Demir Vitia lindi më 25 shkurt 1979 në Viti të Marecit, të komunës së Prishtinës nga prindërit Brahim e Nafize Vitia.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen e vazhdoi në Prishtinë, por si shumica e bashkëmoshatarëve, me kushte të papërballueshme ekonomike, edhe Demirit, shkolla e mesme i mbeti e pakryer. Ai iu kthye punëve të rënda dhe të përditshme të bujqësisë. Familja e tij, e cila po jetonte në kushte të rënda ku të papriturat e shtrëngesave ishin të shumta, ia bën Demirit jetën ende më të rëndë, por edhe po ia jepte mësimet e rënda të jetës. Ai po e shihte se jeta, jo vetëm nuk po ndryshonte, por për popullin e tij po vinte dita – ditës duke u bërë edhe më e rëndë. Policët e okupatorit serb futeshin kudo, plaçkitnin, keqtrajtonin, burgosnin, e po vritnin. Demiri asokohe ka marrë pjesë nëpër protesta që organizoheshin kundër regjimit serb dhe shpresote se vuajtjeve të popullit shqiptar nën robërinë serbe po u vinte fundi.
Në maj të vitit 1996 forcat serbe të komunës së Dardanës (ish-Kamenicë) rrethojnë shtëpinë e Brahim Vitisë, babait të Demirit, kurse si pretekst ishte kërkimi i armëve pa leje. Demiri me të vëllain, Ekremin, me zhdërvjelltësi i fsheh armët dhe nuk bie në sy të policisë. Policia i kërcënohet Brahimit me tortura dhe burgosjen e të gjithë djemve të tij, po qe se nuk i dorëzon armët e kërkuara. Brahimi kishte arritur të kuptojë se policia serbe, shtëpinë e tij e kishte rrethuar me ndihmën e kolaboracionistëve shqiptarë. Andaj kërkon afat derisa të kontaktonte me djemtë e tij. Të nesërmen njësoj zbarkohen dy automjete plot me policë te oborri i Brahimit. Për të mos hapur panik te fëmijët, Brahimi detyrohet të dorëzojë një pushkë M – 48 dhe një sasi të vogël municioni.
Fillimi i luftës së armatosur në Drenicë dhe dalja e trimit të pamposhtur Adem Jashari në ballë të UÇK-së, mbushi dëshirën e flaktë të të rinjve atdhetarë për ta realizuar ëndrrën e kahmotshme se si duhet çliruar atdheun nga okupatori. Si shumë bijë e bija trimëresha të Kosovës, Demiri, me dy vëllezërit e vet, Ademin dhe Ekremin, si dhe me dhjetë kushërinjtë e tjerë u kyç në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Asokohe formohet njësiti ushtarak i Vitisë së Marecit, në kuadër të Brigadës 153 të Zonës Operative të Llapit, që vepronte në Malësinë e Gallapit. Komandant njësiti ishte emëruar Behxhet Vitia. Këtij njësiti shumë shpejt iu bashkuan 27 ushtarë të stërvitur. Demiri, që nga 24 nëntori i vitit 1998, bashkë me dy vëllezërit, të gjitha detyrat dhe obligimet ushtarake i kryen me dinjitetin e lartë të ushtarakut në njësitin e Vitisë.
Në këto kohë kishte filluar e vazhduar zhvendosja e popullatës shqiptare nga njëra zonë në tjetrën, kurse në këto anë popullatën e zhvendosur, Demiri kishte bërë përpjekje të mëdha për ta ndihmuar. Atje kishte depërtuar numër i madh i popullatës civile nga Prishtina, Matiçani e Hajvalia. Ai bënte bartjen e popullatës me traktor nga Mramori në Marec dhe shumë herë në Krilevë e Gllogovicë. Ai edhe financiarisht e ndihmonte Brigadën 153.
Prej datës 7 mars deri më 21 mars 1999, Demiri bën stërvitje ushtarake në Zllash, të cilat i kryen me sukses të lartë.
Menjëherë pas kryerjes së stërvitjeve ushtarake, paraqitet për të shkuar në vijat e luftimeve, si në Rimanishtë e Prapashticë. Por, nga ana tjetër, po mundohej edhe më tej, për t’i strehuar dhe sistemuar qindra banorë nëpër lagje të lokaliteteve të këtushme. Në shtëpinë e vet kishte strehuar 55 të zhvendosur. Më 18 prill 1999 policia dhe ushtria serbe kishin planifikuar ofensivë të ashpër edhe në trevën e Marecit. Demiri me dy vëllezërit dhe shokët e tjerë niset për t’u përballur me ushtarët e gjakësorit serb. Në këtë moment edhe pse nuk kishte armë, Demiri nuk kthehet, sepse nuk do të pranonte që po t’i vriteshin vëllezërit apo shokët, arma e tyre të mbetej në duart e serbit.
Aksioni i forcave të UÇK-së në Kukavicë e tronditi rëndë armikun, sepse e kuptoi se nuk do ta pushtonte kurrsesi Marecin, si kishte menduar, pa e larë në gjak. Demiri ndërkohë arrin të marrë një kallashnikov dhe gjatë gjithë asaj dite vigjëlon në vijën e parë të frontit në Zonën Operative te Karadakut. Më 19 prill 1999, Demiri i armatosur kthehet te shokët e njësitit të vet dhe i bashkohet luftës në Viti.
Me 20 prill 1999, në orën 16, forcat armike kishin bombarduar pa reshtur pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Viti të Marecit. Në këtë fushatë granatimi goditen ushtarët: Demir Vitia, Lutë Vitia, Burim Vitia dhe Feti Haxholli. Rëndë plagosen Sokol Sopi dhe Afrim Vitia, kurse plagë ca më të lehta morën: Sevdaim Vitia, Sylë Vitia dhe Avni Haziri, ushtarë të njësitit “Skifterat”. Rënia e këtyre ushtarëve u përjetua me dhembje. Varrimin e tyre e bënë bashkëluftëtarët e tyre, më 24 prill të vitit 1999 te vendi rënies. Tani ata prehen në Varrezat e 15 Dëshmorëve të kombit në Viti të Marecit, ku qëndron i ngritur flamuri kombëtar, duke i bërë roje të përhershme lirisë së Kosovës.
Familja e dëshmorit Demir Vitia ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Karadakut dhe nga shoqatat e luftës së UÇK-së. (A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …