Indoevropianisti i madh, Franz Bopp-i, jo rastësisht, as për kuriozitet – i njohur me shqipen, me sa duket, përmes Da Lecce-s dhe Hahn-it, si dhe gjuhës së Bardhit -, falë intuitës, aftësive dhe pasionit të jashtëzakonshme për të përqasur e krahasuar grupe gjuhësh dhe gjuhë me njëra-tjetrën, njohu tek kjo gjuhë – e vogël nga gjuhëfolësit, por e lashtë nga mosha – tipare gramatikore, që e bashkonin me familjen indoevropiane, por edhe e veçonin atë nga grupe gjuhësh e gjuhë, duke e karakterizuar si gjuhë vërtet indoevropiane, por që nuk ka lidhje burimore me gjuhë të tjera të kësaj familjeje.[1]Ky saktësim e përcaktim historik i karakterit të gjuhës shqipe shpreh qartë dy përfundime gjithashtu historike: së pari, lidhjen e saj të drejtpërdrejtë me indoevropianishten me gjithçka ajo ka të përbashkët me të dhe së dyti, çdo risi e shfaqur tek ajo është zhvilluar brenda saj. Studimi i tij prej rreth 40 faqesh për shqipen, që për herë të parë trajton çështje me peshë nga cilësia e vlerave gramatikore, entuziazmoi dhe nxiti studiues të tjerë, të huaj dhe vendës, rilindës dhe pasrilindës, ta njohin më thellë e më gjerë atë. Kështu, pas tij, me historinë e shqipen, me zhvillimin e strukturës gramatikore të saj, u morën Kamarda edhe Kamarda dhe La Piana; Pedersen-i, Meyr-i dhe Jokl-i; Desnickaja dhe Weigand-i; Riza, Cipoja, Çabeji, Domi, Ajeti, Bokshi etj. Këto punime u karakterizuan nga drejtime të veçanta dhe të pjesshme studimi.
Por vetëm pas gati një shekulli e gjysmë, pas studimit të Bopp-it të vitit 1854, historia e gramatologjisë shqiptare arriti për herë të parë të pasurohet me një gramtikë historike sistemore dhe të plotë, të nivelit të indoevropianistëve të shquar, një gramatikë historike model nga cilësia dhe sasia, që në historinë e shqipes u ngrit si monument dhe do të mbetet si monument gjuhësor për breza. Kjo është Gramatika historike e gjuhës shqipe e akademikut Shaban Demiraj.
Sipas autorit, synimi ka qenë:
Paraqitja e sintetizuar e arritjeve të deriatëhershme në fushën e gramatikës historike të shqipes.
Përpjekje të mëtejshme për t’i çuar ato sa më përpara.
Por, në të vërtetë, synimet fillestare të autorit janë kapërcyer; ato janë tejkaluar mjaft.
Fillimet, pak tunduese, jo për shkak të sasisë së njohurive, as të nivelit cilësor i arritur ndër vite me zellin e studiuesit të rrallë e model, por nga egoizmi pozitiv i kërkesave të rrepta ndaj vetes, që në rreshtat e parë u pasuan nga rrjedha plot kompetencë e paraqitjes, analizës, argumentimit, zbulimit dhe shpjegimit bindës të mjaft dukurive të zhvillimeve morfologjike të shqipes.
I vetëdijshëm për vështirësitë e mëdha që paraqiste hartimi i një vepre me përmasa të tilla dhe gjithëpërfshirëse, për shkak të rrethanave të njohura historike, autori e mendoi dhe e emërtoi Gramatikë historike e gjuhës shqipe, por qysh në njohjen e parë të saj ajo ishte dhe mbeti Gramatika historike e gjuhës shqipe, gramatika historike e përveçme, gramatika e shquar, e dalluar dhe e papërsëritshme për llojin e vet. Për shkak të karakterit sistemor, faktet dhe zhvillimet morfologjike nuk shqyrtohen të kufizuara dhe vetëm për vete, por në ndërlidhjen e kushtëzuar nga vështrimi i morfologjisë së gjuhës si një njësi polivalente.
Nga kreu në fund në strukturën morfologjike të kësaj gramatike nuk ka vend bosh. Faktet, argumentet dhe interpretimet ndjekin dhe mbështetin njëri-tjetrin si hallka të një vargoi, duke përjashtuar çdo ndërhyrje të panevojshme.
I matur, vizionar dhe gjithmonë konkret dhe i saktë, për hartimin e kësaj vepre, akademiku Shaban Demiraj ka pritur vetveten. Nga shtjellimi, nga sasia dhe cilësia e veprës çdo studiues apo njohës i shqipes vëren, madje jo pa habi, sa mendim e mund ka në çdo rresht të saj. Është një vepër madhore e ndërtuar gur mbi gur për gati një jetë; pa zhurmë me modestinë që karakterizon njerëzit e mëdhenj. Dikur, në përurimin e kësaj vepre madhore, ish kryetari i atëhershëm i Akademisë së Shkencave, i paharruari akademik Aleks Buda, e pat krahasuar veprën dhe vetë autorin e saj me manushaqen, që vërtet rritet në hije dhe i mban kryer poshtë (në kuptimin e modestisë), por gjithandej lëshon aromë shumë të këndshme. Shkenca jonë gjuhësore me të drejtë mund të krenohet dhe të mburret me personalitete, si: Çabej, Domi, Kostallari, Riza dhe Ajeti, sepse ata i dhanë jetën, iu përkushtuan me vullnet, dëshirë dhe pasion gjuhësisë. Një ndër ta është edhe akademiku Shaban Demiraj. Kurse bota e ndritur e shkencës që lanë pas, kërkon patjetër një përmendore. Gramatika historike e gjuhës shqipe e akademikut Shaban Demiraj ka mbi tridhjetë vjet që ushqen studentë, studiues dhe plot intelektualë. Ajo njihet mirë edhe nga pjesa më e madhe e këtij auditori. Prandaj, pas kaq vjetësh, sot, në këtë përvjetor njëshekullor të lindjes së tij, po përmend vetëm disa nga vlerat e kësaj vepre.
Në përputhje me idenë për të hartuar një vepër me përmasa gjithëpërfshirëse dhe me përfytyrimin pothuajse të qartë të saj qysh në nisje, ai veçoi dhe zgjodhi faktorët kryesorë, që kanë luajtur rolin vendimtar në të gjitha zhvillimet e strukturës morfologjike të shqipes. Kështu hartimin e veprës e parapriu me një kapitull të veçantë për dukuritë morfonologjike, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt ose mbikarakterizues në ndërtimin e formave gramatikore. Janë dukuri, të cilat trajtohen për herë të parë prej tij në përgjithësi, e pastaj edhe në veçanti në funksion të ndikimeve që kanë ushtruar në shfaqjen e dukurive të veçanta të morfologjisë historike të shqipes. I njohur mjaft mirë dhe prej kohësh me përcaktimet e dhëna nga gjuhëtari i shquar J. Kurylowicz-i[2], qysh në vitet 30 të shekullit të kaluar, profesor Shaban Demiraj këtyre dukurive u dha jetë në zhvillimet historike të shqipes. Duke i vështruar ato jo vetëm si shfaqje në format e fjalëve, por edhe si dukuri, nëpërmjet të cilave përcaktoi edhe kronologjinë e periudhave të ndryshimeve morfologjike të shqipes. Shpesh në krijimtarin shkencore të Demirajt përfundimi i shtjellimit të një dukurie të veçantë të historisë së gjuhës shqipe është edhe pikënisje për një fillim të ri studimi. Kështu, me sa duket, këto vrojtime të para morfonologjike dhe fonologjike u pasuan më vonë nga një vepër përgjithësuese dhe sintetizuese të emërtuar Fonologjia historike e gjuhës shqipe, ku, siç thotë vetë autori, “jo vetëm të përfshihen – brenda mundësive – arritjet e derisotme në këtë fushë hulumtimesh, por edhe të rishikohen disa nga zgjidhjet e mëparshëm, që nuk i kanë qëndruar kohës.”[3]
Nga moria e çështjeve të shtruara dhe të trajtuara me një frymë të përgjithshme polemizuese dhe krijuese të sistemit emëror, duke përfshirë këtu edhe mbiemrat, mund të veçojmë, ndër të tjera, dy mendime, të cilat prej kohësh kanë tërhequr vëmendjen e autorit. Këto ide janë:
Eptimi në “ballë” të fjalës
Rigjallërimi i përshtatjes gramatikore
Shfaqja e treguesve gramatikorë në fillim të fjalës është një dukuri e vjetër.
Në disa gjuhë të vjetra të dokumentuara në fillim të fjalëformës shfaqet një tregues për kohën e shkuar, i emërtuar si augment. Por ndryshe nga morfologjia e augmentit kohor, Demiraj flet dhe parashtron fjalëforma, ku ky tregues eptohet. Kështu, nga sitemi emëror një dukuri të tillë e vëren te nyja e përparme e rasës gjinore, te nyja e përparme e mbiemrave dhe e disa përemrave dhe veçanërisht te përemrat pronorë. Ky fakt gjuhësor, i sotëm dhe i shkuar, për burimin e të cilit ka pikëpamje të ndryshme, mbështetet nga format gramatikore analitike të ndërtuara me foljet ndihmëse kam dhe jam, ku veçohen vetëm përemrat pronorë të vetës së parë dhe të dytë, te të cilët elementi flektiv është i parangjitur.
Në vepër njihen dhe pranohen të dy dukuritë: edhe rigjallërimi, edhe reduktimi i eptimit emëror dhe mbiemëror, por, ndërsa eptimi në ballë të fjalës pranohet si fakt, kufizimi i eprimit në përgjithësi pranohet si prirje.
Rigjallërimi i eptimit kryesisht në fillim të fjalës është një ide origjinale e autorit; një ide e gjetur dhe e arsyetuar, por, megjithëse është pak e kërkuar, edhe kur nuk ka gjetur përkrahës, ka gjallëruar mjaft diskutimet shkencore. Këto janë zhvillime morfologjiko-sintaksore disi të kundërta. Nga njëra anë, kemi humbjen e eprimit në fund të fjalës, çka është një zhvillim i logjikshëm gjuhësor, sepse lidhja sintagmatike është e drejtpërdrejtë; nga ana tjetër, përmes ripërshtatjes së pranuar përftohet një eptim i ri me një strukturë krejt të veçantë. Shembullin më tipik të zhvillimit të kësaj dukurie Demiraj e sheh pikërisht te mbiemrat e nyjshëm, ku, sipas tij, “…gjuha shqipe, për të rishprehur përshtatjen formale të mbiemrit me emrin, shfrytëzoi pikërisht një mjet gramatikor sui generis të vendosur para mbiemrit. E po të kihet parasysh fakti i njohur që mbiemri në gjuhën shqipe prej kohësh relativisht të hershme është përdorur rregullisht prapa emrit,…atëherë rruga më e natyrshme për krijimin e këtij mjeti sui generis ishte përsëritja e treguesit gramatikor, që ndodhej në fund të emrit paraprijës, d. m. th. përsëritja e nyjës së prapme shquese, sepse mbaresat e rasave emërore dhe kallëzore të pashquar kishin rënë prej kohësh.”[4]
Kjo pikëpamje e re për burimin dhe rolin e nyjave të përparme të mbiemrave, e mbështetur nga autori me arsyetime dhe interpretime historike dhe bashkëkohore, iu kundërvu mendimeve të mëparshme, të cilat kësaj dukuri i patën dhënë shpjegime të tjera. Siç dihet, disa gjuhëtarë te nyjat e përparme historikisht njohin vlerë fjalëformuese leksikore, duke i quajtur “eksponentë të adjektivit”[5]; të tjerë i shohin ato si mbeturina të nyjave shquese me vlerë emërtuese, që pasqyrojnë gjendjen e hershme gjuhësore, kur nyjat shquese vendoseshin para emrave[6]etj. Pikëpamja e re e Demirajt, e parashtruar gjerësisht në këtë gramatikë, mbetet e qëndrueshme, falë argumentimeve gati bindëse të autorit, pavarësisht nga vërejtjet që e pasuan.
Një zhvillim të ngjashëm eptimor sheh Demiraj edhe në përftimin e paradigmave të pjesës më të madhe të pronorëve të vetës së parë dhe të dytë. Edhe tek elementet e para të paradigmave të këtyre përemrave ai dallon trajta të nyjave të prapme të emrave, të përsëritura te pronorët për t’u përshtatur gramatikisht me ta.
Dukuri të veçanta
Dukuri të veçanta të sistemit rasor të shqipes janë marrë dhe rimarrë nga i njëjti autor ose nga autorë të ndryshëm. Madje mjaft shpjegime për këto dukuri edhe janë përsëritur; shpesh kanë kaluar edhe nga një autor te tjetri. Në këtë vepër mendimet e vjetra dhe të reja për këto çështje të veçanta nuk janë rimarrë thjesht dhe vetëm për t’i bërë edhe njëherë të njohura, vetëm për të plotësuar sistemin, por, në radhë të parë, për t’i lidhur e renditur në këtë sistem, për t’i ridiskutuar, për të shtuar aty mendime vetjake, për të dhënë zgjidhje të reja ose për të mbështetur ide të njohura me argumentime dhe arsyetime sa më bindëse. Nuk ka çështje të sistemit lakimor të shqipes që të mos i jetë nënshtruar gjykimit të kthjellët, të thellë, krijues dhe gjithmonë të matur të profesor Demirajt. Eshtë pak të thuash se mendimi i ri shfaqet vende-vende; përkundrazi, kudo, në çdo hallkë të sistemit emëror, diku më pak e diku më shumë, gjejmë argument të ri, shëmbëllim të ri e të plotë, gjejmë edhe mjaft zgjidhje të reja. Sistemi foljor i shqipes është fusha më tërheqëse e studimeve historike. Është fusha e interesave, e gjurmimeve, e gjetjeve dhe hetimeve, si të thuash me pishtar në dorë, sepse është edhe fusha më e errët dhe plot enigma. Sistemi foljor i shqipes, nga koha e dokumentimit e deri sot, është një pasuri e rrallë dhe e çmuar, jo vetëm për historinë e brendshme të shqipes, por edhe për historinë e gjuhëve indoevropiane, sepse ai (sistemi foljor i shqipes) është ndofta më i pasuri dhe më i ploti ndër gjuhët e sotme indoevropiane. Shqipja është e vetmja gjuhë ndër gjuhët e sotme, që ka trashëguar të katër mënyrat e indoevropianishtes: dëftoren, lidhoren, urdhëroren dhe dëshiroren; madje ka zhvilluar edhe një mënyrë të re, siç është habitorja. Në këtë sistem vëmendjen e gjuhëtarëve të huaj dhe vendës prej kohësh e ka tërhequr dëshirorja, e cila u mungon gjuhëve të sotme indoevropiane. Pikërisht kësaj mënyre i kushtoi një vend të gjerë e të veçantë indoevropianisti Franz Bopp në traktatin e tij të parë për historinë e gjuhës shqipe; kurse nga të huajt e tjerë pasardhës edhe Pedersen-i. Nga studiuesit shqiptarë është pikërisht akademiku Shaban Demiraj, i cili, megjithëse nuk doli ndonjëherë me një studim të veçantë për të, në gramatikën e vet historike e shtjellon atë gjerësisht, si të ishte një punim më vete. Duke sintetizuar trajtimet e Bopp-it dhe të Pedersen-it si dhe të studiuesve vendës, që e patën prekur atë, ai, pasi vendosi pikëpyetjet e arsyetuara, diti të zgjedhë thelbin e mendimeve të tyre dhe ta shkrijë atë me fakte materiale dhe arsyetime bindëse, duke përvijuar rrugën më të pranueshme të formimit të kësaj mënyre[7]; por pa e mbyllur rrugën e studimeve të mëtejshme; madje duke nxitur studiues për mendime e diskutime të mëtejshme.