Bedri Hamza: PDK ka deponuar iniciativën për ndryshimin e Ligjit për TVSH për t’i ndihmuar bizneset dhe qytetarët e Kosovës

Bedri Hamza: PDK ka deponuar iniciativën për ndryshimin e Ligjit për TVSH për t’i ndihmuar bizneset dhe qytetarët e Kosovës

-Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka njoftuar që PDK ka deponuar një iniciativë ligjore lidhur me Ligjin për TVSH, qëllimi i së cilës është përkrahja dhe reformimi i sektorit privat. Hamza ka theksuar se një prej çështjeve më të rëndësishme që do t’i trajtojë ky ligj është kalimi i pagesës së TVSH-së në brendi, jo në kufi, gjë që do të ndikojë në uljen e kostos për bizneset.

“Është një reformë e madhe, e cila duhet të ndodhë dhe është dashur të ndodhë më herët, por për shkak të mungesës së stabilitetit politik është shtyrë. Gjithashtu, ka edhe lehtësi të tjera siç është rasti i mospagesës së TVSH-së për lëndën e parë të prodhuar brenda Kosovës. Sepse është absurditet nëse lënda e parë që prodhohet dhe importohet jashtë Kosovës të lirohet prej pagesës së TVSH-së, ndërsa për produktet të cilat prodhohen në Kosovë, për lëndë të parë të bëhet pagesa e TVSH-së. Kjo i krijon biznesit likuiditet dhe e kursen nga kredia dhe interesat e ndryshme që biznesi ka qenë i shtyrë deri më sot t’i marrë për ta paguar TVSH-në.”, ka thënë ai.

Hamza ka njoftuar se me këtë projektligj të gjithë qytetarëve të Kosovës do t’iu zgjerohet lista me gjëra ushqimore për përdorim të përditshëm, sepse do të paguajnë TVSH me normën 8 për qind për gjërat e përditshme ushqimore.

“Shërbimi i bluarjes së drithërave është vendosur të tatohet me normë të sheshtë prej 8 për qind. Do të lirohen nga TVSH librat, librat shkollorë dhe publikimet serike. Furnizimi  i shërbimeve të transportit publik të udhëtarëve dhe bagazhit të tyre, me çmime të rregulluara nga autoriteti kompetent shtetëror” është bartur te norma e reduktuar  ne mënyrë qe të kenë të drejtë të zbritjes së TVSH-së.”, ka thënë ai. Me këtë projektligj shuma e kreditimit e cila mund të kërkohet të rimbursohet është ndryshuar nga tre mijë euro në një mijë euro në mënyrë që bizneset e vogla të cilat janë në kreditim të kenë mundësi të rimbursohen.

“Me këtë projektligj është paraparë që transporti ndërkombëtar i pasagjerëve dhe transporti i mallrave të tyre shoqëruese, të lirohet nga TVSH në mënyrë që të harmonizohet me direktivat e BE-së si dhe shumë ndryshime procedurale për ta liruar biznesin nga baza administrative dhe burokracia. Unë shpresoj që edhe deputetët e partive tjera politike do ta përkrahin këtë projektligj dhe gjithashtu jemi të hapur për gjithçka që e përmirëson përmbajtjen e tij. Presim edhe bashkëpunim me qeverinë. Paraprakisht, ne e kemi konsultuar këtë projektligj edhe me asociacionet e bizneseve dhe bizneset dhe është prej reformave që duhet të ndodhë gjithsesi.”, ka përfunduar Hamza.

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …