Para disa ditësh, në një fshat të Mirditës, ndodhi një ngjarje tepër e rëndë, e cila shokoi gjithë shoqërinë shqiptare. Një përdhunim në grup i një vajze adoleshente, që sapo kishte mbushur të pesëmbëdhjetë pranverat. Nuk do të ndalem, as në historikun e kësaj ngjarje, e as në shkaqet që e pollën atë, sepse tashmë fenomeni i përdhunimit të femrave, madhore apo adoleshente qofshin; madje edhe incesti brenda fisit e familjes, apo pedofilia, janë bërë fenomene të zakonshme në vendin tonë, fenomene të cilat shoqërohen me ngushëllimin se “këto ndodhin në të gjithë botën”.
Po, është e vërtetë. Fatkeqësisht këto fenomene, që na ndajnë për një fije nga bota e kafshëve, ndodhin pothuaj në të gjithë botën. Sepse pothuaj në të gjithë botën sundon një sistem shoqëror, i cili pas shekujsh jetë, ka mbërritur në zgripin e tij, në degjenerimin e tij, në fundin e tij. Dhe kur një sistem shoqëror është në grahmat e fundit, siç është sistemi borgjez-kapitalist, ai bëhet tepër i rrezikshëm, kalon në nazifashizëm – korona më e fuqishme e më shkatërrimtare e shekullit të njëzet, siç ishte Lufta e Dytë Botërore.
Vendi ynë, Shqipëria, ndonëse në shumicën absolute të ekzistencës së saj mijëra vjeçare, ka bashkëjetuar me vendet e tjera përreth dhe me sistemet të tyre shoqërore, ka patur disa veçori të dallueshme me simotrat e saj të Europës e më tej. Burrëria, nderi, besa dhe sidomos shenjtëria e familjes, kanë qenë sinonimet e jetës së banorëve të saj, emërtuar ilirë, arbër dhe së fundi shqiptarë.
Edhe pse në shumicën dërmuese të kohës, shqiptarët u ndodhën pa shtet të organizuar, ata arritën të vetëqeverisen me nomet dhe kanunet e tyre, duke mos pranuar shumicën e fenomeneve të çuditshme e jo njerëzore të popujve të kontinentit plak. Nga ana tjetër, shqiptarët patën fatin që në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë të përjetonin një sistem me emrin “socializëm”, i cili, jo vetëm ruajti me fanatizëm traditat shekullore të popullit shqiptar, por edhe i pasuroi ato me elementë të rinj e të pranueshëm për kohën dhe për vetë shqiptarët. Socializmi i konsideronte çështjet e familjes si çështje të të gjithë shoqërisë. Ndaj në ruajtjen dhe konsolidimin e institucionit të familjes, nuk ishin vetëm pjesëtarët e saj, por një mori organizmash politike, shtetërore e shoqërore. E kundërta ndodh sot në sistemin borgjez kapitalist me maskë liberale. Familja shqiptare sot, ndonëse mund ta ketë vendbanimin në periferi të kryeqytetit, apo dhe brenda tij, gjendet e vetmuar sikur të ndodhet në shkretëtirën e Saharasë.
Në familjen shqiptare mund të ketë sot probleme të thella ekonomike, sociale, kulturore, morale e deri probleme dhune, por askush nuk troket në derën e saj, për zgjidhjen e këtyre problemeve.
Vetëm kur ndodh ngjarja, fenomeni e krimi, vetëm atëherë organet e specializuara të shtetit, vrapojnë të bëjnë ekspertizën e krimit, ashtu siç sulet media për të montuar skupin mediatik të radhës. A nuk ndodhi kështu me ngjarjen në Mirditë, kur krimi i organizuar ndaj vajzës adoleshente, kishte nisur në muajin janar dhe vetëm pas pesë muajsh, “ra në vesh” të organeve të pushtetit, të arsimit e të policisë?
Dhe ky krim makabër, u nis e u “zhvillua” në jo më larg se tre kilometra distancë nga qendra e qytetit të Rrëshenit, ku bëjnë hije zyrat dhe nëpunësit shtetërorë të bashkisë, Komisariatit të Policisë dhe të Drejtorisë Arsimore të Rrethit. Siç e cekëm edhe më lart, ngjarja në fjalë, shokoi jo vetëm banorët e Mirditës, por gjithë shoqërinë shqiptare. Dy tre ditë më vonë, në disa qytete, gjer dhe në Shkodër, disa shoqata joqeveritare organizuan marshime e protesta nëpër qytete, duke dënuar krimin dhe kërkuar dënimin maksimal të dhunuesve.
Në mbrëmjen e datës 25 maj, në TV Top Channel pati edhe një panel me analistë e gazetarë të medias, si dhe përfaqësues të komuniteteve fetare. Të gjithë pa përjashtim dënuan aktin e shëmtuar, duke kërkuar dënime shembullore për të dyshuarit e përdhunimit të adoleshentes.
Në analizat dhe komentet e tyre, panelistët u munduan të evidentonin shkaqet e këtij fenomeni, i cili, në vitet e fundit po merr përmasa të paparashikuara. Por asnjëri nga ata, nuk arriti të citonte emrin e shkaktarit të vërtetë të këtij fenomeni, që po lulëzon tek ne prej tri dekadash. Ata nuk arritën, nuk deshën, apo nuk guxuan të thonë shqip, se shkaktari i këtij fenomeni është sistemi kapitalist i degjeneruar gjer në gen. Kryesisht ata u ndalën tek familja, tek organet e policisë, tek nëpunësit shtetërorë që mbulojnë arsimin, ku adoleshentja është nxënëse, etj., por nuk guxuan të thonë se shkaktari kryesor është sistemi që kemi zgjedhur të eksperimentojmë, ndonëse ia dimë “rezultatet” prej dy apo tri shekujsh. Por jo vetëm kaq.
Panelistët në emisionin televiziv, përveç sa më sipër, nuk e kanë kuptuar, se në vendin tonë gjatë këtyre tri dekadave kontroverse, përdhunimi, jo vetëm ka qenë në rend të ditës, por ai ka përfshirë gjithë shoqërinë shqiptare. Përdhunimi ka përfshirë politikën, ekonominë, jetën social-kulturore, familjen, arsimin, shëndetësinë dhe çdo sferë të jetës shoqërore. Shumica e qytetarëve shqiptarë, përfshi edhe politikanët, deputetët e pushtetarët, nuk e ngrysin ditën, pa një përdhunim kolektiv, familjar apo personal. Qytetari i thjeshtë, pa mbështetje e pa përkrahje, përdhunimet i ka më të shumta, duke filluar nga fatura afrofe e OSHEE, gjoba e bashkisë, rrëmbimi i pronës, vjedhja nga maskat, mos marrja e drejtësisë, gënjeshtra e deputetit, politikanit e zyrtarit, manipulimi i votës, keqtrajtimi në zyrat e komisariatit, mosdhënia në kohë e ndihmës sociale, largimi nga puna me SMS apo me telefon, mungesa e kujdesit shëndetësor, dhuna fizike brenda familjes, etj. etj., përdhunime të cilat nuk janë hiç më të lehta se përdhunimi seksual.
Por edhe politikanët e shtetarët nuk mbeten jashtë përdhunimit. Edhe ata, përdhunohen midis njëri-tjetrit, sipas shkallës së hierarkisë, nga fundi i piramidës shtetërore e gjer në majë të saj, një përdhunim moral, përdhunim karriere, posti e fitimi. Pa lënë mënjanë kreun e piramidës shtetërore, që përdhunohet çdo ditë nga poshtë (baza), por edhe nga lart (institucionet mbi të), përfshi ndërkombëtarët, që kanë në dorë karrierën e tyre në politikë e në pushtet. Sot në vendin tonë, askush nuk mbetet jashtë përdhunimit. Jo vetëm për hir të pozicionit politik, shoqëror e shtetëror, por edhe për nje arsye më themelore. Dhe kjo “arsye themelore”, është liria dhe pavarësia e atdheut.
Prej vitit 1990, Shqipëria ka humbur edhe lirinë edhe Pavarësinë si shtet, si popull, si republikë, si komb. Është pak të thuash që Republika jonë është “Republikë bananesh”, apo “Republikë kumbullash”, ngaqë ne nuk prodhojmë banane. A nuk është përdhunim loja e kancelarive të BE me negociatat, kur disa nga zyrtarët europianë na përgëzojnë për arritjet, siç ishte rasti më i fundit i ambasadorit Soreca dhe nga ana tjetër vjen pakënaqësia e Brukselit, për ekzistencën e korrupsionit, këtij fenomeni të huazuar nga Europa e djeshme dhe e sotme? A nuk është përdhunim fakti që, megjithëse jemi ligjërisht dhe faktikisht pjesëtarë të NATOS, megjithëse na u tha ta shkatërronim arsenalin shembullor të armatimit, si me demek të “vjetërsuar”, ende pas 12 vitesh nuk na lejohet të kemi të paktën një top, një tank, një anije, a një avion, jo për mbrojtjen e kufijve tanë, por të paktën ta kemi si koleksionin e Noes, kur u përmbys Bota?
A nuk ishte përdhunim zbarkimi i mijëra ushtarëve amerikanë të NATO-s, me arsenalin e fuqishëm të armatimit të tyre në portin tonë të Durrësit, e ne nuk kishim qoftë edhe një grykë topi, që t’i përshëndesnim ata me një “sharapnel”? Për të mos folur për ato stërvitjet treguese, që na i shfaqën tek sheshi “Nënë Tereza”, veprime që brezi im i ka përcjellë këtu e pesë dekada më parë dhe me një shkallë vështirësie shumëfish më të lartë?
Dhe më në fund:
A nuk është një përdhunim i papërfytyrueshëm, rasti më i fundit që lidhet me ish-presidentin dhe ish-kryeministrin Berisha, të cilin edhe pse CV-në e tij e ka deng me krime, ne kemi frikë ta prekim edhe me gishtin e vogël të dorës, ndaj presim Nënëdajën Amerikë, të lëshojë qarkoret e saj bufka me emrin “non grata”, që Saliu si “mandarin” i saj, i përcjell me dhallë nga Bjeshkët e Nemuna.
Përdhunimi i vajzës adoleshente në Tarazh të Mirditës, nuk është rasti i parë i këtij fenomeni dhe as i fundit. Përdhunime të tilla do të kemi çdo ditë dhe madje në rritje të rasteve, sepse sistemi që po përjetojmë dhe po përtypim përgjumshëm, është ngritur mbi perversitetin, mbi përdhunimin, mbi krimin dhe për pasojë pjell çdo ditë perversitetin, përdhunimin, krimin. Shqiptarët sot, janë populli më i përdhunuar në Ballkan. Në radhë të parë i kanë përdhunuar lirinë dhe pavarësinë e vendit të tyre dhe kur përdhunohet liria e pavarësia, gjithçka tjetër është “aset” i përdhunimit.