Donika Gervalla

Ahmet Jashari: Argati i dreqit!

E bija e Jusuf Gërvalles, patriotit dhe veprimtarit politik, me të cilin mburret Kosova, në vend që të shndërrohej në krenarinë e shqiptarëve të Kosovës, është duke e bërë krejt të kundërtën! Është pritur që si ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës, si bijë e patriotit të vrarë nga regjimi serb, t’i jap zë të vërtetës së Kosovës dhe t’i çmontoj konstruksionet politike serbe për Kosovën, por befasishëm ajo po i jep zë pikërisht politikës serbe. Ajo është bërë vegël e politikës serbe kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si mënyrë për ta zhbërë të drejtën e Kosovës për shtet. Inatet e saj në vend që të orientoheshin nga ata që ia kanë vrarë babain, i cili është përpjekur për lirinë e popullit të tij,  i ka fokusuar në drejtim të UÇK-së. Nëse nuk është çështje naiviteti, do të ishte më shumë se skandaloze. Sido që të jetë, një gjë është e sigurt, me apo pa qëllim, ajo është duke e bërë argatin e dreqit. Në vend që të numëroj 13 mijë shqiptarët e vrarë nga regjimi serb, 20 mijë gratë e dhunuara, masakrat dhe dëbimin e popullatës shqiptare, ajo në çdo rast që i vjen ngulmon të gjej ku janë e ku s’janë dëshmi që e inkriminojnë UÇK-në. A je me ne a me arushën ministre? Nëse je me ne mbroje interesin tonë dhe mos u bë tellall i diplomacisë serbe që vazhdon fushatën e tyre propaganduese për ta projektuar Kosovën si krijesë mafioze, terroriste, religjioze…

Nëse je me arushën, vazhdojë kursin që e ke nisur, por mos pretendo të mbulosh të vërtetën që po shfaqet lakuriq përditë e më shumë! Nëse detyra jote është që ta zhbësh lavdinë e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atëherë mos kërko lavdi për vete. Nëse je vetëm dëm kolateral në përpjekjet e koordinuara që në të njëjtën kohë të përdhoset UÇK-ja dhe të realizohet “Zajdencia”, atëherë nuk mund të pritet përgjegjësi prej teje. Përgjegjësi nuk mund të pritet as prej shefit tënd  që i përgjithëson krimet në luftërat e ish-Jugosllavisë, duke i futur në të njëjtin thes regjimin e Millosheviqit që kishte masakruar shqiptarët dhe të tjerët përreth dhe ata që kishin provuar të mbroheshin.

Duke dëgjuar diskursin tuaj të rinjtë që nuk e kanë përjetuar luftën, do të rriten duke e urryer UÇK-në kriminale dhe duke ju ardhur keq për serbët dhe të tjerët që kanë vuajtur prej tyre. Ministre tregoju të rinjve se e vërteta është krejt e kundërta e kësaj. Ju thuaj që regjimi serb i ka vrarë foshnjat në djep vetëm pse kanë qenë shqiptarë. Tregoju ministre se regjimi serb i ka masakruar gratë shtatzëna dhe ua ka prerë fëmijët.  Folu për përpjekjet titanike të shqiptarëve për të jetuar të lirë, për sakrificat e panumërta, për burgimet, për torturat… Gjej kurajo dhe tregoju se shqiptarët janë organizuar për t’u mbrojtur si kanë mundur. Mos hezito ministre për të vërtetën, mos e moho atë, sepse ti do të ikësh me damkën e së keqes, kurse Kosovës do t’i bësh një dëm të madh.

Dëmi është bërë tashmë, ndërsa zëri i së vërtetës ka heshtur! Për heshtjen e së vërtetës kanë përgjegjësi edhe ata që ishin para jush, të cilët duke provuar të bëhen kozmopolitë në politikë rehabilituan ish-bashkëpunëtorët e regjimit. Tash këta të fundit e kanë marrë veten duke lozur me popullatën që nuk kërkon asgjë veç kushte më të mira jete pa e vënë re theqafjen. Ata  që  kishin djegur Kosovën kundër “Zajednicës”, po e bëjnë gati popullin ta pranojë “Zajednicën” e zbutur në “Asociacion”, madje pa përfillur vërejtjet e Kushtetutës. Megjithatë gatishmëria për ta zhbërë Kosovën, nuk do të kalojë heshturazi! Askush nuk duhet të mashtrohet nga opozita e shthurur dhe nga heshtja e veteranëve të rrejshëm!

 

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Qeveria ende po fsheh faktet kyçe dhe përgjegjësit për tragjedinë më të madhe që ka përjetuar Koçana

Më 16 mars humbëm 60 jetë të reja. Sot, 21 ditë më vonë, ende jemi …