Mbi 100 kompani vendore dhe ndërkombëtare në Panairin e Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2016”

Në organizim të Odës Ekonomike të Kosovës është hapur edicioni i 17-të tradicional i Panairit të Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2016” i cili po tubon mbi 100 kompani vendore dhe ndërkombëtare

Këto biznese vendore dhe ndërkombëtare janë nga sektorë të ndryshëm të prodhimit, përpunimit, bujqësisë, shërbimeve, tregtisë dhe zejtarisë. Në hapje të panairit të pranishëm ishin udhëheqësit më të lartë shtetëror të Kosovës, përfaqësues të misioneve diplomatike, përfaqësues të biznesit dhe ndërmarrës të shumtë nga vendi dhe bota,

“Është kënaqësi të jemi këtu bashkë për të promovuar vlerat e ekonomisë kosovare dhe të njëjtën kohë të promovohet një partneritet publiko–privat, që dëshmon se ekonomia dhe zhvillimi ekonomik nuk ka alternativ” tha me rastin hapjes solemne, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, duke ftuar të pranishmit që ta shikojnë edhe një film dokumentar mbi punën 17 vjeçare të OEK-ut dhe historikun e këtij panairi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi se organizimi i këtij panairi tradicional që është rritur vazhdimisht për nga masiviteti, cilësia dhe prezenca e larmishme e produkteve, jep një kontribut me vlerë të veçantë për shkëmbimet tregtare të Kosovës, si me shtetet e rajonit, ashtu edhe më gjerë.

Ai potencoi faktin se të gjithë në Kosovë duhet ta mbështesin integrimin e Kosovës në tregun e përbashkët të BE-së dhe duhet të përpiqen për të siguruara tregje të reja për prodhimet dhe shërbimet kosovare.

I pari i vendit theksoi nevojën e madhe që ka Kosova për investimet e huaja, por njëkohësisht tha se Kosova ofron mundësi të shumta për sipërmarrësit e huaj.

“Në fillim të këtij muaji hyri në fuqi dhe filloi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, që jo vetëm i ka hapur rrugë anëtarësimit të Kosovës në BE, por edhe i ka dhënë një shtytje integrimit të ekonomisë në tregun e përbashkët evropian”, tha Thaçi.

Kryeministri Isa Mustafa shprehu kënaqësinë e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunimin që ka pasur me OEK-un dhe asociacionet tjera të bizneseve, në ndërtimin e politikave ekonomike dhe fiskale që, konsideron ai, janë gjithnjë e më të pranueshme për biznesin dhe po japin rezultatet e tyre konkrete.

“Kemi bërë disa reforma të rëndësishme sa i përket politikave fiskale të cilat në pikëpamje të deklarimit të bizneseve po shprehen pozitivisht në të bërit biznes dhe në një ambient krejtësisht më të mirë ekonomik se sa që kemi pasur deri më tash. Qeveria do të vazhdojë edhe më tutje me ndryshime, varësisht nga dialogu ynë dhe varësisht nga disponimi dhe kërkesat e bizneseve. Do të vazhdojmë po ashtu të krijojmë një ambient për t’i përgatitur bizneset tona që të implementojnë Marrëveshjen për Stabilizim Asociim”, tha kryeministri Mustafa.

Në fund, ai shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që vazhdimisht të bashkëpunojë dhe të ndërtojë politika ekonomike që do t’i ndihmojnë zhvillimit ekonomik të vendit dhe krijimit të vendeve të reja të punës, duke theksuar se Kosova aktualisht po përgatite që të punoj në implementimin e programit të Korporatës së Sfidave të Mileniumit si një përkrahje tepër e madhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zhvillimin ekonomik, në reformat sociale dhe në ndërtimin e shtetit ligjor.

Të gjithë ata që dëshirojnë ta vizitojnë panairin, duhet shtuar theksuar se hyrja është falas dhe organizatorët kanë siguruar transport, po ashtu falas, nga qendra e Prishtinës deri në Qendrën e Panaireve dhe anasjelltas, çdo 30 minuta. Panairi do të jetë i hapur deri të shtunën, më 23 prill.

Kontrolloni gjithashtu

Sot në Kuvendin e Kosovës mbahet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga partitë opozitare

Deputetët flasin për detyrimet e mundshme financiare të Kosovës

Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën plenare, ku do të diskutohet lidhur me detyrimet e mundshme …