Burim Vitia u lind më 29 nëntor 1980, në fshatin Viti e Marecit të komunës së Prishtinës, nga prindërit Ilaz e Safete Vitia. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen e filloi në Prishtinë. E kreu një vit të shkollës së mesme, pastaj, edhe pse shumë i ri në moshë, vazhdoi të punojë, me qëllim për ta ndihmuar familjen.
Një kohë punoi edhe si konduktor në autobusin e firmës “ Shpendi Komerc” që mbante vijën Prishtinë-Viti e Marecit.
Babai i Burimit, Ilazi ishte i arsimuar dhe i ngritur kombëtarisht. Ai ishte mësimdhënës në shkollën fillore “ Fan Noli”, në fshatin Viti.
Kur ushtarët e parë të UÇK-së filluan të vepronin hapur dhe nisën të krijoheshin anembanë Kosovës formacionet luftarake të saj, dalja e tyre në skenë u mirëprit edhe në këto anë. Që nga nëntori i vitit 1998 kur u formua njësiti i Vitisë, në kuadër të Brigadës 153 të Zonës Operative të Llapit, Burim Vitia inkuadrohet në radhët e kësaj brigade
Fillimisht, meqë ishte i ri në moshë, i kishte caktuar detyra e furnizuesit me materiale të nevojshme për njësitin e Vitisë. Po ashtu ai kishte për detyrë edhe vëzhgimin e terrenit sidomos në rrugën automobilistike: Prishtinë – Gjilan. Ai vëzhgonte lëvizjet e policisë dhe ushtrisë serbe.
Gjatë kohës sa ishte në detyrën e vëzhguesit, Burimin disa herë e kishin marrë në pyetje policët serbë, por nuk kishin arritur të mësonin asgjë.
Me 28 mars të vitit 1999, disa ditë pasi avionët e NATO-s kishin filluar bombardimet kundër caqeve ushtarake të Serbisë, policët dhe ushtarët serbë të mllefosur e të çartur nga intervenimi, mllefin e tyre të egër dhe sadist po e derdhnin kundër popullatës së pambrojtur të kryeqytetit të Kosovës.
Burimi asokohe, meqë tashmë e plotësonte edhe moshën, kryen edhe stërvitjet ushtarake në Zonën Operative të Karadakut, ku edhe arriti të fitojë njohuri të duhura për taktikën dhe strategjinë luftarake.
Në ofensivën e mesit të prillit të vitit 1999 që forcat armike e kishin ndërmarrë në Marec, Burimi angazhohet në evakuimin sa më të shpejtë të popullatës civile dhe strehimin e saj në lagjen Bullaj të fshatit Viti.
Babai i Burimit, Ilazi edhe pse i sëmurë dhe i pensionuar para kohe, së bashku me vëllain e tij Ramushin, tashmë iu kishin bashkuar Skuadrës së Dytë Sulmuese, me qëllim për të sulmuar forcat serbe në fshatin Kukavicë.
Pikërisht në këtë vijë të frontit në vendlindjen e tij në Viti të Marecit ndodhej edhe Burimi me bashkëluftëtarë
Më 19 dhe 20 prill të vitit 1999, Burimi ndodhej në vijën e zjarrit. Luftimet nuk ishin ndërprerë për asnjë çast, ndërsa forcat serbe disa herë kishin marrë mësymje frontale, por nuk ngjiteshin dot në majën strategjike të trimave të malësisë së Marecit, të cilët gjatë atyre ditëve kishin treguar trimëri e heroizëm të pashoq, që kurrë nuk do të harrohet. Në orët e pasditës së 20 prillit, forcat e artilerisë armike kishin goditur sërish me breshëri granatash, të cilat po vinin nga të katër anë e pozicioneve armike kundër luftëtarëve të UÇK-së. Njëra nga këto granata kishte shpërthyer afër vendit të pozicioneve të çlirimtarëve, kurse shrapnelat e saj goditën disa luftëtarë. Përveç Demir Vitisë goditen për vdekje edhe Fetiu e Burimi, të cilët kishin qëndruar së bashku në pozicione.
Lufta po zhvillohej në të gjitha anët. Trimat çlirimtarë luftonin fyt për fyt kundër forcave serbe, të cilat ishin shumëfish më të mëdha në numër por edhe në pajisje e teknike ushtarake. Atë ditë ranë për të mos vdekur kurrë Burimi, Fetiu, Luta dhe shumë të tjerë.
Familja e dëshmorit Burim Vitia ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Karadakut dhe nga shoqatat e luftës së UÇK-së. (A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …