Adem Breznica

Adem Breznica: Rrënohet edhe një monument kultural, zëvendësohet nga një tjetër paradoksal

Qenka rrënuar xhamia e vjetër (rreth 300 vjeçare) e Llapashticës dhe në vend të saj qenka ndërtuar një e re e stilit maloko-kubanez (lexo: “maroko-‘kubanez'”).

Gjatë pushtimit 87 vjeçar, Serbia tjetërsoi, shkatërroi, rrënoi dhe fshiu gjurmët qindra e mijëra vjeçare, të qindra e mijëra objekteve e artefakteve, të kulturës materiale e shpirtërore të shqiptarëve në Kosovë duke e varfëruar potencialisht autoktoninë tonë primare në zemër të Dardanisë iliro-arbërore.

Por, aq shumë kishte dhe mbetën gjurmë shqiptare në këto anë, sa as lufta e fundit totale e Serbisë kundër qenies dhe çdo gjëje tonë nuk i fshiu dot ato.

Megjithatë, edhe përkundër dështimit serb në rrënimin e monumenteve tona, vragët e pushtimit disa dekadësh lanë pasoja tek “modernizuesit” tanë të historisë.

21 vjet pas çlirimit dhe 13 vjet pas pavarësimit, qindra monumente të RESTAURUARA bëhen viktima të RIKONSTRUKTIMIT injorant e dallkauk.

Disa madje edhe u dogjën për të nxjerre alibi të rreme në mënyrë që t’i hapej rrugë degradimit modernist.

Rikonstruktimi ka kuptimin e rindërtimit. E rindërtim do të thotë përmirësim i të vjetrës, respektivisht rrënim i të vjetrës jo-funksionale dhe ndërtim i të resë funksionale. E tashmja dhe e ardhmja mund edhe të rindërtohen nga e para. Po jo e kaluara. Mund të rrënohet, ndërtohet e rindërtohet shtëpia, rruga, ura, përditshmëria por jo e veçanta, jo monumentalja. Pse e ke braktisur plisin e trashëguar brez pas brezi, nuk mund t’ia bësh photoshop shajkaqen gjyshit e stërgjyshit tënd! Po deshe, vëre për vete, por atë, dhe tekat tjera, nuk mund t’ua imponosh të tjerëve as në perspektivë, e lëre më në retrospektivë!

E vjetra mbetet e vjetër dhe nuk guxon të rrënohet. Edhe nëse është e pa përdorshme, ajo duhet KONSERVUAR e RESTAURUAR e kurrsesi të RIKONSTRUKTOHET tjetër fare e nga e para.

Injorantë, hipokritë e faqezi, që keni rrëmbyer institucionet gjithandej! Kushdo qofshi ju. Kur gjeni troje për të ndërtuar objekte afariste e biznesore, familjare e klanore, që merrni e thithni fondacione milionëshe, poshtë e lartë, nga më të ndryshmet e nga gjithsekush, pse nuk gjeni troje të reja për xhamitë e reja, e ato të vjetrat t’i leni të patundura në themelet e vjetra e në trojet e tyre të vjetra!?! Pse?!?

A keni të ndalur!?

A keni përgjegjësi!

A keni ndërgjegje!

A keni turp ju!

Apo vlerësoni se e dhatë provimin tuaj tashmë.

Sepse i fshitë shumicën e atyre gjurmëve që nuk mundi t’i fshinte as Serbia.

Dhe konsideroni se përmbushet misionin tuaj.

E mund të merrni pasaportën serbe, megjithëse kurrë nuk e braktiset atë!

Ju jeni mishëruar me të keqen dhe nuk e veneroni dot!

Ju dhe marrja jeni një!

Prandaj është e kot t’u thuhet “marre u koftë”!

Më mirë është t’u thuhet “bravo”! Tamam si gomarit kur del prej baltës. Sepse edhe biku lodhet dikur gjatë byrytjes në bykë të kashtës. Lodhet edhe taraku kur ju bie kabëzave. Por ju nuk lodheni fare. Nuk lodheni në përçapjet tuaja marroqe.

Juve nuk mund t’u thuhet mos vidhni, mos rreni, mos shkatërroni, mos abuzoni, mos hani ramazan, mos pini raki.

Juve nuk mund t’iu mbahet ders.

Sepse ju thirreni tek dersi, ndërkaq jepni nasihat.

Juve mund t’u thuhet vetëm “puna e mbarë”, “a po ua ka ëndja” dhe “ju bëftë mirë”!

Ju kuptoni vetëm kur të ironizohet me ju.

Juve kuptoni vetëm kur t’u thuhet bravo.

Prandaj “bravo u koftë”!

 

/Adem Breznica, profesor i historisë/

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …