Edhe këtë vit në pamundësi për të organizuar si zakonisht program kulturo-artistik, sot me kujtimet me të mira dhe me krenarinë me të madhe që kemi, bashkë me drejtoren e shkollës, Hyra Gashi Tahiraj, Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, asambleistë, kolektivin e kësaj shkolle dhe shkollave tjera si dhe qytetarë, bëmë nderime tek shtatorja e babës Shaban, me rastin e ditëlindjes së tij të 97-të.
Gjyshi 97 vite me parë ka lindur si i vetmi djalë i familjes, i rritur në kushte të vështira ekonomike dhe rrethana politike jo të mira, por falë vullnetit të tij të madh, arriti që të edukoj shumë breza në fushën e dijes, por edhe arriti të rritë trima të cilët mbrojtën atdheun deri në frymën e fundit. Baba Shaban tërë jetën e tij ia kushtoj Kosovës, edukimit të brezave të rinj, duke u bërë kështu mësuesi i parë në Drenicë, ideologu që edukoj e frymëzoj shumë breza me vlera tona patriotike, për t’i dalë zot atdheut.
Shënimin e kësaj date të rëndësishme e vazhduam me vizitën tek ekspozita e nxënësve të shkollës fillore “Shaban Jashari”, të cilët i përgëzova për punën dhe talentin e tyre të jashtëzakonshëm. Me pas së bashku me Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, anëtarë të Kuvendit Komunal, stafin tim, nxënësit, kolektivin e kësaj shkolle dhe shkollave tjera si dhe qytetarë bëmë homazhe tek varri i heroit Shaban Jashari, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.
Amanetin e Gjyshit, për një arsimim të zhvilluar e gjenerata të edukuara e rritura nën frymën patriotike me gjithë qenien time jam duke u angazhuar për të jetësuar sado pak, ku përmes kontributit tim në qeverisje lokale, jam duke punuar në vazhdimësi që të krijojmë kushte infrastrukturore moderne për gjeneratat e reja.
Lavdi gjithë heronjve të kombit të cilët kanë rënë për të mos vdekur kurrë!
Urime ditëlindjen Baba Shaban, jetoj e punoj me mësimet tua!