Zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021 qenë më se të rregullta dhe shumica e sovranit popull e shprehu vullnetin dhe e dha votën e tij për Partinë Socialiste.
Zgjedhjet e 25 prillit të këtij viti kanë qenë zgjedhjet më të rregullta, që janë zhvilluar deri tani. Partitë politike bënë fushatat e tyre, ku shpalosën strategjitë e projektet për një periudhe 4-vjeçare. Pati parti, që bënë shumë premtime të pabazuara në realitetin objektiv tek zgjedhësit, apo hodhën shashka në erë dhe, për çudi, kryetari i Partisë Demokratike prezantohej si kryeministër. Donkitoshizëm i kohëve moderne!!!
Partia Demokratike që nga krijimi i saj është udhëhequr e vazhdon të udhëhiqet nga filozofia e destruksionit e jo e ndërtimit dhe progresit:
1.Në vitet 1991-1992 kreu i Partisë Demokratike orientoi e urdhëroi, që të zhduket çdo gjë komuniste, ku u shkatërruan të gjitha Uzinat e Kombinatet, Fabrikat e Ndërmarrjet Ekonomike, Institucionet Arsimore e Artistike, Kulturore, Muzetë e Arkivat, Institucionet Shëndetësore, Ndërmarrjet Bujqësore e Institutet e bujqësisë, sa arritën edhe të presin pemët, sepse i etiketuan edhe pemë frutore si komuniste. Një çmenduri e absurditet i vërtetë apo një vepër kriminale e tradhti e madhe kombëtare???!!! Për të nxitur e inkurajuar turmat për shkatërrimin e gjathçkaje, që ishte krijuar e realizuar për 45 vjet me djersën e mundin e tri brezave shqiptarë, krerët e Partisë Demokratike propaganduan të ashtuquajturin “çeku i bardhë”!!!??? E shndërruan Shqipërinë në treg të shtrenjtë shitjeje për fqinjët e vendet e tjera të Europës, që sollën mallra ushqimore të skaduara, që kanë lënë pasoja shëndetësore tek shqiptarët si përhapjen e diabetit, të infarkteve edhe në moshat e reja, të morbiditetit etj.. E kthyen Shqipërinë edhe në vendin e krahut të lirë të punës për të huajt.
- Në vitin 1997 kreu i Partisë Demokratike shkërmoqi shtetin e shkatërroi ushtrinē shqiptare dhe nxiti zhvillimin e luftës civile Veri-Jug, për të na përçarë ne shqiptarëve. Nga ato ngjarje të trishtuara e të dhëmbshme u paraqit një imazh mesjetarë e i mjeruar i Shqipërisë para botës së qytetëruar. Pikërisht në këtë situatë të jashtëzakonshme në Parlamentin Shqiptarë të rrethuar me ushtri të armatosur e tanke, z. Sali Berisha, në vend që të jepte dorëheqje, rizgjidhej president i Republikës së Shqipërisë U graduan me gradën gjeneral disa oficerë pa meritë vetëm që morën pjesë në ofensivën ndaj popullsisë së Vlorës e Përmetit. U vranë e humbën jetën mijëra shqiptarë të pafajshëm. Megjithëse koha e vitet kalojnë, por shqiptarët, që kanë provuar dhembje, nuk harrojnë.
- Në vitin 1998 krerët e Partisë Demokratike tentuan të bëjnë grusht shteti, dogjën Institucionin e Kryeministrisë, pushtuan RTSH-ën. Vetëm me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, u tërhoqën.
- Për shkak të neglizhencës së institucioneve të ngarkuara të Qeverisë të Partisë Demokratike me 15 mars të vitit 2008 ndodhi shpërthimi i madh në Gërdec, ku humbën jetën 26 njerëz dhe janë gjymtuar dhjetëra e dhjetëra persona, si dhe janë shkatërruar e dëmtuar pothuajse të gjitha banesat e institucionet e fshatit.
- Vrasja e 4 demonstruesve më 21 janar 2011 në Bulevard para Kryeministrisë nga Forcat Speciale të Gardës së Republikës, kur Partia Socialiste po zhvillonte një protestë paqësore, është një akt kriminal të drejtuesit, që ka urdhëruar dhe të atij që e ka zbatuar atë urdhër makabër, që u mori jetën 4 djemve të rinj të pafajshëm.
- Me 27 prill 2009 ish-ministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha firmosi marrëveshjen me Greqinë, ku Greqia përfitonte 354.4 km. katrore sipërfaqe ujore në detin Jon, që i përket Shqipërisë. Atë marrëveshje e anuloi Gjykata Kushtetuese dhe aktori i Partisë Demokratike që e firmosi atë marrëveshjeje nuk ka bërë asnjë lloj reflektimi prej 12 vitesh.
Me territorin tokësorë, të hapësirës ajrore e sipërfaqen detare të Shqipërisë, pushtetarët s’u lejohet të abuzojnë për t’ua dhënë fqinjëve qoftë edhe një pëllëmbë tokë e det, sepse janë të shenjta e të shtrenjta për ne shqiptarët dhe dhënia e tyre përbën tradhëti kombëtare e vepër kriminale.
Fqinjët na kanë zhvatur aq shumë territore shqiptare, sa na kanë lënë vetëm këtë Shqipëri të vogël dhe për fat të mirë u çlirua edhe Kosova nga pushtuesi serb, që Serbia përsëri kërkon të kafshojë pjesë të Kosovës. Ndërsa me ndërhyrjen e premtimet e BE për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, e detyruan Qeverinë e Kosovës të nënshkruajë marrëveshjen për kufirin me Maqedoninë, duke i dhënë 2500 hektarë tokë padrejtësisht dhe në marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi 8200 hektarë tokë të Kosovës duke përfshirë edhe malin e Çakorrit. Me këto veprime në dëm të Republikës së Kosovë BE duket i pabesueshëm për Kosovën e Shqipërinë.
Ne na takon t’ua kërkojmë ato vise, që banohen me shqiptarë e jo më të lëshojmë pjesë të tjera.. Vatanin e shqiptarëve na duhet t’i mbrojmë të gjithë ne shqiptarët!
- Abuzimet dhe vjedhjet e një pjese të fondeve të Rrugës së Kombit Durrës Morinë prej 170 km. gjatësi dhe 25-31 m. gjerësi. Ato grabitje fondesh kanë ndikuar të shtrohet traseja prej katër korsive me cilësi të dobët, të mos ndërtohen mbikalime e nënkalime, që ka shkaktuar mjaft aksidente të banorëve vendas dhe të bagëtive të tyre, mos sigurimi i anësoreve të pjesëve malore të autostradës, siç janë realizuar në pjesën Morinē-Prishtinë.
- Ish kreun e Partisë Demokratike, kur ishte kryeministër e kanë akuzuar nëpër organet e mediave si gazeta dhe emisione televizive, se ka urdhëruar arrestimin e Adem Jasharit, për të penguar krijimin e UÇK-ës, ka etiketuar UÇK-ën si terroriste, ka thyer embargon ndaj Serbisë së Milosheviçit, duke furnizuar me armë e municione dhe karburant makinën vrastare për të vrarë e masakruar vëllezërit tanë shqiptarë të Kosovës gjatë luftës çlirimtare të Kosovës nga UÇK-ja e NATO, të mbështetur nga aleatja e madhe e shqiptarëve, SHBA-ja. Pse nuk janë sqaruar, apo hetuar?!
- Partia Demokratike bashkë me aleatët e saj në vitin 2019 dogjën mandatet dhe organizuan protesta, duke rrethuar ndërtesën e Parlamentit, për të penguar hyrjen e deputetëve në seancat plenare, duke i vënë edhe zjarrin për ta djegur Selinë e Parlamentit, e cila është edhe Selia e Akademisë së Shkencave, që do të bënin një dëm kolosal tē dyfishtë, nëse nuk do ndërhynin në kohë shërbimi i zjarrfikësve. Cila mendje e mbrapshtë ka orientuar për të bërë këto akte banditeske?! Komisioni Evropian dorëzimin e mandateve e ka cilësuar kundër produktive.
Gjatë gjithë këtyre viteve opozita e kryesuar nga Partia Demokratike nuk u mor me projekte për të bërë një opozitë të vërtetë produktive, si me projekte alternative progresiste, por me grindje e konflikte, me sharje e ofeza të pafund ndaj pozitës, duke e spostuar pozicionin e rolin e saj në cingërima e mediokritete dhe duke krijuar shqetësime tek ne shqiptarët.
Partia Demokratike nuk mund të fitojë asnjëherë, nëse nuk distancohet nga personat, që kanë orientuar e realizuar veprimet e mësipërme banditeske e kriminale, nëse nuk heq dorë nga filozofia e metodologjia e shkatërrimit e të prishjes së rendit e qetësisë, nëse nuk do të bējë një rinovim të programit e të të gjitha strukturave të saj si parti e djathtë, që t’i shërbejë atdheut e kombit shqiptarë. Zgjedhësit e dëgjonin me vemendje z. Lulëzim Basha gjatë dhe tani pas fushatës dhe buzëqeshin, duke u përbetuar me vete:”Ju që ju kemi provuar, nuk do të gabojmë më për t’ju zgjedhur!”
Fatkeqësisht edhe gjatë fushatës së zgjedhjeve ka pasur të deleguar të Partisë Demokratike, që u kanë bërë presion e shantazh zgjedhësve: ”Nëse nuk votoni për Partinë Demokratike, do t’ua bëjmë si në Elbasan me atë Xhuvanin!” A mund të zihen me gojë për keq Xhuvanët?! Pjerin Xhuvani ishte një doktor shembullor e humanist i madh, stërnipi i akademikut të shquar të gjuhësisë shqiptare Aleksandër Xhuvanin me shumë kontribute për çështjen shqiptare, si dhe gjithë pasardhësit e tij të shquar. A mund të krahasohen Xhuvanët me disa politikanë, që janë me diploma të blera, apo që i ka përzënë fshati i tyre?! “Hane Shan, hane Bagdat,”-thotë populli
Në Shqipëri është krijuar një praktikë qē: Hajduti thërret, kapeni hajdutin! Krimineli bërtet, kapeni kriminelin! I korruptuari akuzon të ndershmin si të korruptuar! Injoranti me diploma të blera shanë të arsimuarin e të kulturuarin si injorantë! Eh, në ç’tollovi të madhe ka arritur vendi!!!!
Filozofinë destruktive e krijoi z.Sali Berisha, ish i emëruari i PPSH-së, që krye të Partisë Demokratike dhe Partia Demokratike i ka veshur një qyrk të madh, duke e cilësuar si sjellësin e demokracisë në Shqipëri, si të Ungjillit të Krishterimit, që e sollën apostujt nga Jerusalemi në Iliri dhe serbët historinë e lashtë të krishterimit të shqiptarëve e përvetësuan si të tyren dhe grabitën edhe monumentet e kultit iliriane.
O shqiptarë! Demokracinē në Shqipëri e solli koha, sepse u gjend në krizë politike, ekonomike, sociale gjithë sistemi socialist, duke filluar që me shembjen e Murit të Berlinit e akte tē tjera demonstrative, deri në shembjen e sistemit socialist në tē gjitha Vendet e Lindjes dhe në ish-Bashkimi Sovjetik.
Partia Socialiste me z. Edi Rama bënë një fushatë objektive, duke paraqitur, se ç’kanë bërë me tregues konkret, ç’nuk kanë bërë dhe pse, duke nxjerrë si shkaqe kryesore pasojat e tërmetit dhe pandeminë, që po i drejton me shumë preokupacion e kompetencë. Në të gjitha takimet e bashkëbisedimet kanë parashtruar projekte konkrete për katër vitet e ardhshme qark më qark e qytet më qytet, si dhe në fshatra. Fushata e Partisë Socialiste qe konkrete dhe e bazuar në kushtet konkrete të Shqipërisë.
Baza ekonomike përcakton edhe superstrukturën Partia Socialiste si parti e majtë, duhet të drejtojë degët kryesore të ekonomisë, që të jenë shtetërore si, Hidrocentralet, Minierat, Naftën, Pyjet, Autostradat dhe Albtelekomin. Drejtimi i këtyre sektorëve nga shteti, do të siguronte qè fitimet t’i merrte shteti dhe do të siguronte një nivel më të lartë jetese për shqiptarët, si dhe rritjen e pensioneve në nivelin e duhur.
Partia Socialiste duhet të bëj kujdes me mbrojtjen e monumenteve të kulturës dhe gjetjet arkeologjike, sepse dëmet, që janë bërë deri tani nuk tregojnë vetëm injorancë kulturore, por përbëjnë fajësi të rëndë kriminale, që synon të zhdukë autoktoninë e shqiptarëve e të paraardhësve tanë Iliro-Pellazgë. Bashkia e Tiranës duhet të largohet nga Kopshti Botanik, sepse është Laboratori i Fakultetit të Shkencave të Universitetit të Tiranës..
Nëse do t’i krahasoja Partitë politike secilën në mënyrë figurative si një rrap me rrënjë të thella në tokën shqiptare: Rrapi i Partisë Socialiste ka ardhur, duke u rritur e rigjeneruar, sepse vazhdimisht janë krasitur deget e thata, që pengonin rritjen e zgjerimin e mëtejshëm
Ndërsa tek rrapi i Partisë Demokratike nuk është bërë asnjë krasitje. Partia Demokratike nuk është distancuar nga njollat kriminale të së kaluarës dhe aktorët e atyre akteve, që i parashtrova më sipër.
Lëvizja Socialiste për Integrim ka devijuar si parti e majtë dhe ka zhgënjyer anëtarët e saj, tē cilët vazhdojnë t’i largohen.
Lëvizja e Vetvëndosjes, ndonëse nuk fituan dy kandidatët e saj, është një Parti, që ka të ardhme në të gjitha trevat shqiptare, sepse programi i saj përfshinë vendimet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1978 dhe vendimet e Konferencës së Bujanit 31 dhjetor 1943-2 janar 1944 në kushtet e reja të Kosovës së çliruar.
Po i bëjmë thirrje opozitës, të heqë dorë e të largohet nga veprimet banditeske shqetësuese për popullin shqiptarë, të njohë zgjedhjet dhe të ripërtrihet për t’u kthyer në parti vizionare e progresiste në interes të Shqipërisë, duke larguar nga gjiri i saj fantazmat e vjetra kriminale. Mos kërkoni më përsëritje të zgjedhjeve, sepse s’keni arsy të ribëhen dhe pse rëndojnë mbi kurrizin tonë popull si taksapagues! Nëpër komisionet kishit komisionerët tuaj, që kanë firmosur e vulosur materialet zgjedhore. Çfarë kërkoni të bëni???!!!
Gjithë përpëlitjet e opozitës tani pas zgjedhjeve bëhen për të penguar ecjen përpara me ritme më të shpejta të Shqipërisë dhe hapjen e bisedimeve të Shqipërisë me BE.
Tefta Cami-ish-ministre e Arsimit dhe Kulturës
Tiranë, 9 maj, 2021