FMN-ja kërkon reformim të listave të kategorive të dala nga lufta

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kërkuar reformim të listave të kategorive të dala nga lufta. Përfaqësuesi rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, Ruud Vermeulen ka deklaruar se kostoja vjetore e skemave të përfitimeve, të lidhura me luftën në Kosovë, është duke u rritur me shpejtësi të madhe dhe do të mundë të arrijë shumën prej 100 milionë eurosh apo edhe më shumë deri në vitin e ardhshëm kundrejt 60 milionë eurove që ishin ndarë në buxhetin e vitit 2016 për të gjitha skemat e dala nga lufta. Ai ka theksuar më tutje se roli i veteranëve të luftës për të siguruar pavarësinë e Kosovës dhe sakrifica e tyre janë të mirënjohura dhe duhet të vlerësohen. Sikurse në çdo vend tjetër të botës, çështja kyçe ka të bëjë me mënyrën më efektive për ta treguar mirënjohjen për veteranët e luftës për shërbimin e tyre dhe për ta mbështetur rolin e tyre efektiv në jetën civile.

Përfaqësuesi rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, Ruud Vermeulen ka përkujtuar më tutje se kur ka filluar të zbatohet skema në tetorin e vitit të kaluar pritej që deri në 13.000 veteranë të luftës do të kualifikoheshin për ndihmë me të ardhura, të ashtuquajturin pension të veteranëve të luftës, i cili përcakton se atë mund ta marrin vetëm veteranët që nuk kanë të ardhura. Megjithatë, është e mundur që deri në fund të këtij muaji më shumë se 22.000 veteranë të luftës do ta marrin këtë pension, ndërsa ky numër është duke u shtuar dita-ditës. Sikur kjo të mos mjaftonte, tani ka kërkesa që të zgjerohet edhe numri i invalidëve të kualifikuar të luftës, 17 vjet pas përfundimit të luftës.

Kontrolloni gjithashtu

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili reagoi kundër kallëzimit penal të ministrit Faton Peci

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të paraqitur nga ministri i …