20 Maji njihet ndryshe si dita e fëmijëve jetimë, por vitet e fundit kjo është kthyer në formën e festës dhe ku fëmijëve i dhurohet diçka, por më shumë se dhurata Institucioni Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë kërkon mbështetje nga qeveria për të përmirësuar dhe ndihmuar gjendjen ku ndodhen këta jetimë. Nëpër media është folur shumë, por nisma nuk janë marrë, duke i lënë këta fëmijë në mëshirë të fatit. Çdo ditë nëpër rrugë të Tiranës dhe jo vetëm, ne shohim fëmijë që kërkojnë lëmoshë nga kalimtarët. Ndaj dhe 20 maji shënohet si një ditë Apeli ndaj qeverisë dhe institucioneve bamirëse apo dhe individëve. Një ditë ku ndoshta pakkush e di dhe pakkush ka menduar të bëjë diçka për këtë kategori fëmijësh. Pra është dita e atyre që rrallë u gëzon shpirti, rrallë u qesh buza, shumë rrallë ndjejnë një dorë të ngrohtë mbi supet e njoma. Aktualisht në Shqipëri ka 31 mijë fëmijë jetimë. Të vetëm në rrugët e jetës, të vetëm në ditë festash, të vetëm në qarjen e halleve, ata, për të arritur diçka më minimale kanë sfiduar jetën, kanë sfiduar hallet, duke i thënë vetes stop, mjaft me ndihmën mjerane të shtetit, të shtetarëve inidiferentë, por investo vetë për të qenë dhe ti pjesë integrale e shoqërisë.
Historia e jetimoreve në Shqipëri
Historia e jetimoreve në Shqipëri nis rreth 109 vite më parë, kur vendi sapo kishte fituar pavarësinë. Siç dihet, Shqipëria përjetoi trazirat e luftrave ballkanike dhe pastaj të Luftës së Parë Botërore, kur ajo u pushtua nga ushtritë ndërluftuese: në Shqipërinë e Veriut dhe në një pjesë të asaj të Jugut u vendosën trupat austro – hungareze, në atë jugperëndimore ashtria italiane dhe në atë juglindore (kryesisht në Korçë) trupat e ushtrisë franceze. Të gjithë thonin se nuk kanë ardhur si pushtues, se i respektonin shqiptarët dhe për të fituar simpatinë e tyre dhanë ndonjë përkrahje për shkollat shqipe, madje ndihmuan për të hapur edhe jetimoret e para për fëmijët shqiptarë të familjeve të dëmtuara nga luftërat.
Jetimorja e parë në Shqipëri
Jetimorja e parë në Shqipëri u krijua më 28 Nëntor 1917 në Tiranë me inisiativën e prefekturës e të bashkisë së Tiranës dhe me përkrahjen e autoriteteve austriake. Ajo në fillim u vendos në teqenë e Sheh Dyrit. Menjëherë pas luftës, për pajisjen e godinës së jetimores ndihmoi kryqi i kuq Amerikan. Jetimorja më pas u quajt “Strehë Vorfnore”. Në fakt, sipas dokumentave të kohës, inisiatori, ideatori dhe themeluesi i Strehës së Parë Vorfnore në Shqipëri është diplomati dhe një ndër personalitet e shquara të kohës, z. Rauf Fico, në atë kohë Nënprefekt i Tiranës dhe Durrësit. Inisiativa për ngritjen e Strehës i lindi nga vdekja tragjike e një djali jetim 5 vjeç, refugjat nga Dibra, të cilin dy xhandermarë austriakë ia kishin sjellë në zyrën e tij, një mbrëmje më parë së bashku me të motrën e tij 4 vjeçe. Të dy fëmijët i kishin gjetur në fshatin Farkë të Tiranës, duke ngrënë bar. Atë mbrëmje z. Fico, në rolin e nënprefektit therret hoxhë Zyber Hallullin dhe Mytesim Këlliçin, dhe u kërkon atyre që t’ju sigurojnë një vend sa për atë natë për fjetje dhe pak ngrohje dhe bukë. Të nesërmen në mëngjes, z. Fico, merr lajmin se njëri prej tyre, djali 5 vjeçar nuk mundi të mbijetoj. Kjo ngjarje, tregon në kujtimet e tij z. Rauf Fico, “më prishi nervat, e më çqetësoi për së tepërti, mbasi dhe vetë kasha djemtë e vegjël dhe familjen në Gjinokastër, më dukej se edhe ata po vuajshin po me këtë mënyrë…” *1) Dokumenti mban datën 03.Tetor.1937, dhe është letra që Z. Rauf Fico, i dërgon Drejtorit të Përgjithshëm të Kryqit të Kuq të asaj kohe, z. Haxho Shkoza. Kështu, 95 – vjet më parë, ra kambana për të ngritur lartë moralin shqiptar. Krijimi i Strehës së Parë Vorfnore në Shqipëri, ishte aksioni më u ngutshëm në atë kohë të rëndë që kalonte vendi. Tirana dhe e gjithë Shqipëria, nuk mund të harrojnë kurë bamirësit e mëdhëjnë fisnik, si Themeluesin e Strehës së Parë Vorfnore Rauf Fico, Mytesim Këlliçi, Zyber Hallulli, etj.
Aktualisht
Historia e Strehës së Parë Vorfnore nuk do të ishte e plotë dhe nuk do të kishte kuptim pa përfshirë edhe ato periudha të mëvonshme po aq të rëndësishme që sollën një revolucion të madh në përhapjen dhe modernizimin e shumë institucioneve të tilla simotra në shumë qytete të Shqipërisë, si në Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Elbasan, Pogradec, Fier, Gjirokastër, Vlorë, Sarandë, etj. Këto institucione shërbyen dhe ende vazhdojnë të shërbejnë deri në ditët e sotme për edukimin mirërritjen dhe mbrojtjen sociale të asaj kategori fëmijësh që për shumë arsye janë të privuar nga mungesa e prindërve dhe mos pasja e familjes së tyre biologjike.
Megjithë orientimet e reja që jetimoret të kthehen në strehë të përkohëshme për fëmijët jetimë e të braktisur, të cilëve duhet të gjendet një familje, akoma qindra fëmijë të tillë në Shqipëri janë të detyruar të rrinë me vite në këto institucione.
Në jetën e shoqërisë shqiptare sot kanë lindur probleme të mprehta sociale, si papunësia, polarizimi social, rritja e kriminalitetit, emigracioni, lëvizja e pakontrolluar e popullsisë brenda vendit, prishja e lidhjeve familjare tradicionale, rritja e divorceve dhe e numrit të fëmijëve të mbetur pa kontroll prindëror, tronditja e normave morale të mëparshme.
Këto dhe të tjera arsye, kanë bërë të mundur që në dhjetëvjeçarët e fundit në Shqipëri është rritur numri i fëmijëve jetimë, sidomos i të quajturve jetimë social, ose “të fshehur”. Shaku duhet kërkuar te vështirësitë e jetesës në shumë familje, te dobësimi i bazave morale të këtyre familjeve, te ndryshimi në marrëdhëniet me fëmijët. “Në Shqipëri nuk ka ende një interesim aktiv e konkret të familjeve për mbrojtje e përkujdesje ndaj fëmijëve jetimë e të braktisur. Të gjithë shqetësohen dhe rendin pas halleve të ditës, për të kapërcyer vështirësitë e jetës, për të çarë në ekonominë e tregut, një pjesë tjetër për të jetuar me komoditete të reja, të tjerë për të përballuar vështirësi të reja. Një pjesë e madhe e njerëzve mendojnë se në të ardhmen fëmijët jetimë duhet të jenë vetëm nën përkujdesjen e shtetit dhe të fondacioneve bamirëse, dhe vetëm rreth 1/ 3 mendojnë se këta fëmijë duhen birësuar nga familje shqiptare dhe ato të huaja. Megjithëse dhjetëvjeçarët e fundit ka patur birësime në familjet shqiptare, ende nuk ndjehet ai humanizëm dhe ajo kulturë e nevojshmepër ti marrë në mbrojtje dhe për ti trajtuar këta fëmijë, nisur nga koncepti “pse të rrisë unë një fëmijë kur për të nuk kujdesen prindërit?!”. Në Shqipëri, ende nuk po zbatohen si duhet format e ndryshme të përkujdesjes mbi fëmijët jetimë dhe të braktisur, që në vendet e tjera të Evropës Lindore ekzistojnë që prej shumë kohësh. Shteti sot, realisht i ka të kufizuara mundësitë financiare për mbështetjen sociale. Por, edhe fondacionet e shoqëritë bamirëse nuk mund të marrin persipër gjithë barrën e përballimit të këtij problemi. Nqs në regjimin komunist kishte 25 mijë fëmijë jetimë, sot kemi 31 mijë”, deklaron z. Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë.