U shënua 14 Qershori-Dita e çlirimit të komunës së Vitisë dhe u inaugurua stadiumi i qytetit

Me përkujtimin e veprës së atyre që ranë për lirinë dhe pavarësinë e vendit, si dhe vendosjen e kurorave me lule pranë varreve të tyre në varrezat e dëshmorëve në Viti, kanë nisur aktivitetet për Ditën e Çlirimit të komunës së Vitisë. Me këtë rast, mbi varret e dëshmorëve të kombit të komunës së Vitisë, homazhe bënë subjektet politike, Organizatat e dala nga lufta, Institucionet tjera, policia, ushtria e Kosovës, Gjykata, QKMF-ja, familjet e dëshmorëve etj. Aktivitetet tjera për Ditën e çlirimit të komunës së Vitisë më pas vazhduan me manifestimin qendror që u mbajt në stadiumin e qytetit, i cili edhe u inaugurua, pas investimeve që janë bërë aty. Në fjalën e rastit, kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, duke uruar qytetarët për këtë ditë, tha se datat e rëndësishme që i shkëpusim nga rrjedha e historisë së lavdishme, janë të veçanta dhe karakterizohen me përkushtimin dhe sakrificën e popullit shqiptar për liri e pavarësi. “Në cilësinë e të parit të komunës, sot po ju drejtohem nga kjo fushë e blertë e me këtë bukuri, që në këtë datë të rëndësishme për gjithë qytetarët e Komunës së Vitisë, 14 Qershorin, t`iu përcjellë urimet më të sinqerta, me dëshirën që e ardhmja të na gjejë edhe më të unifikuar drejt sukseseve të reja. 22 vite më parë, pikërisht më 14 qershor, pas shumë shekujve robëri, qytetarët e Komunës së Vitisë, përfundimisht frymuan lirshëm. Kjo liri e shumëpritur, erdhi fal punës, sakrificës si dhe luftërave të lavdishme të shumë e shumë burrave dhe grave të këtij vendi, të cilët sakrifikuan çdo gjë nga vetja e tyre që brezat e rinj të jetojnë të lirë si gjithë popujt tjerë të botës”, tha kryetari Haliti. Ai më pas theksoi se ishte sakrifica e arsimtarëve, mjekëve, punëtorëve, të rinjve e të rejave, si dhe politika e mençur e shoqëruar me kërkesën për pavarësi e presidentit historik Ibrahim Rugova, bashkë me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e prirë nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, që ne sot të festojmë lirshëm. “Në këtë ditë, secili nga ne duhet ta kujtojmë edhe NATO-në, e cila pas një fushatë të bombardimeve arriti që në këtë ditë të vitit 1999, përfundimisht, së bashku me ushtarët e UÇK-së, ta realizojë çlirimin e Kosovës. Për këtë gjë populli i Kosovës, duhet përherë ti jetë mirënjohës miqve të saj të shumtë, në krye me shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët ndihmuan që ëndrra e lirisë dhe pavarësisë të bëhet duke ndërtuar dhe realizuar një shtet të tipit demokratik, evropian dhe perëndimor, me synime reale për t’u anëtarësuar në strukturat politike e ekonomike të Bashkimit Evropian, që të jetë pjesë e NATO-së”, tha ai. Ndërsa duke folur për aktivitetet dhe punën e Institucioneve komunale të Vitisë, kryetari Haliti u shpreh se komuna e Vitisë, Ditën e Çlirimit, këtë vit e prêt me shumë të arritura në të gjitha fushat e jetës, pasi falë kontributit të qytetarëve si dhe bashkëpunimit me donator të ndryshëm vendor dhe ndërkombëtar, janë kryer e po finalizojmë qindra projekte të cilat mundësojnë arsimim më cilësor të nxënësve, shërbime më të mira shëndetësore për qytetarët, fusha sportive për sportistët, ambiente më të përshtatshme për artistët, kushte pushimi më të mira për pensionistët, si dhe një ambient të përshtatshëm për zhvillim të biznesit, bujqësisë, blegtorisë dhe fushave tjera që ndikojnë në punësimin më të madh të qytetarëve tanë. “Rezultat i kësaj pune, është edhe realizimi i këtij projekti që po e inaugurojmë sot, Stadiumit të Qytetit të Vitisë, i cili tani e tutje do të mundësoj kushte më të favorshme për ekipin vitias të futbollit në garat nacionale. Jo vetëm kjo fushë, por edhe stadiumi në Pozheran, e gjithashtu edhe fusha tjetër përgatitore e ekipit Vllaznia, do të jenë së shpejti në shfrytëzim, në mënyrë që këtij klubi, të mos i mungojnë kushtet e nevojshme për zhvillimin e futbollit në komunën tonë”, përfundoi kryetari Haliti. Për rendësin e ditës së çlirimit, si datë historike për komunën e Vitisë, folën edhe Qemajl Rexhepi nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve në Viti dhe Selami Neziri, Komandat i brigadës 173 të UÇK-së. Më pas, në këtë manifestim me një performancë u paraqitën anëtaret e Klubit të Gjimnastikës “Halil Alidemaj”, si dhe Agim Agushi. Ndërkaq një program të pasur kulturo-artistik me këngë e valle e shfaqën anëtarët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Kemajl Azizi” por edhe nga Kori i qytetit. Gjithashtu gjatë këtij aktiviteti u ndanë mirënjohje për ata që kanë kontribuar për të mirën e kësaj komune. Përndryshe në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Çlirimit të komunës së Vitisë, u hap edhe Panairi i produkteve bujqësore, industriale e artizanale, në sheshin e qytetit “Nijazi Azemi”.

Fotografia e Komuna e Vitisë

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …