leoni

Gëzim Kasumaj: Asimilimi i dhunshëm dhe asimilimi “vullnetar” apo modern i Mërgatës Shqiptare? I

Gëzim Kasumaj: Asimilimi i dhunshëm dhe asimilimi “vullnetar” apo modern i Mërgatës Shqiptare? II

Sivjet është përvjetori i 30-të i veprimtarisë së LAPSH-it në Zvicër në përgjithësi e në kantonin e Cyrihut në veçanti.

LAPSH-i gjatë kësaj periudhe 30 vjeçare ka bërë të mundur funksionimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, pikërisht duke pasur për synim evitimin e asimilimit të fëmijëve tanë dhe harresës së gjuhës shqipe, e cila kohëve të fundit, e pas zbulimeve të shumta, po quhet gjuha e parë. Nëpërmjet këtij institucioni arsimor kanë dalur mijëra djemë dhe vajza të pajisur me njohuritë fillestare të shkrim-leximit, kuptimit të asaj që kanë mësuar dhe janë informuar me elementët bazë të kulturës dhe traditës së prindërve dhe të të parëve të tyre. Në Zvicër kemi mjaft të rinjë të cilëve në karrierën e tyre u ka ndihmuar edhe njohja e gjuhës shqipe për t’u sistemuar në vende pune të mira, si në administratë, drejtësi, siguracione, sistemin shëndetësor, etj., dhe neve kjo si LAPSH na bënë të lumtur kur dëgjojmë e kuptojmë për rastet e tilla.

Shumica e nxënësëve shqiptarë në Zvicër vijnë nga Kosova, pastaj Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe së fundmi edhe nga Greqia.

Shteti i Kosovës për arsye të ndryshme nuk ka mundur t’a marr përsipër tërë këtë proces mësimor në tërë botën, gjë që është e kuptueshme, por sigurisht që ka mundur të bëjë më shumë në këtë drejtim qoftë strukturalisht, qoftë financiarisht e qoftë në formën e organizimit.

LAPSH-i në çdo takim me korin tonë diplomatik si dhe ministrat e dikasterveve përkatëse, e ka ngritur këtë qështje, por kjo gjithmonë deri më sot ka mbetur vetëm në nivelin e premtimeve dhe mbështetjes vetëm morale.

Ka ardhur koha dhe bile e fundit që sektorët përkatës të Republikës sonë, nëse jo në tërësi, atëherë parcialisht, e sidomos aty ku koncentrimi i shqiptarëve në Europë është i madh të shikojnë mundësinë se si patjetër të stimulohet, dhe kultivohet dashuria tek prindërit dhe fëmijët për të shkuar në mësimin shqip, ku ai lejohet dhe stimulohet edhe nga vendet e pritjes, sikurse në këtë rast Zvicra, dhe të vë në dispozicion mbështetje së paku të pjesëshme financiare për infrastrukturë koordinim dhe organizim të këtij mësimi.

***

Mërgata Shqiptare vërtetë ballafaqohet me sfidat e emigrimit. Këto sfida janë të tipologjive të ndryshme; gjenerata e parë ka sfida që dallohen nga sfidat e gjeneratës së dytë, e ky dallim vazhdon edhe te gjenerata e tretë, që ka dallim nga gjenerata e dytë, e kështu me radhë, sikurse:

Sfida e identitetit si: Kush jemi ne?

Sfida e integrimit në vendin mikpritës: Si të sillemi ne?

Sfida ndaj asimilimit (humbjes së gjuhës dhe kulturës).

Sfida ndaj globalizmit.

Sfida ndaj teknologjisë informative; bota e internetit etj.

Njeriu ynë, për fat të keq është i detyruar të ballafaqohet me sfidat dhe jo për të gjitha sfidat ka një zgjidhje të shpejtë, apo është në dorën e tij se si duhet të veprohet!

Me gjithë vështirësitë, një gjë mërgimtarët tanë në Perëndim e kanë thuajse në dorën e vet.  Sfida me identitetin (gjuhën, kulturën) deri diku mund të zbutet nga gjenerata e parë, duke e përcjellë te gjenerata e dytë, e diku-diku edhe te gjenerata e tretë.

Cila është kjo gjë?

Kjo është mundësia për të dërguar fëmijët (gjeneratën e dytë dhe, edhe të tretën) në mësimin plotësues në gjuhën shqipe– aty ku ai është i organizuar. E aty, ku nuk është i organizuar, të bëhen përpjekje për t’u organizuar, sepse kjo është një e drejtë elementare e njeriut (fëmijëve), e cila në vendet perëndimore promovohet në parim. Mjafton të organizohen prindërit në vendin ku jetojnë, të kontaktojnë LAPSH-in kantonal apo atë qendror në Zvicër dhe për një kohë të shkurtë, klasa është gati për nxënësit e rinjë. Vetëm kaq është kjo punë!

E thamë edhe më lart se fëmijët duhet të dërgohen në mësimin shqip dhe atë jo për të mësuar të flasin, se ata disi do të mësojnë të flasin, por DUHET TË DËRGOHEN ATJE TË MËSOJNË TË SHKRUAJNË, TË LEXOJNË DHE TË KUPTOJNË SHQIP. Paralelisht me këtë, ata do të marrin njohuri të çmueshme për të ardhmen e tyre, sepse do të mësojnë çështje nga kultura, historia dhe gjeografia e vendeve prej nga vijnë, e ku flitet shqip, me çka përforcohet vetëbesimi dhe identiteti i tyre. Po kështu ata në klasën ku mësohet shqip do të njihen me njëri-tjetrin, pra do të zgjerojnë rrethin e njohjeve, e kjo është një vlerë e çmuar në jetën e njeriut.

Këtë të drejtë, të dashur prindër, e kemi në dorë vetë dhe duhet ta shfrytëzojmë patjetër aty ku mundësitë ekzistojnë.

E tëra kjo duhet bërë që të mos na përfshijë asimilimi “vullnetar” modern, sepse është vonë kur gjyshi e nipi nuk mund ta kuptojnë më njëri tjetrin në gjuhën shqipe.

LAPSH, Cyrih

Gëzim KASUMAJ

Nënkryetar

 

Paraqitja e fëmijëve për të mësuar shqip nga klasa e parë:

 

https://www.lapsh.ch/

https://www.lapsh-zh.ch/index.html

https://www.lapsh-zh.ch/kuadri_mesimor.html

https://www.lapsh-zh.ch/paralelet.html

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …