Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj është cituar të ketë deklaruar se Qeveria e Albin Kurtit nuk po sjellë të reja në negociatat me Serbinë, por vetëm kompromise të reja të cilat sipas tij janë më të dëmshme sesa ato të mëhershmet. Ai e ka pyetur Kurtin se çka ka premtuar prapa dyerve të mbyllura. “Çka premtove prapa dyerve të mbyllura Albin? Pranove që ke hequr dorë nga kërkim falja e Serbisë për krimet e luftës në Kosovë? Pranove që asociacioni i komunave serbe tashmë është i pranueshëm për ty? E përsërite deklaratën tënde e të vartëses suaj Gërvalla se ish udhëheqësit e UÇK-së kanë kryer krime lufte?”, ka pyetur Molliqaj. Të rejat e vetme që Kurti po i sjellë në negociata janë vetëm kompromiset e reja. Madje kompromise edhe më të dëmshme sesa ato të mëhershmet, pasi që do ta thellojnë krizën në vend e nuk do ta zgjidhin përfundimisht problemin tonë me Serbinë.