, forcat e “Milicisë Speciale të Jugosllavisë” kishin vranë dy banditë, dy armiq të shtetit, për të cilët thuhej se kishin përdorur në mbrojtje, gratë e fëmijët e tyre. Nuk jepeshin të dhëna se si kishin pësuar nga tymi helmues sidomos pesë vajzat e mitura të Tahirit dhe graria e kësaj shtëpie. Ishin fshehur të dhënat për maltretimin mizor, që milicët kishin ushtruar kundër familjarëve, disa burrave të lagjes, vëllait të Tahirit, Beqirit dhe disa kushërinjve të tyre. Nuk ishin dhënë pamje nga rrënimi i kullës me predhat e mortajave të milicisë dhe ushtrisë jugosllave. Po ashtu, për disa ditë rresht  nuk u publikuan as të dhënat për humbjet e milicisë në ditën e tyre festive.

Për të parë për së afërmi se ç’ kishte ndodhur në Prekaz atje kishte shkuar edhe vetë shefi i Armatës Jugosllave, Nikolla Lubiqiq, me disa gjeneralë, pastaj sekretari Federativ i Punëve të Jashtme, Franjo Herleviq, kryepolici i Kosovës, Mehmet Maliqi si dhe shumë autoritete zyrtare të Beogradit, të Prishtinës e më gjerë.

Komunikatat zyrtare të RSFJ-së kishin dënuar aktin e qëndresës së Tahir dhe Nebih Mehës, duke e cilësuar si akt armiqësor të drejtuar kundër politikës së bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me popullin serb dhe popujt e tjerë sllavë dhe kundër përparimit dhe të arriturave të shqiptarëve në Jugosllavi. Edhe Komiteti, kuisling, Krahinor i Kosovës, Lidhja Socialiste e Popullit Punues, Lidhja e Komunistëve, Milicia e Krahinës së Kosovës kishin dënuar rezistencën e Tahir dhe Nebih Mehës, ndërsa familjeve të milicëve të vrarë iu kishin dërguar telegrame ngushëllimi, duke u betuar se ata kurrë nuk do të largoheshin nga rruga e Titos dhe rruga e bashkim vëllazërimit.

Familja Meha e Prekazit ishte ekskomunikuar, ishte leçitur dhe ishin krejt të pakët ata miq e dashamirë që guxonin të shkonin për ngushëllime. Qëndresa në Prekaz u bë burim frymëzimi për forcat liridashëse të Kosovë, për Adem, Hamëz dhe Shaban Jasharin dhe për trimat e trimëreshat e UÇK-së. Në luftë kundër forcave okupatore serbe, më 25 mars të vitit 1999 ka rënë dëshmor edhe vëllai i Tahirit, Beqir Meha.

Shembulli i heroizmit të Tahir dhe Nebih Mehës u bë burim frymëzimi për të gjithë liridashësit e Kosovës, të cilët në mars dhe prill të vitit 1981 kishin shpalosur platformën e tyre me moton: “Republikë-Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”. Të dyja këto opsione ishin hapur.

Përderisa në rrugët e Prishtinës dhe të qyteteve të tjera të vendit, rinia dhe forcat liridashëse të vendit protestonin duarthatë dhe me grushtet e ngritur lart dhe vriteshin pamëshirshëm nga milicia jugosllave, dhjetëra studentë, nxënës e punëtorë, në fshatin Besi të Prishtinës, u kishin rrëmbyer armët forcave policore që vinin nga Serbia dhe kishin filluar rezistencën aktive. Akti heroik i Tahir dhe Nebih Mehës, shënoi edhe një hap më tej në rrugën e rezistencës aktive, e cila formën e vetë të qartë dhe vendimtare e mori me komandantin e UÇK-së, legjendarin Adem Jashari dhe me luftën heroike, çlirimtare dhe fitimtare të kësaj force të re të rezistencës, e cila burim frymëzimi pati qëndresën shekullore të këtij populli.Familja Meha njihet për trimëri dhe kundërvënie të gjitha regjimeve okupatore. Kryefamiljari Emin Lati-Meha, babai i Nebihut ishte njëri ndër bashkëluftëtarët më të njohur të Azem Galicës. Djali i tij Nebihu, kishte luftuar në radhët e kryengritësve  të Shaban Palluzhës, në shkurt të vitit 1945.  Po ashtu me djalin e tij, Tahirin kishin qëndruar deri në fishekun e fundit duke luftuar kundër milicisë jugosllave më 13 maj të vitit 1981. Vëllai i Tahirit dhe i biri i Nebihut, Beqir Meha ka rënë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ishte ndër bashkëluftëtarët më të afërt të Legjendarit Adem Jashari dhe të Hamëz Jasharit. Bijë të tjerë nga kjo familje kanë marrë pjesë edhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. (Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …