leoni

Flet ish- aviatori Ali Kongoli: Si ma pushkatuan babanë nazistët e gestapos më 15 nëntor 1943

Flet ish- aviatori Ali Kongoli: Si ma pushkatuan babanë nazistët e gestapos më 15 nëntor 1943

(Albert Z. ZHOLI: Si u formua  në tetor 1948 “Skuadrilja e pavarur shqiptare” me përgjegjës Areteo Konomin)

Sot në moshë të thyer ai jeton në Tiranë dhe ndonëse vitet kanë bërë të tyren, i pëlqen të shëtisë ende. Ai i kujton mjaft mirë ngjarjet e jetës së tij të lidhura me aviacionin. Ali Kongoli ka lindur në vitin 1927 në qytetin e Beratit, ku i ati i tij punonte si mjek. Në vitin 1940 familja e tyre shpërngulet në Elbasan. Familja ishte e lidhur me lëvizjen NÇL. Babai i tij, Xhafer Kongoli u zgjodh kryetar i Këshillit Kahinor Antifashist të Qarkut të Elbasanit. Ai u ekzekutua nga nazistët e gestapos në 15 nëntor 1943 dhe sot ka statusin e dëshmorit  dhe ka titullin “Nderi i Qarkut Elbasan”.

Pjesë e lëvizjes Nacional – Çlirimtare

Aliu hyri në Normalen e Elbasanit, por në vitin e fundit, si shumë normalistë të tjerë, iu bashkua lëvizjes Nacional – Çlirimtare me armë në dorë, në batalionin e Çermenikës në moshën 16- vjeçare. Përfundimi  i  luftës  e gjeti atë në Gjirokastër në radhët e brigadës së XIV sulmuese. Me çlirimin e vendit, në korrik të vitit 1945, ai së bashku me një grup të rinjsh nga vendi, u  nisën në ish-Jugosllavi, fillimisht në qytetin e Pançevos, e më pas në Beograd për të ndjekur shkollën e aviacionit për ndërlidhje. Së bashku me Aliun ishin edhe Sotir Kano, Angjel Gorishani, Koço Andoni, Viktor Laçi (Frashëri). Pasi u diplomua për ndërlidhje në fund të korrikut te vitit 1948, pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë e Titos, ai u kthye në Shqipëri. Me kthimin në atdhe vihet në dispozicion të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Popullore.

Formohet  skuadrilja e pavarur shqiptare

Në tetor të vitit 1948, ai niset sërish për të vijuar kursin për ndërlidhje në aviacion, këtë herë në ish- BS. Tre muajt e parë vendoset në qytetin Çkallov. Më pas, grupi i shqiptarëve ku bënte pjesë edhe Aliu, kalojnë në qytetin Armavir të qarkut të Krasnodarit. Ai kujton: “Aeroporti ishte 7 km larg nga qyteti. Pas një qëndrimi prej pesë muajsh aty, grupi shkon në Harkov. Aty për herë të parë, të gjithë kuadrot e aviacionit që po specializoheshin duke përfshirë pilotët, teknikët  dhe specialistët e ndryshëm të kësaj arme, krijojnë për herë të parë skuadriljen e pavarur shqiptare, nën drejtimin e një komandanti sovjetik dhe me përgjegjës shqiptar, Areteo Konomin. Kjo skuadrilje mori dy herë falënderime për performancat e saj  nga koorporata e Kievit”.

Në shkurt të vitit 1951, Aliu kthehet në Tiranë dhe vendoset  në aeroportin e Laprakës

Ai kujton: “Në këtë kohë aty kishin ardhur avionët e Luftës së Dytë Botërore “JAK 9” së bashku me specialistët rusë që u kujdesën për montimin e tyre. Në këtë kohë krijohet “Skuadrilja e parë luftarake e armës ajrore shqiptare”, me komandant Babaçe Faikun dhe komisar Vasil Trashën. Unë fillova punë në detyrën e ndërlidhësit në këtë skuadrilje”. Sot ai, së bashku me zotin Stefan Kagjini, kryeinxhinier dhe kuadër i lartë i aviacionit,  janë të vetmit persona të cilët janë ende në jetë, prej asaj kohe të fillimit të kësaj arme. E vijon këtë  detyrë deri në vitin 1954. Në atë vit një grup pilotësh dhe teknikësh shkojnë për specializim të mëtejshëm në Grozni, të ish- BS. Ja si shprehet ai për zhvillimet në këtë armë në atë periudhë: “Në 1954, krijohet për herë të parë arma e VAIN-it, që ishte Mbrojtja Kundërajrore me komandant Sotir Filtron dhe me këshilltar sovjetik, kolonel Fatushenkon. Unë emërohem si përgjegjës i këtij grupi. Për këtë qëllim, u instalua radiostacioni P-8 në Kardhikaq  të Delvinës, ku punova aty për katër muaj, së bashku me këshilltarin specialist sovjetik, nëntoger Romanjenkon. Në këtë kohë zbulimet e aviacvionit bëheshin në distancë”. Kjo pikë u shpërngul në Lezhë dhe Aliu kthehet në Tiranë dhe emërohet shef teknik i radiolokatorëve të Shqipërisë. Këto të fundit ishin instaluar edhe në Lushnje, Lezhë e Voskopojë.

Formimi i Transportit Ajror Civil

Në këtë kohë Aliu informohet se do të krijohej “Transporti Ajror Civil” dhe në vitin 1955, ai do kalojë atje. Për këtë detyrë të re ai kujton:“Fillimisht uljet e avionëve kryheshin në aeroportin e Laprakës me avionë të vegjël “IL-14”. Më pas, ulje -ngritjet kaluan në aeroportin e Rinasit. Në atë kohë kompanitë  ajrore që uleshin në Tiranë ishin “JAT” Jugosllav, “Lufthansa”, “Aerofloti TU 104”, dhe “CSA” Çekosllovake. Po ashtu  edhe disa linja të tjera, këto jo të rregullta. Në vitin 1961, me prishjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, atë e larguan përfundimisht nga aviacioni. Këtu ndikoi edhe një lidhje farefisnore që Aliu kishte me Viktor Laçin, i cili mbasi kishte mbaruar shkollën e dytë për aviacion në ish -BS,  atë vit tentoi pa sukses arratisjen për në ish -Jugosllavi, duke u arrestuar dhe dënuar me 20 vjet burg. Pasi gjatë viteve të punës ai kaloi në disa vende të ndryshme derisa doli në pension në vitin 1987, në drejtorinë e përgjithshme të PTT. Sot, aviacioni dhe vitet e kaluara në të, janë një kujtim i largët, por  i vyer dhe i bukur i jetës së tij.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …