Bugajski

Janusz Bugajski: Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do shënonte ndarjen e saj nga Serbia dhe mbrojtjen e NATO-s

Ndërsa pakënaqësitë e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor vazhdojnë të shtohen, vizioni i Shqipërisë së madhe duket në horizont. Zhgënjimi në masë me qeveritë, partitë kryesore, kushtet ekonomike dhe agjencitë ndërkombëtare mund të përdoret nga politikanë ambiciozë, që premtojnë bashkim kombëtar. Pesë zhvillime të rëndësishme do ta nxisin projektin pan-Shqipëri: zhgënjimi i brendshëm, aspiratat e fikura për në BE-së, axhenda për Serbinë e Madhe e Beogradit, gabimet amerikane dhe vizionet pozitive për vetë bashkimin.

Në Shqipëri dhe Kosovë pakënaqësia dhe zhgënjimi prej politikanëve të korruptuar, mos zhvillimit ekonomik, papunësisë dhe qeverisjes së dobët në mbarim të pandemisë COVID janë rritur në masë. Zgjedhjet elektorale bëjnë pak ndryshim, pasi shtetet dominohen nga grupe interesi që përdorin qeveritë për të pasuruar veten dhe për të qëndruar në pushtet. Mundësitë e kufizuara të punësimit i detyrojnë të rinjtë, të arsimuarit dhe ambiciozët të emigrojnë. Qeveria e re e Vetëvendosjes në Kosovë është zotuar të shuaj korrupsionin dhe të stimulojë ekonominë, por popullin do ta bindin veçse rezultatet.

Mungesa e çfarëdo perspektive reale për tu pranuar në BE, gjithashtu, kontribuon në pakënaqësinë e popullit. Reputacioni i Bashkimit (Europian) ka marrë një goditje të rëndë e do të ulet edhe më, nëse bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk nisin. Procesi është shtyrë kryesisht sepse Bullgaria po luan kartën nacionaliste, duke këmbëngulur që mosmarrëveshja e saj me Shkupin mbi historinë dhe gjuhën duhet të zgjidhet përpara se negociatat të fillojnë.

Shumë dështime të tjera të BE-së e kanë thelluar pakënaqësinë. Brukseli është treguar tepër i ngadaltë në sigurimin e vaksinave të koronavirusit për Ballkanin, duke i bërë disa (vende) që t’i drejtohen Kinës dhe Rusisë. Mohimi i liberalizimit të vizave për Kosovën i kthen shqiptarët në të vetmit të përjashtuar në bazë etnike në kontinent. Investimet e pamjaftueshme ekonomike të BE-së në shtetet e varfëra të Ballkanit kontribuojnë në migrimin jashtë dhe ndihmojnë në rritjen e varfërisë dhe radikalizimit.

Pakënaqësia e shqiptarëve shtohet edhe nga toleranca e BE-së ndaj axhendës së Beogradit për Serbinë e Madhe. Presidenti Aleksandër Vuçiç ka ringjallur projektin që (synon) marrjen e territoreve fqinje me popullsi të madhe serbe dhe dominimin e shteteve në afërsi. Bosnje-Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi qëndrojnë në paravijën e mbrojtjes së sovranitetit të tyre, por marrin ndihmë të pamjaftueshme politike dhe sigurie nga BE. Ndërkohë, irredentizmi serb mbështetet drejtpërdrejt nga Moska.

Për shqiptarët, mospërfundimi i bisedimeve Prishtinë-Beograd, mosnjohja e shtetësisë së Kosovës nga pesë anëtarë të BE-së dhe pamundësia e Kosovës për tu anëtarësuar në organizata të mëdha shumëkombëshe si KB, nxit perceptimet që, në kryeqytetet e BE-së, pan-serbizmi nuk dënohet.

Një rrezik tjetër janë gabimet e SHBA-ve në marrëdhëniet me rajonin. Kjo përfshin dështimin e Uashingtonit për t’u përballur me qeverinë e koalicionit të Malit të Zi që është gjerësisht nën ndikimin e Beogradit, çfarë ndikon negativisht pavarësinë e Malit të Zi. Ndalimi selektiv i udhëheqësve shqiptarë për të hyrë në SHBA, për shkak të akuzave për korrupsion, siç është rasti i ish-kryeministrit Sali Berisha, mund të konsiderohet si diskriminim ndaj shqiptarëve, në rast se politikanë të tjerë të rëndësishëm të Ballkanit që akuzohen për korrupsion përjashtohen nga ndalimet.

Në këto kushte dëshpërimi, ideja e bashkimit kombëtar të shqiptarëve në një strukturë shtetërore mund të kthehet në një mesazh shprese për njerëzit e zakonshëm. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të konsolidonte ndarjen e saj (Kosovës) nga Serbia, do të siguronte mbrojtjen e saj nën ombrellën e NATO-s, do t’i jepte Prishtinës një qasje më të madhe globale dhe do t’u mundësonte kosovarëve të fitonin pasaporta shqiptare. Nëse mbështetja për bashkim shtohet, një grup më i gjerë politikanësh do të fillojnë të konkurrojnë me axhendën mbarëkombëtare. Disa figura kryesore politike tashmë po luajnë me këtë nocion, sa për t’i dërguar një sinjal aktorëve ndërkombëtarë aq edhe për të matur reagimin e popullit.

Bashkimi shqiptar raportohet se po merr miratim, teksa sondazhet e opinioneve tregojnë se, në rastin e një referendum, një shumicë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë do të votonte pro tij. Para zgjedhjes së tij, Kryeministri Albin Kurti pohoi se nëse do të mbahej një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë ai do të votonte “pro”. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka pohuar se një shtet i përbashkët është i pashmangshëm, megjithëse në Tiranë kjo zakonisht nënkuptohet si brenda kufijve të BE-së. Por sa më shumë që anëtarësimi në BE të shtyhet, aq më tërheqës do të bëhet bashkimi i shteteve.

Beogradi e manipulon spektrin e një Shqipërie të Madhe, duke deklaruar se Kosova duhet të mbetet pjesë e Serbisë në mënyrë që të parandalohet destabilizimi i mbarë gadishullit Ballkanik. Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi gjithashtu shqetësohen nga pan-shqiptarizmi i mundshëm, ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi janë nën presionin e Serbisë së Madhe dhe kanë frikë se dy lëvizje të mëdha “pan” do të forconin njëra-tjetrën. Sipas një skenari optimist, të gjitha projektet e zgjerimit të shteteve do të neutralizoheshin me sukses përmes unifikimit pan-Evropian. Sipas një skenari alternativ, pakënaqësitë që i ushqejnë ato (ide) do të ktheheshin në një bombë me sahat në një rajon gjithsesi të paqëndrueshëm.

http://www.gazetadita.al/ne-horizont-shqiperia-e-madhe-janusz-bugajski-reputacioni-i-be-ka-marre-nje-goditje-te-rende-dhe-do-te-ulet-edhe-me-nese-bisedimet-me-shqiperine-dhe-mv-nuk-nisin/ (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …