( Fragment nga romani: “Mic Sokoli” të shkrimtarit e atdhedashësit të shquar shqiptar, Sylejman Krasniqi)
Në Prizren, përballë kalasë, gjashtëdhjetë hapa larg Bistricës do të mbahej kuvendi shqiptar.
Sylë Vokshi, Haxhi Zeka, Ali Iber Neza, Binak Alia, Ahmet Koronica, kishin udhëtuar me luftëtarët e Malësisë së Gjakovës deri në kodrat e Landovicës. Përpara se të ndaheshin, Syla i kishte porositur:
─ Ne po hyjmë në Prizren, që të bisedojmë me Ymer Prizrenin, kurse ti Mic me trimat e Malësisë na pritni në këtë vend…
Ai trupmadhi me mustaqe të gjata e qeleshen shtrembër e mbi sy ishte Sylë Vokshi. Në krahun e djathtë të tij ishte një mustaqezi e me mjekër. Mici në fillim nuk e njohu. Kur po zbrisnin në luginën që ngjan me shalën e kalit, Mici e njohu mjekërziun. Ishte Abdyl Frashëri …
─ I fortë, Mic Sokoli?
─ Të paçim, Abdyl Frashëri…
─ Ju jeni garda e parë e shtetit shqiptar, në bërthamë, ─ i tha Abdyl Frashëri…
─ Mic, ─ e sqaroi më tej Abdyli, ─ … Kemi vendosur të lidhim besën në të gjitha viset e Shqipërisë. Andaj duhen marrë të gjitha masat. Detyra jonë e parë është të shpëtojmë mëmëdheun nga rreziku i copëtimit…
Fjala, kur e mbron pushka e ndien vetën më të fortë, zë vend sipas peshës. ( Këtë fjali e tha Mic Sokoli në kuvendim me Abdyl Frashërin.)
─ Fjala krismë Abdyl Frashëri! ─ tha Mici …
Të nesërmen në mëngjes u mblodhën përfaqësuesit në kuvend, Ymer Prizreni e hapi mbledhjen, pastaj e mori fjalën Abdyli…
Atë çast Abdyl Frashëri tha:
─ Të bashkohemi në një besë të gjithë shqiptarët, pa dallim feje e krahine! O të rrojmë të lirë o të vdesim duke luftuar…
Abdyl frashëri lexoi:
─ Të katër vilajetet shqiptare të bashkohen, në një. Shqipëria të jetë e bashkuar, unike si tërjetë!
─ Fjala krismë pushke, Abdyl Frashëri! ─ thirri Mic Sokoli nga jashtë…
─ Shqipëria, të shpallet hëpërhë shtet autonom dhe nëntëdhjetë e pesë për qind të të ardhurave t’i përdorë për vete, për shkollat, mbajtjen e ushtrisë, kanalizimet, ─ fliste Abdyl Frashëri. ─ Të hapen shkollat shqipe ku të mësojnë të gjithë fëmijët e Shqipërisë. Të varfërve t’u jepen mjetet mësimore falas.
“ Diell e dritë, mendja jote, o Abdyl Frashëri! “ ─ tha Guri Rrapoja.
“ Guri, ─ pyeti Mici, ─ Abdyli ka lindur i mençur, apo këtë dije e fjalëflakë e ka kënduar nëpër libra? Si ta merr mendja?”
“ S’ bëhet vreshta me urata , po me shata e lopata!”─ ia ktheu Guri.
─ Nëpunësit turq të zëvendësohen me nëpunës shqiptarë, ─ tha Abdyli.
“ I pari nëpunës, ─ tha Mici, ─ do të jetë famulli im Gjetë Halla. Është i kënduar, ka bërë tre vjet medrese!”─
─ Të pajtohen, të gjitha gjaqet midis familjeve, fshatrave, krahinave! ─ lexoi Abdyli, vendimet që do të aprovonte kuvendi.
─ Të hiqet nga fuqia ligji turk që ndalon shqiptarët të mbajnë armë pa leje! ─ propozoi Sylë Vokshi…
─ Shëno edhe më të madhen, ─ thirri Shaip Spahiu. ─ Shqipëria të shpallet e pavarur e sovrane! Nëse laviret diplomatike nuk e dëgjuan zërin tonë, nëse komshinjtë lakmiqarë do t’i zgjatin putrat e tyre drejt trojeve tona, do të ndiejnë në trup kafshimet e plumbave tanë!
─ Ta lumsha! ─ thirri Mic Sokoli matanë dritares. ─ Fole sikur të ma këndoje dëshirën e zemrës!
(E përgatiti për botim, Isuf Ismaili)