Besim Isa Vitia (12.7.1969 – 20.4.1999)

Besim Isa Vitia (12.7.1969 – 20.4.1999)

Besimi u lind më 12 korrik të vitit 1969 në fshatin Viti të Marecit, komuna e Prishtinës, nga prindërit Isë e Nazife Vitia. Shkollën fillore e kreu në vendlindje me sukses të shkëlqyeshëm. Ka kryer dy vite të shkollës së mesme ekonomike. Për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike iu desh ta ndërpresë shkollimin e mëtejmë.
Besimi rrjedh nga një familje fshatare, por të brumosur me ide kombëtare.Gjyshi i tij, Abaz Vitia, ka qenë pjesëtarë i Luftës Antifashiste si edhe shumë fshatarë të Marecit.
Babai i tij, Isa që nga viti 1969 ishte punëtor krahu në ndërmarrjen ndërtimore industriale “Ramiz Sadiku” në Prishtinë. Si punëtor ai kishte marrë pjesë në të gjitha demonstratat prej vitit 1968 e deri te protestat studentore të vitit 1997.
Besimi, sidomos nga shembulli i babait të tij, nuk e pati të vështirë që të kuptojë se populli shqiptar kurrë s’do të pajtohej me politikën diskriminuese dhe vrasëtare të Serbisë kundër Kosovës.
Në vitin 1995 babai i Besimit Isa largohet dhunshëm nga puna, kështu gjendja ekonomike e familjes rëndohet shumë. Besimi gjithnjë ishte në shënjestër të policisë serbe, disa herë ishte marrë në pyetje në stacionin e Kodrës së Trimave, në Prishtinëpor edhe disa herë ishte përleshur me policinë dhe iu kishte ikur.
Në vitin 1992 kapet nga polici Zoran që vepronte në Kodrën e Trimave në Prishtinë dhe dërgohet në polici dhe gjykata komunale e dënoi me 60 ditë burg, të cilat i mbajti në burgun e Prishtinës.
Besimi prej vitit 1992 ishte anëtar i UNIKOMB-it. Gjendja e rëndë e familjes gjithnjë e më shumë po rëndohej andaj Besimi, për ta siguruar ekzistencën e familjes zë punë në ndërmarrjen ndërtimore MABETEX, e cila kishte marrë punë në Rusi. Besimi në këtë ndërmarrje punoi prej prillit të vitit 1997 e deri në nëntor të vitit 1998.
Shokët e Besimit, Rrahaman Haxholli, Tefik Gërbeshi e ca të tjerë dëshmojnë se ai trupin e kishte në Rusi, ndërsa mendjen dhe zemrën e kishte në Kosovë. Shokëve të vet të punës, atje në Rusi çdo ditë iu kishte thënë: “Të kthehem sa më parë në Kosovë dhe t’u bashkohem luftëtarëve të lirisë. Edhe pse kemi dhënë nga 1000 marka gjermane për UÇK-në kjo nuk është asgjë, ne i duhemi tash Kosovës atje ku po luftohet barbaria serbe.”.
Në nëntor te vitit 1998 e lëshoi punën dhe u kthye në Kosovë.
Sapo erdhi në vendlindje u takua me disa shokë të vet he pa u hamendur fare gjeti vendin në radhët e Gueriles BIA të kryeqytetit. Në këtë formacion Besimi njihej me emrin “Quqa”. Që nga data 20 nëntor 1998 kreu detyra më rëndësi në njësinë speciale të “Skifterave”, që ishin të vështira dhe me shumë rreziqe. Me disa shokë kishte marrë për detyrë që t’i vëzhgonte rrugët e qytetit të Prishtinës, duke përcjellë çdo lëvizje të armikut, kryesisht në drejtimin Prishtinë – Besianë. Kontribut të madh i dha luftës duke e furnizuar me ushqim dhe barëra. Ketë detyrë e kryente me guxim e maturi, Besimi me shokët e tij ka marrë pjesë në luftimet që janë zhvilluar në Kodrën e Trimave “te Herticët”, ku mbetën disa policë të vrarë.
Besim Vitia ka dhënë kontribut të çmuar dha edhe në evakuimin e popullatës së Prishtinës për në Malësinë e Gallapit.
Që nga data 13 prill 1999 i bashkohet njësitit të Vitisë së Marecit. Këtu i kreu detyrat e një ushtari të devotshëm për liri më përgjegjësinë më të lartë. Ishte trim i vendosur, njeri i fjalës dhe besës për të luftuar. Besimi ishte luftëtar i vijës së parë të fronit në betejën e datave 18, 19 dhe 20 prill të vitit 1999. Kjo betejë radhitet ndër betejat më të forta që u zhvilluan mes forcave të UÇK-së dhe forcave serbe në këtë pjesë të Zonës Operative të Llapit. Në këtë betejë me 18 prill 1999 armiku pësoi humbje në njerëz dhe në makineri luftarake, Gjatë betejës janë vrarë shumë policë, janë shkatërruar 2 pizgauerë dhe u mor një sasi armatimi e municioni.
Dëshmitë për këtë janë sot në Muzeun e Kosovës. Helmetat e policisë serbe, shiriti i gulinovit me 105 fishekë dhe dëshmi të tjera.
Edhe pas pesë përpjekjeve për t’i thyer forcat tona çlirimtare, edhe pse të pajisur me arsenal të madh të armatimit, serbët nuk arritën të depërtojnë në lagjen ku ndodhej shtabi i Brigadës 153, në Zllash. Në orët e pasditës së 20 prillit, Besimi me Aliun merr detyrën për tu takuar me komandantin e ZOP të Karadakut që vepronte në Marec. Këta dy ushtarë ishin ndërlidhësit më të shquar mes Brigadës 153 të ZOP të Karadakut. Rrugës duke shkuar në lagjen e Bullajve ata kuptojnë se atje kishin depërtuar forcat serbe nga lagjja e Pacajve, ku ishin pozicionuar nëpër disa shtëpi të lagjes. Këta ndërlidhës i kishin shpëtuar disa ushtarë të ZOP të Karadakut për të mos rënë në pritën e armikut.
Në vazhdim të rrugës për të kryer detyrën që e kishin marrë, ranë në një pritë të armikut, afër shkollë fillore të lagjes Bullaj, ku pas një shkëmbimi zjarri me automatikë e bomba dore, Besimi dhe Aliu bien në Altarin e Lirisë. Besimi kishte vetëm dy muaj që ishte martuar dhe gruaja iu kthye në gjini me një dhembje të pashuar, por edhe me mburrje që bashkëshorti nuk kurseu as jetën për lirinë e këtij vendi. Rënien e këtyre dëshmorëve e përjetuan rëndë edhe ushtarët e Njësitit të Vitisë, gjithë pjesëtarët e Brigadës 153 të ZOLL-it, e në veçanti komandanti i kësaj brigade të mirënjohur për trimëri, të cilën e komandonte, oficeri i ushtrisë shqiptare, Adem Shehu.
Familja e dëshmorit ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Karadakut dhe nga shoqatat e luftës së UÇK-së. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …