“Bal, i ke pesë djem, dy duhet t’i japësh për luftën! Një jam unë!”. Këto ishin fjalët që dëshmori i kombit, Lutfi Vitia ia kishte thënë të atit, Shabanit, duke ia përkujtuar obligimin që çdo familje atdhetare shqiptare kishte për t’i kontribuar luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pushtuesit serb. Ai po i thoshte këto fjalë me një sens humori, me të cilat sikur donte t’ia tërhiqte vëmendjen “Balit” të tij, e t’i thoshte: mos harro që i ke pesë djem! Çka po mendon, lufta don luftëtarë, prandaj nuk duhet të bëhesh koprrac dhe dy prej bijve duhet t’ia japësh luftës për liri! Ja, i pari jam unë…! I ndërgjegjshëm për obligimin atdhetar, Lutfiu në këtë mënyrë donte ta familjarizonte këtë obligim, në mënyrë që lufta çlirimtare dhe sakrificat që do të kërkonte ajo, të përballoheshin më lehtë, duke shprehur gatishmërinë që i pari të jetë ai që do ta japë shembullin personal të sakrificës sublime në atë luftë.
Kjo mënyrë e komunikimit me të atin, dëshmon raportet e afërta që dëshmori Lutfi Vitia kishte me të, dëshmon lirinë e shprehjes së mendimit edhe atëherë kur ai është shumë serioz dhe qiltërsinë që karakterizon vetëm ato krijesa që parandjejnë përjetësinë. Meqenëse me babain nuk kishte sekrete, para tij ai kishte shprehur qëllimin e vet për t’iu bashkuar luftës së UÇK-së, edhe atëherë kur sapo kishte rënë në kontakt me luftëtarët e lirisë, pas Epopesë së Jasharëve dhe Komandantit Legjendar Adem Jashari, në Prekaz, në mars të vitit 1998. “Këtë punë le ta dimë vetëm ti e unë!” – i kishte thënë ai babait.
Në radhën e njëmbëdhjetë fëmijëve të Shaban e Mevlude Vitisë nga Mareci, Lutfiu ishte fëmija i katërt. Ai kishte katër vëllezër e gjashtë motra: Teutën, Agronin, Gafurrin, Hysnien, Xhemilen, Shaipin, Ajmane, Mirveten, Zahiden dhe Shukriun.
Lutfiu ishte i lindur më 15 nëntor të vitit 1976 në Marecin e malësisë së Gollakut, komuna e Prishtinës. Shkollimin fillor e kishte kryer në shkollën “Fan Stilian Noli” të Marecit, kurse degën e ndërtimtarisë në shkollën e mesme teknike në Prishtinë. Rrethanat politike në Kosovë dhe kushtet ekonomike të familjes nuk e kishin lejuar ta vazhdonte shkollimin, prandaj për ta ndihmuar materialisht familjen shumanë- tarëshe, një kohë të caktuar punoi në një furrë buke në Prishtinë, pastaj në një zdrukthtari e kështu me radhë. Ishte duke punuar punë të tilla në Prishtinë, kur në Prekaz u shkruan faqet më të ndritshme të qëndresës shqiptare, nga Komandanti Legjendar Adem Jashari dhe tërë familja e tij, ngjarje e cila u reflektua fuqishëm edhe në shpirtin e këtij të riu. Pas ndodhjes së saj, Lutfiu vendosi pa u hamendur për ta larë borxhin ndaj atdheut, prandaj së shpejti bie në kontakt me luftëtarët e lirisë në zonën e Drenicës dhe u përkushtohet përgatitjes së terrenit për organizimin e UÇK-së edhe në Marecin e tij. Kur bërthamat organizative ushtarake vendosen në Zllashë të Gollakut, në fundvjeshtën e vitit 1998, Lutfiu, së bashku me bashkëveprimtarët Sylë Vitia, Selatin Vitia, Agron Vitia (vëllai i dëshmorit, i cili gjatë luftës mori plagë), e të tjerë, bëri atje stërvitje ushtarake, në kuadrin e të cilave mësoi edhe për përdorimin e armëve. Në Zllashë, veprimtari Fatmir Sopi, ishte ngarkuar me detyrën për organizimin e njësiteve të UÇK-së edhe në fshatrat e tjera të Gollakut që do të funksiononin në kuadrin e Zonës Operative të Llapit, meqenëse tashmë kjo ushtri ishte ristrukturuar në pikëpamje të organizimit. Në Zllashë ishte vendosur edhe komanda e Brigadës 153 të UÇK-së, të cilën e komandoi strategu Adem Shehu, epror i mirënjohur i Ushtrisë Shqiptare.
Pas marrjes së direktivave nga pjesëtarët e autorizuar të UÇK-së në Zllashë, në lagjet e Marecit u formuan njësitet ushtarake, të cilat vazhduan aktivitetin e organizuar luftarak me kujdes, duke ruajtur fshehtësinë deri në fillimin e bombardimeve nga NATO-ja mbi caqet ushtarake serbe, më 24 mars të vitit 1999. Pjesëtarët e këtyre njësiteve kryenin detyra të caktuara ushtarake, që nga vëzhgimi i terrenit dhe organizimi i rojes gjatë natës e deri te sigurimi i armatimit dhe përgatitja e terrenit për betejat e ardhshme. Pjesë e këtyre njësiteve ishte edhe Lutfi Vitia, të cilit iu bënë krah edhe dy vëllezërit, Agroni e Shaipi.
Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet e formacioneve kriminale serbe më 24 Mars 1999, këto formacione kishin intensifikuar veprimet luftarake kundër pozicioneve të UÇK-së e në veçanti kundër popullatës së paarmatosur shqiptare, me qëllim të masakrimit të saj, dëshpërimit, shpërnguljes dhe spastrimit etnik të Kosovës. Në këtë kohë, çdo shtëpi e Marecit ishte bërë strehë për popullatën e shpërngulur nga vendbanimet e tjera të zonës së Llapit e të Karadakut, por edhe nga qyteti i Prishtinës e ai i Gjilanit. E tillë strehë ishte bërë edhe shtëpia e dëshmorit Lutfi Vitia.
Më 18 prill të vitit 1999, soldateska kriminale serbe ndërmori ofensivë të ashpër frontale kundër pozicioneve të UÇK-së në të gjitha zonat operative, njëkohësisht. Atë ditë ajo e filloi sulmin me granata, që në orët e mëngjesit, me qëllim të krijimit të mundësive për të depërtuar me këmbësori në terrenin e rrahur nga zjarri i granatave. Depërtimi i këtyre forcave kishte filluar edhe në drejtim të Marecit, mirëpo pjesë- tarët e Brigadës 153 të UÇK-së ishin në gjendje gatishmërie për t’u përballur me to. Beteja e parë ndërmjet luftëtarëve të lirisë dhe forcave të pushtuesit serb u bë në majën strategjike të Kukavicës, me ç‘rast forcat e armikut u zmbrapsën me humbjen dhe plagosjen e 10-15 trupave të tyre. Në gjendje dëshpërimi për humbjen e pësuar, militarët serbë zbatojnë taktikën e rrahjes së terrenit me granata, hap pas hapi. Në këto rrethana, popullata e Vidimjes përreth Kukavicës, tërhiqet nga shtëpitë e saj nën masat siguruese të njësitit të UÇK-së, i cili pasdite u pozicionua në istikamet afër shtëpisë së pjesëtarëve të njësitit Sevdaim, Sefedin, Selatin e Sejdi Vitia. Ky njësit komandohej nga Behxhet Vitia. Jo larg këtyre pozicioneve ndodheshin dyçani publik i lagjes ku ndodhej shtabi lokal i UÇK-së dhe ambulanca e fshatit që tashmë ishte shndërruar në spital ushtarak. Atë ditë, në lagjen Kullaj afër Kukavicës, në një betejë të zhvilluar në afërsi, në fushën e nderit, bien dëshmorë luftëtarët e lirisë, Sefedin Vitia e Naser Sekiraqa, ndërsa plagoset Osman Gashi nga Zllasha.
Ditën e 18 Prillit, sikurse tërë popullata tjetër e Marecit, edhe familja e Lutfiut ishte larguar nga shtëpia dhe ishte strehuar në male, ku kishte qëndruar deri më 21 Prill, kur popullata e kësaj zone ishte nisur në drejtim të Prishtinës, me ç‘rast soldateska serbe bëri masakrën e tmerrshme në Grashticë, duke ndaluar dhe ekzekutuar shumë burra e të rinj. Me rastin e daljes nga shtëpia dhe strehimit në malet e Marecit, Lutfiu i kishte përcjellë prindërit, motrat dhe vëllezërit e tij më të rinj deri në krye të fshatit, duke pasur për brengë babain, Shabanin i cili nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe sapo kishte dalur ato ditë nga spitali i Prishtinës. Pastaj ai ishte kthyer në pozicionet e vendosura në lagjen Halipaj, ku po vazhdonin granatimet dhe pritej ballafaqimi edhe me këmbësorinë serbe. Sulmet kundër pozicioneve të UÇKsë vazhduan edhe të nesërmen e të pasnesërmen. Në pozicionet te shkëmbi afër shtëpisë së familjes së dëshmorit Sefedin Vitia, më 20 Prill ndodhej edhe Lutfi Vitia me bashkëluftëtarë. Në një moment, granata e forcave pushtuese serbe shpërtheu fare pranë pozicioneve të këtyre luftëtarëve, me ç‘rast nga zjarri i saj, ranë në altarin e atdheut dëshmorët Lutfi Vitia, Demir Brahim Vitia, Burim Ilaz Vitia e Feti Jahir Haxholli, kurse u plagosën Sokol Mustafë Sopi, Afrim Avdi Vitia, Sevdaim Ilaz Vitia, Sylë Halil Vitia, Adem Brahim Vitia, Agron Shaban Vitia e Avni Haziri. Trupat e dëshmorët të rënë atë ditë u tërhoqën nga istikami nga bashkëluftëtarët e tyre Behxhet Vitia, Agron Vitia, Sevdaim Vitia, Selatin Vitia dhe i varrosën afër vendit të rënies. Ndërsa dy luftëtarët e tjerë të plagosur, Sokol Sopi e Afrim Vitia i tërhoqi bashkëluftë- tari dhe eprori i UÇK-së, Isa Kastrati, për t’i dërguar në spitalin ushtarak të Zllashës. Mirëpo, rrugës për në Zllashë, në lagjen Bullaj, rreth pak kilometra larg vendit të plagosjes së tyre, të tre luftëtarët bien në pritën e organizuar të forcave pushtuese serbe, me ç‘rast hyjnë në përjetësi dëshmorët Sokol Sopi, Afrim Vitia dhe Isa Kastrati, trupat e të cilëve sot prehen në Varrezat e dëshmorëve në Prishtinë.
Pas përfundimit të luftës çlirimtare të UÇK-së, trupat e dëshmorëve Lutfi Vitia, Demir Vitia, Burim Vitia e Feti Haxholli janë rivarrosur në Varrezat e Dëshmorëve në Marec.
Në luftën e UÇK-së morën pjesë edhe dy vëllezërit e Luftiut, Agroni e Shaipi. Këta të tre, e kishin ndërtuar më parë edhe një top pa dridhje, duke shfrytëzuar pjesët rezerë të makinerive dhe duke i përshtatur ato. Gjithashtu, në regjistrin e ushtarëve rekrutë ishte evidentuar edhe motra e Lutfiut, Xhemilja, e gatshme për ta marrë në dorë pushkën e lirisë. (N. M.)