Enver Hoxha

Enver Hoxha për herë të dytë ndër shqiptarë I

Një burrë rreth moshës 5o-vjeçare, në një ditë prilli, ishte paraqitur befasisht në Sheshin “Skënderbeu” të Tiranës. Ai kishte shëtitur  lirshëm dhe vazhdimisht me fytyrë të qeshur. Shumica e njerëzve e shikonin me habi dhe kureshtje. Çuditërisht,  i përngjante pikë për pikë Enver Hoxhës, prijësit komunist të Shqipërisë, i cili kishte vdekur më 11 prill të vitit 1985. Madje kishte rastisur që ai të mbante   edhe veshjen pranverore të kohës së tij. Me flokët e krehur, fytyrë të rruar tërë sharm, shëtiste shkujdesur nëpër sheshin kryesor të kryeqytetit. Kishte një shikim kuptimplotë e serioz. Edhe gjatësia e mosha i akordonin Enverit të viteve 50-60…

– Mor, po me kë po më përngjan  ky njeri, i drejtohet shokut të tij një burrë rreth të shtatëdhjetave.

– Edhe unë po e shikoja, Enveri i gjallë!

– Çudi çfarë ngjashmërie!

Epo mund të jetë ndonjë aktor, mbase po gjirojnë ndonjë film, thotë burri më i moshuar duke shikuar përreth mos po shihte ndonjë ekip filmuesish.

– E sheh, edhe të tjerët po e shikojnë me habi dhe kureshtje.

– Mami, mami, ja ky xhaxhi, sa përngjet me atë partizanin e gjyshit, që e mbanë në kornizë, shiko mban edhe kordelen e kuqe në qafë…

– Do jetë ndonjë aktor filmi, xhan, nuk është ai.

Një burrë rreth të dyzetave iu kishte qepur pas, mbase nga kureshtja apo thjesht ecte krahas tij, pa vëmendje, pa i bërë përshtypje.

Dy pleqtë, Kiço Kosta dhe Beqo Fejzua kishin bërë tutje drejt një tavoline nën hijen e një pishe në hyrje të hotelit, përballë sheshit. Dukeshin të hutuar dhe asnjëri nuk po arrinte ta bindte veten se njeriu që e kishin parë, ishte vetë figura e gjallë e Enver Hoxhës. Pasi kishin pushuar pak dhe kishin pirë ujin, që iu kishte sjellë kamerieri, Kiçua sërish kishte shprehur habinë e tij.

– Si vete kjo djall bote. Mbase e kemi nga pleqëria, Beqo. Kujtdo t’ i tregojmë se kemi parë Enver Hoxhën në sheshin e Tiranës, do pandehin se kemi luajtur nga mendja, se na kanë rrjedhë trutë.

– Po ama e pamë, me tesha veshur, si i thonë fjalës. Me mantelin e pranverës, me kordelen e kuqe në qafë, e pamë të tërin, madje kemi dëshmitarë njëri-tjatrin.

– Nuk më shqitet nga përfytyrimi. Mirë e ke,  mund edhe të kemi luajtur, po ama raki nuk kemi pirë, lerë që ti nuk e pi fare, por as unë, kur u zgjova sot nuk e piva atë gotën e vogël, sikur bëj zakonisht. Që kur më la Ollga, as rakia nuk më pihet më, si në kohët e kaluara.

Në tavolinën përballë dy pleqve që nuk po arrinin  ta bindnin veten se vërtet e kishin parë Enverin, apo iu kishin bërë sytë,  ishte ulur një çift, burrë e grua rreth të gjashtëdhjetave.

– E patë Enverin ju, kaloi këndej pari? – iu drejtohet gruaja me habi dy pleqve që rrinin si të hutuar mbase edhe nga vapa që kishte filluar ta kaplonte Tiranën qysh në orët e para drekës.

– Lëri përrallat oj grua, se luajte mendsh ti nuk ka lojtur bota, thotë burri që ishte ulur në tavolinë me të.

– Ja mor të uruar, iu drejtohet iu dy pleqve, që ia kishin zgurdulluar sytë gruas.  Jam në hall me të. Ishte duke më pritur këtu te Sheshi dhe thotë se e ka parë Enver Hoxhën. Deh, o dreq, po si i ra në mend se…

– Edhe ne e pamë, por ama nuk po u besojmë syve. Tani që u bëmë tre, kjo punë do parë me themel, thotë Kiçua.

– Lëre xhaxha, mos ia fut kot edhe ti, dukesh plak serioz, por me mend të grave.

– Me këto mendtë dhe sytë  tonë,  unë, Kiçua vetë dhe ky Bequa, miku im, sot në shesh, ja andej kah “Skënderbeu” kemi parë Enverin, ose një aktor filmi i ngjashëm qind për qind me te. Edhe pse pleq shikimin me syzet e kemi në rregull, ama.

Në çast kishte arritur kamerieri i cili kishte dëgjuar për meselenë. Ai i kishte ofruar lëngjet e porositura çiftit, përballë të cilit ishin ulur dy pleqtë.

– Për Enverin po flisni edhe ju?

– Për atë, po edhe ti paske dëgjuar?

– Të gjithë po flasin. Të gjithë thonë se në shesh e paskan parë Enverin. Duhet të jetë ndonjë rreng i ndonjë aktori, apo i ndonjë mashtruesi sa për ta tërhequr vëmendjen e njerëzisë.

– Të thashë, pra, hëm çdo të thuash tani, iu kishte drejtuar gruaja burrit, i cili nuk donte të besonte se ishte ngjallur Enver Hoxha, apo ndokush kishte bërë ndonjë shaka për qëllim të caktuar.

– Vetë Enveri, o xhaxhi, edhe ju e paskeni parë!

Gruaja i kishte përshkruar me hollësi tiparet, madje meqë thoshte se i kishte kaluar pranë, tregonte sesi asaj iu kishte kthyer përfytyrimi i kohës së rinisë, kur kishte shkuar në aksion, madje para nisjes për në Rogozhinë, në tubimin e madh popullor, ai i kishte përshëndetur me grushtin lart.

– Po të kishte qenë  Enveri si thoni ju, njerëzia do ta kishin zënë për fyti dhe do ta kishin dërguar në Komisariat.

– Po kush do të guxonte ta arrestonte? Besoj se edhe policët e panë, por u bënë sikur nuk panë gjë. Ata kishin frikë nga Enveri i vdekur, e pale tani që u ringjall. Eci lirshëm burri i botës, nuk kishte armë, nuk kishte përcjellës. E panë të gjithë…

– Djall o punë, thotë burri me mustaqe, i cili kurrsesi nuk po bindej. Nuk ishte Krisht apo profet, që të ringjallet. Për më tepër ishte i pa fe, ishte ateist, ai nuk besonte Zotin. Ai mbylli kisha e xhamia. Dhe, si thoni ju, Zoti ta ketë zgjedhur atë për ta ringjallur? Kjo nuk shkon.

– Merre shtuar or mik. Ne e kemi parë Enverin edhe kur ishte gjallë, mandej kur vdiq morëm pjesë në komemoracion dhe në varrim. E pranoj se edhe kam qarë me lot si të gjithë. Por sot, edhe nëse nuk ka qenë Enveri, ne pamë një burrë që përngjante qind për qind me të. Ja këtë po e vërteton  edhe kjo nusja jote.

– Ç’nuse na qenka kjo, njëjtë me mendjen  e dy pleqve që kanë parë Enverin  tridhjetë vjet pas vdekjes.

– Po kamerieri?

– Ai nuk e pa vetë, me të dëgjuar e kishte… nga të tillë si ju. Pa lëreni atë djall punë se na çmendet. U ngjall Enveri thonë. O bubu…

Në mbrëmjen e asaj dite të nxehtë pranvere në tërë Tiranën ishte përhapur fjala se nëpër midis të sheshit kishte shëtitur fill i vetëm, Enver Hoxha, ose ndonjë mashtrues i veshur i maskuar, ndonjë cirkusant me mjeshtri të përkryer, mbas edhe pa ndonjë qëllim të caktuar. Meqë ishte 30-vjetori i vdekjes, di kush thuhej se kishte improvizuar Enverin e gjallë, duke shëtitur rrugëve të kryeqytetit. Të gjitha përshkrimet e kalimtarëve të rastit, të cilëve iu kishte rastisur që në orët e mesditës të kishin kaluar në sheshin Skënderbeu, rrëfenin se kishin parë Enverin, të gjallë dhe jo foton apo ndonjë vizatim. Ata që e kishin parë, insistonin të tregonin se nuk e kishin parë ëndërr, por kishin parë vetë Enverin apo dubletin e tij. Të tjerët që nuk e kishin parë, jo vetëm që nuk e pranonin një mundësi të tillë, por as interesoheshin fare të zgjatej biseda lidhur me atë ngjarje, për të cilën shumica pranonte se mund të kishte kurdisur, ndonjë enverist i çmendur me rastin e 30-vjetorit të vdekjes. Dyshimet drejtoheshin nga Kosova. Atje, ende rronte Enveri në mendjen e shumë njerëzve. Madje, atje ishte edhe një organizatë që merrej me mbrojtjen e figurës së Enverit. Thuhej se dikush nga ai mes mund ta kishte provokuar opinionin për një qëllim të caktuar.

Të nesërmen në mëngjes, lajmin e kishin përhapur edhe gazetat, por ama nuk kishte filmuar askush. Shumë gazeta e portale kishin afishuar foto të ndryshme të Enver Hoxhës. Një kamerë sigurie e një restoranti, kishte vërtetuar lajmin. Disa orë më vonë pronari kishte nxjerrë një foto krejtësisht identike. Dikush kishte manipuluar me figurën e Enver Hoxhës. Shumica e njerëzve, të cilëve iu kishte rastisur ta kishin parë, i bindeshin faktit se dikush kishte krijuar  një dublet, sikur ata në filma. Thjesht një manipulim me qytetarët.

Vetvetiu ishin shtuar pyetjet, kush e bëri, përse e bëri dhe me çfarë qëllimi?

Përgjigjet e sakta, ishin po aq të vështira sa edhe besimi i verbër se qytetarët e kishin parë të gjallë Enver Hoxhën, madje duke shëtitur nëpër rrugët e Tiranës,  30 vjet pas vdekjes. Në dukje kjo ishte çmenduri, por ishin qindra veta që dëshmonin se kishin parë një njeri krejt identik me të.

Paraqitja e befasishme e figurës së Enver Hoxhës në sheshin e Tiranës kishte marrë përmasa të jashtëzakonshme. Po atë ditë, në mbrëmje, thuhej se ishte parë në Xhaminë qendrore të Et-hem Begut,  në Tiranë, ku së bashku me besimtarët kishte falur namazin e akshamit. Vetë imami në rastin kur ishte kthyer nga xhemati për ta kënduar lutjen e fundit të namazit, e kishte vërejtur për herë të parë njeriun, identik me Enver Hoxhën. Nuk i kishte dhënë rëndësi rastit, i bindur se ishte në pyetje një ngjashmëri, por në dalje të xhamisë kishte dëgjuar se rasti po përflitej. Madje dy pjesëtarë të xhematit, që cilëve iu kishte rastisur të ishin falur afër tij, as namazin nuk e kishin kryer si duhet duke shikuar herë pas herë  njeriun, që për herë të fundit, 30 vjet më parë  i kishin parë edhe  arkivolin.

Fakti se ai zhdukej në moment, bënte që njerëzit të flisnin me rezervë dhe me shumë dyshime.

– Po ç’ deshi këtu në xhami, ai? – kishte pyetur imami.

– Nuk ishte Enveri hoxhë efendi, do ketë qenë ndonjë mashtrues, ndonjë dublet. Se pak mashtrues ka sot? Kishte të tillë edhe në kohën e Enverit, po ama ai ua thyente kurrizin. Tani jemi bërë të gjithë mashtrues, gënjeshtarë, kishte thënë një pjesëtar i xhematit, i cili nuk besonte në shfaqjen e papritur të Enverit.

– Mund të ketë qenë “Dexhalli” në figurën e tij, thotë hoxha mendueshëm, para shumë besimtarëve që po komentonin shfaqjen papritur të figurës së Enver Hoxhës. Kjo është shenja e fundit e Kiametit.

Hoxha kishte filluar të pëshpëriste një lutje në gjuhën arabe, ndërkohë që njëri prej besimtarëve i kishte kërkuar atij më shumë shpjegime për Dexhallin.

– Fjala  dexhall në gjuhën arabe do të thotë mashtrues, mbulues i së vërtetës. Është një njeri i madh me një sy, i cili pretendon të jetë vetë Zoti. Ardhjen e tij e ka paralajmëruar vetë profeti ynë Muhamed, madje si shenjën më të dukshme të ardhjes së Kiametit. Të krishterët e quajnë Antikrisht.

– Tamam ashtu duhet të jetë. Enver Hoxha ishte mashtrues dhe ateist, po njeriu që pamë ne  në xhami kishte dy sy.

– Fakti se  e kemi parë figurën e tij me dy sy, është i vërtetë, por në ditët në vijim, pasi t’ i ketë tubuar pasuesit e vetë, ai do të paraqitet me një sy. Ashtu thuhet.

– Nuk po na shqitet Enveri. Menduam se e varrosëm përgjithmonë dhe ja tani ai na vjen si Dexhall.

– Si e ka shkruar All-llahu do të bëhet, thotë hoxha, i cili kishte filluar ta bindte veten se, paraqitja e Enver Hoxhës në Tiranë, në 30-vjetorin e vdekjes, kishte të bënte me paralajmërimin e fundit të ardhjes së Kiametit.

Lajmi kishte marrë dhenë. Njerëzia kishin deponuar të dhëna edhe në Komisariatet e policisë për të vërtetuar vendet ku e kishin parë, kohën e saktë  dhe ndonjë përshtypje apo habi që kishin shfaqur njerëzit. Krye-komisari kishte kërkuar nga vartësit e tij që të hartonin sa më parë një komunikatë për shtyp, në mënyrë që t’i bëhej e ditur opinionit se ngjarja rreth paraqitjes së njeriut në figurën shumë të ngjashme me Enver Hoxhën po hetohej, pasi të verifikoheshin qindra dëshmi të atyre që pretendonin se e kishin parë. Paraqitja e tij ishte filmuar edhe në kamerat e ndryshme të Sheshit. Dikush  po i manipulonte njerëzit për qëllime të panjohura…

Gazetari Fe-ziu, i cili bënte kujdestari  për afera të ndryshme kontroverse konspirative, që ishte ushqimi i tij i degjeneruar, shpirtëror, pa vonuar kishte ftuar disa “figura të njohura” në emisionin e tij “Opinion” për të debatuar lidhur me paraqitjen e befasishme të Enver Hoxhës, edhe pse atij nuk i kishte rastisur ta shihte. Ai nuk iu kishte telefonuar anëtarëve të familjes së Enverit, meqë kishte shkruar një libër të mbushur me gënjeshtra për të dhe familja kishte reaguar publikisht për  deformimet e tij. Mirëpo, kishte ftuar personin që kishte marrë pjesë në rrëzimin e bustit të Enverit  dhe që nga disa  “pranohej”  si hero, madje edhe me dekoratë të Presidentit, për  sikur thuhej, veprën e tij “patriotike”.

Fe-Ziu Kishte ftuar si zakonisht  opinionistin, Tos-luba, pastaj Hale-matin dhe Bato-batën nga Kosova, shkrimtarin Ben-benushi dhe hoxhën Zijaver, i cili do të dëshmonte se Enveri ishte falur namazin në xhaminë, ku ai ushtronte detyrën e imamit. Ai ishte i vetmi në mesin e tyre, i cili e kishte parë figurën e tij. Opinionistët e tjerë nuk e kishin parë, por gjatë disa ditëve  kishin dëgjuar lajmin sensacional madje edhe nga më të afërmit e tyre.

Gazetari Fe-ziu, në fillim i kishte bërë një paraqitje të gjithanshme fenomenit, por meqë nuk e kishte parë vetë Enverin, kishte hedhur dyshimet si gjithnjë të karakterit konspirativ, se shërbimi sekret i PD-së kishte dubluar figurën e tij me urdhër të  Sali Berishës, me qëllim për “ta ngjallur gogolin komunist”, meqë në zgjedhjet e fundit kishin fituar forcat politike socialiste dhe ishin disa nga ata që e kishin afishuar portretin  e Enverit nëpër ceremoni e festa të ndryshme të veteranëve.

Udhëheqësi i debatit, pas paraqitjes euforike herë-herë edhe me elemente groteske, për fillim fjalën ia kishte dhënë imam, Zijaverit, meqë ai e kishte parë të falej në xhami.

-Më vjen mirë që keni organizuar këtë debat, kishte filluar paraqitjen e tij Hoxha dhe shpresoj  se  kjo ngjarje e befasishme do të trajtohet si duhet. Po jetojmë në një kohë tepër të vështirë, ku gënjeshtra, mashtrimi, dhuna, vjedhja, plaçkitja, amoralitet, droga prostitucioni, vëllavrasja, hakmarrja, mbytjet e përditshme në trafik, vrasjet ndër më të shëmtuarat  janë shumuar aq shumë, aq sa, ne besimtarët nuk kemi si të mos mendojmë se po afrohet dita e kiametit. Dhe një shenj i madh i afrimit të kësaj dite është edhe paraqitja e Enver Hoxhës, për mendimin tim si paralajmërim për ardhjen e njeriut me një sy, Dexhallit, sikur shkruan në Kuran.

– Mos ia fut kot hoxhë, mos mbaj ligjëratë këtu, por thuaj e ke parë apo jo Enverin, si e ke parë, përse nuk e ndalove, përse nuk urdhërove xhematin ta kapin gjallë, ndërhyn në fjalë Tos-luba me prepotencën e tij të sëmurë, gjithnjë  skizofrenike.

– Ju lutëm, me radhë, do ta kesh fjalën, premton drejtuesi i emisionit.

– Më vjen keq për gjuhën që po përdor, sepse unë nuk ia fut kot sikur ti, por po e shfrytëzoj të drejtën, për ta thënë fjalën time, që ma dha udhëheqësi i emisionit, i drejtohet imami.

– Mirë de atëherë fol, por mos trego dokrra.

– Nuk kam dyshim se ishte Enveri, sepse Dexhalli ndërron format, mund të bëhet njeri, madje edhe kafshë. Ditën e fundit do të shihet si figurë me një sy, si katallani apo ciklopi i përrallave antike. Edhe paraqitja reale,  fizike e Enver Hoxhës, sa ishte në krye të Shtetit ishte një Dexhall, ishte paralajmëruesi i shkatërrimit të botës, por Allahu e ndaloi të bënte hapa më tej. Pikërisht sepse ishte Dexhall  ai e izoloi dhe e shkatërroi Shqipërinë…

– Kjo sikur ma mbush mendjen, thotë Ben-benushi. Nuk kam dëgjuar për atë Dexhallin, por e di se duhet të jetë si Antikrishti. Enveri ishte antikrisht, ç’  është e vërteta në kohën e tij ishim të gjithë si ai, madje edhe ky Tosi e shumë të tjerë, por në këtë pikë pajtohem me hoxhën. Megjithatë më duhet t’i japë vërejtje Fe-ziut se nuk e ftoi Prift-Janullën, i cili do të jepte më shumë shpjegime. Ke ftuar një hoxhë por nuk ke ftuar edhe një prift!.

– Zotërinj të nderuar. E kam ftuar hirësinë e tij por ai nuk ma hapi telefonin. Në një mesazh i  thashë se do t’ ia puth dorën, publikisht  po të vinte,  por ai si duket  nuk begenisi…

– Kur ishte gjallë ti dhe disa nga ju ia keni puthur edhe Enverit, ia kthen Tos-Luba i inatosur.

– Po ashtu duhej ta kishit ftuar një anëtar të Partisë Komuniste, apo një të afërm të Enverit, apo ndonjë enverist nga Kosova. Nëse është e vërtetë se është ringjallur, ai duhet të fshihet të shtëpia e tij, te bashkëshortja plakë, apo te bijtë, apo te enveristët e Kosovës, diku duhet të jetë.

– Disa nga ata që po i numëroni  nuk pranuan të marrin pjesë, sepse konsiderojnë se është një shpifje-shpikje e radhës, e imja dhe e armiqve të Enverit. Si komunistë që janë, ata nuk besojnë në ringjallje. Mbase këtë e bëjnë me qëllim për ta hequr dyshim në ringjalljen e tij, shpjegon, Fe-ziu.

-Kam bindjen se ne edhe si komb kemi filluar të matufosemi, mbase jemi shthurur totalisht,  thotë Tos-luba. Kemi këtu një hoxhë, që thotë se e ka parë Enverin në xhami, por nuk ka asnjë fakt real, asnjë dokument që flet për këtë. Na tregon përralla të Kuranit për një dexhall, sado që në mënyrë metaforike mund ta pranoj vetëm krahasimin që i bëhet Enverit me një bishë biblike, le të jetë edhe e kuranit, si i thoni ju. Por, të jetë ngjallur Enveri dhe të ketë shëtitur rrugëve të Tiranës, kjo është absurde. Ku është shteti, policia, ku janë ata që e kanë parë dhe nuk e kanë ndaluar? Këtë ma tregoni nëse e di ndokush nga ju?

– Për të shpjeguar këtë jeni të ftuar sonte këtu. Ju lutëm nga regjia më bëjnë të ditur se kemi një telefonatë. Alo. Po, po, drejt në emision, po debatojmë për paraqitjen e Enverit…

Si the, ti je Enveri? Po, po, p’ si është e mundur? Hej… hej.. Trotil thua? 10 kilogramë trotil në hyrje të studios….

Lajmi nga telefoni kishte alarmuar Fe-ziun dhe të ftuarit, të cilët kishin filluar me vrap të në panik të largoheshin  nga studioja duke e shtypur njëri tjetrin. Më se keqi kishin pësuar Tos-luba dhe Hale-mato, meqë të ftuarit e tjerë, më të fuqishëm i kishin shtypur dhe shkelur në dalje. Madje edhe Imami kishte kaluar mbi trupat e tyre, në përpjekje për t’u larguar sa më parë nga studioja, e cila pritej që nga çasti në çast të hidhej në erë…

Vijon

Kontrolloni gjithashtu

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Me rastin e festave të nëntorit, si dhe në  shenjë të përkujtimit të datë së …