III. Kristofer Hill: Dobësimi i shteteve arabe dhe Kalifati

Në një rajon ku krizat janë të zakonshme, cikli më i fundit i dhunës në Lindjen e Mesme po tregon se diçka më e madhe është duke ndodhur: fillimi i shpërbërjes së shtetit-komb arab, që reflektohet në fragmentimin në rritje të Arabisë sunite.

Shtetet në Lindjen e Mesme po bëhen më të dobët se kurrë, teksa autoritetet tradicionale, qofshin këta monarkë të plakur apo udhëheqës autoritarë laikë, po duken gjithnjë e më të paaftë për t’u kujdesur për popujt respektivë. Teksa autoriteti i shtetit dobësohet, aleancat fisnore dhe sektariane forcohen.

Çfarë do të thotë sot të jesh irakian, sirian, jemenas apo libanez? Çdo identifikim kuptimplotë kërkon edhe një fjalë shoqëruese – irakian sunit, sirian alavit, e kështu me radhë. Siç e tregojnë këta shembuj, identiteti politik ka ndryshuar në diçka më pak civile dhe më të lashtë.

Me Irakun në flakë, pushtimi i koalicionit të udhëhequr në SHBA fajësohet më së shumti për futjen në këtë vend, mënyrë të pavetëdijshme të një koncepti sektarian të identitetit. Në fakt, sektarianizmi ka qenë gjithmonë gjallë në Irak, por ai tani është shndërruar në forcën shtytëse dhe parimin organizues të politikës në vend.

Kur pakicat sektariane apo etnike kanë udhëhequr shtetet – për shembull sunitët e Irakut – ato zakonisht kanë një interes të madh në minimizimin e sektarianizmit apo etnisë. Zakonisht këto bëhen mbështetëset kryesore të një koncepti më të gjerë dhe më civil të përkatësisë kombëtare, në teori duke përfshirë të gjithë njerëzit. Në Irak ky koncept ishte baathizmi. Dhe ndërkohë që identifikohej më shumë me pakicën sunite se sa me shumicën shiite, ai qëndroi për disa dekada si një nxitës i unitetit kombëtar, ndonëse një mjet mizor dhe cinik.

Kur partia Baath u shkatërrua prej pushtimit të SHBA-ve, ajo nuk u zëvendësua nga asnjë koncept i ri civil. Për mbushjen e boshllëkut politik që u krijua, sektarianizmi ishte i vetmi parim alternativ i organizimit.

Kështu, sektarianizmi erdhi e u shndërrua në kuadër të politikës irakiane, duke e bërë të pamundur organizimin e partive josektariane, për shembull mbi bazën e interesave socioekonomikë. Në politikën irakiane sot, rrallëherë ndodh që një arab sunit të votojë për një arab shiit, apo e anasjellta. Ka konkurrencë mes partive shiite dhe partive sunite, por shumë pak votues e kapërcejnë vijën sektariane – një realitet i zymtë ky, që nuk ka gjasa të ndryshojë në vitet që do të vijnë.

Mund të ketë njëfarë vlere fajësimi i SHBA-ve për gjendjen e sotme në Irak (ndonëse alternativa e lënies në pushtet të partisë Baath të Sadam Huseinit nuk ishte shumë ndjellëse). E njëjta gjë mund të thuhet për Libinë (ndonëse SHBA-të nuk e udhëhoqën atë ndërhyrje). Por, SHBA nuk ka pushtuar asnjërin prej vendeve të tjerë të Lindjes së Mesme – për shembull, Libanin, Sirinë dhe Jemenin – ku mbijetesa e shtetit është gjithashtu në dyshim.

Ka shumë arsye për dobësimin e shteteve-kombe arabe, ku më e forta është trashëgimia dhe efektet e Pranverës Arabe. Në fillimet e saj në 2011, popujt arabë dolën në rrugë në kërkim të rrëzimit të regjimeve monarkikë apo autoritarë, të cilët perceptoheshin se kishin humbur energjinë dhe orientimin. Por, ato demonstrata fillestare, të cilave shpesh herë u mungonin udhëheqësit e identifikueshëm dhe programet, shumë shpejt ua lanë vendin zakoneve të vjetër.

Kështu që, pavarësisht të gjithë premtimeve të fillimit për tranzicion politik në Egjipt pas rrëzimit të regjimit të Husni Mubarakut, rezultati ishte krijimi i një qeverie të Vëllazërisë Myslimane, ideologjia përjashtuese e të cilës e bënte një kandidat të pagjasë për sukses kohëgjatë. Që në fillim, shumica e vëzhguesve besonin se i kishte ditët e numëruara.

 

Kur Ushtria rrëzoi Vëllazërinë Myslimane një vit më vonë, shumica e egjiptianëve që ishin frymëzuar prej demokracisë së Pranverës Arabe, e mbështetën. Egjipti ka ndjenjën më të fortë të shtetësisë në rajon. Megjithëkëtë, është shndërruar në një shoqëri të ndarë dhe do t’i duhen shumë vite të rimëkëmbet.

Shtete të tjerë janë edhe më të pafatë. Karagjozllëku i ligë i Gadafit në Libi i ka lënë vend tribalizmit të beduinëve që do të jetë e vështirë të shndërrohet në një shtet-komb funksional, nëse Libia ka qenë ndonjëherë i tillë. Edhe në Jemen kanë pllakosur grindjet fisnore dhe një ndarje sektariane që sfidon hapur shtetësinë. Dhe, Siria, një amalgamë e brishtë e sunitëve, alavitëve, kurdëve, të krishterëve dhe sekteve të tjerë, me shumë gjasa nuk do të rindërtohet kurrë si shteti që ishte dikur.

Këto procese kërkojnë një qasje politike më të gjerë dhe shumë më gjithëpërfshirëse nga vendet perëndimore. Qasja duhet të marrë në konsideratë sinergjitë e rajonit dhe të mos injorojë faktin që ndryshimet që po dobësojnë këta shtete, nuk kanë lidhje mes tyre.

Sidomos SHBA-të duhet të ekzaminojë se si e ka menaxhuar shpërbërjen e Sirisë dhe Irakut, dhe të pushojë së trajtuari secilin rast, sikur nuk ka lidhje mes tyre. Amerika kërkoi ndryshim regjimi në të parin ndërkohë që po kërkon stabilizim regjimi në të dytin. Dhe, në vend të këtyre, tani ka Shtetin Islamik në të dyja.

(Christopher R. Hill, ish Nënsekretar Shteti i SHBA për Azinë Lindore. Ka qenë i Dërguar Special i SHBA në Kosovë si dhe negociator për Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit. Përgatitur nga: bota.al

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …