leoni

Latifi: BEDRUSHI E FEIMI NGJALLIN NDERIM, RESPEKT E ADMIRIM

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, me rastin e rastin e zbulimit të shtatoreve të heronjve të Kombit, Bedrush e Feim Gashi në 22-vjetorin e çlirimit, para të pranishmëve ka mbajtur një fjalim, ku ndër të tjera ka thënë:   Të respektuar familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës, struktura të pushtetit qendror e lokal, të nderuar qytetarë të pranishëm, është nder i veçantë për mua të flas edhe në këtë përvjetor për një epokë të lavdishme të popullit shqiptar. Lufta për çlirim është akti më madhor dhe më fisnik i një populli të pushtuar. Njerëzit jetojnë e vdesin për ideale dhe historia e njerëzimit është e mbushur me akte të këtilla. Pavarësisht dhunës e represionit që i bëhej popullit shqiptar, gjithnjë pati djem e burra që gjetën rrugë e mënyra për ta luftuar të keqen. Sot jemi në një vend ku njëzet e tri vite më parë u ndez pishtari i lirisë dhe u bart nga vajza e djem të guximshëm dora më dorë, flakë që vazhdon të ngrohë zemrat tona. Natyrisht se ky rrugëtim nuk ishte i lehtë. Është një rrugëtim që ende vazhdon, sepse plagët tona janë të hapura, ndërsa vaji e dhimbja për më të dashurit tanë na përcjellin në çdo hap të jetës. Përpjekjet mbinjerëzore të burrave e të grave të kësaj ane kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në mendjet e zemrat tona. Këto gjurmë i vërejmë kudo dhe ngado që shkojmë. Liria u ujit me gjakun e bijve e bijave më të zgjedhur, gjak që vazhdon të ujisë e rrisë bimën e lirisë. E dashura nëna Bademe, nënë e dy heronjve të Kosovës, Bedrushit e Feimit! Njëzet e tri vjet më parë këtu frymonin e luftonin bijt e tu dhe shokët e tyre, të cilët të vetëdijshëm për peshën që kishin marrë mbi supe, i kishin dalë të keqes përballë. Ata qenë si ato lulet e para të pranverës, pas të cilave nxjerrin kokën edhe mijëra e mijëra të tjera, për t’i dhënë hijeshi fushës e malit, për t’i dhënë jetë natyrës. Bijtë e tu dhe të bacës Avdi bënë që në damarët e këtij populli të fillojë të qarkullojë shpresa për ditë më të mira. Ata u shkrinë me lirinë e këtij vendi, prandaj sot dhe në të ardhmen duhet të ndjeheni krenar për bijtë tuaj, të cilët ishin të çiltër dhe të vendosur për t’i çuar gjërat deri në fund. Është fatbardhësi që në prehrin tënd sot mund të ulen fëmijët e Bedrushit, Brikena dhe  Sipranti, të cilët po rriten me madhështinë e të atit dëshmor dhe që me punën e përkushtimin që kanë po e vazhdojnë rrugën e tij, duke punuar me zell e me nder dhe duke e nderuar kujtimin për të atin. Djemve dhe vajzave tuaja do t’ju shndrisë nuri sa herë të kalojnë pranë këtyre viganëve të luftës tonë çlirimtare, të cilët hijerëndë do të qëndrojnë për shumë mote duke parë brezat e rinj të rriten e të edukohen me frymën e atdhedashurisë. E respektuara Shkurtë, bashkëshortja e Bedrushit, fati të ka munduar shumë. Ke qenë edhe nënë edhe baba për Siprantin e Brikenën, por duke i parë ata sot krenar dhe të përkushtuar, konsideroj se mundi nuk të ka shkuar huq. Duket se ata kanë në damarët e tre gjakun e të atit, karakterin dhe temperamentin e tij, zellin dhe përkushtimin e tij. Mirënjohja e tyre dhe e familjes për rritjen dhe edukimin e tyre duhet të jetë gjë me vlerë në jetën tënde. Bashkëshorti yt Bedrushi nga tani e tutje do të jetë në mesin tuaj dhe në mesin tonë, prandaj mirënjohja e respekti për ty dhe bashkëshortet e dëshmorëve duhet të jenë të përhershme. Bedrushi e Feimi e mbollën farën e lirisë, e ujitën me gjakun e tyre, ndërsa pasardhësit e kanë obligim që ta kultivojnë këtë bimë, që të vazhdojë të japë fryte të ëmbla për shumë e shumë mote.

Të nderuar të pranishëm!

Gjeneratat që do të vijnë me siguri do ta vlerësojnë dhe çmojnë punën dhe përkushtimin e burrave e grave që e nisën dhe përfunduan luftën për çlirimin e Kosovës. Historianët dhe strategët e luftës do të bëjnë mbledhjen e fakteve dhe do të bëjnë analizën e duhur profesionale, duke synuar t’ia japin vlerën e duhur kësaj lufte. Mbase ishte vullneti dhe gatishmëria e njerëzve të këtij vendi për të sakrifikuar jetën dhe gjithçka që kishin vetëm për të arritur lirinë e shumëpritur. Po ashtu, brezat që vijnë do të dinë ta vlerësojnë çmimin e lirisë, të paguar me gjak e djersë. Sa e sa gjenerata kishin shkuar nga kjo botë me zemër të plasur që po i linin nën thundrën e pushtuesit pasardhësit e tyre, gjë që lufta e popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës e bëri realitet një synim që vetëm mund të ëndërrohej. Karakteri kombëtar i luftës për çlirimin e Kosovës është një tjetër dimension domethënës i kësaj lufte. Gjaku e grave, fëmijëve, djemve e burrave të pafajshëm u bë themeli i lirisë dhe sikur  u bë nxitje për qëndresën tonë.   Ndihma që vendet Perëndimore e dhanë në luftën e fundit ishte një borxh që duhej kthyer nga nipërit e gjyshërve që lejuan copëtimin e tokave tona dhe masakrimin e njerëzve të pafajshëm. Tashmë jemi në rrugën e konsolidimit të ardhmërisë tonë, prandaj jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e shumta për të ndërtuar sistem funksional, mirëpo  nuk ka asnjë arsyetim për të mos bërë më të mirën të mundshme. Dëshmorët sikur na bëjnë thirrje të vazhdueshme për të bërë punë të mira për vendin dhe për të jetësuar betimin e tyre për liri. Para vetes kemi shumë punë për të bërë, por jemi të bindur se  do t’ia dalim, ngase ky popull ka luftuar e mbijetuar në rrethana shumë të rënda, ngase shpresa për jetë më të mirë na ka shtyrë drejt të pamundurës. Lufta dhe qëndresa e vëllezërve Bedrush e Feim Gashi dhe e shokëve të tyre, është dëshmia më e mirë për këtë.

Të nderuar të pranishëm, të nderuar familjarë të dëshmorëve!

Varret dhe përmendoret e dëshmorëve janë shenja dalluese të rrugëtimit tonë, prandaj ruajtja dhe përkujdesi ndaj tyre është obligimi ynë moral e institucional. Ngritja e këtyre shtatoreve është një ndër këto obligime, prandaj duhet të kujdesemi që t’i ruajmë të pastër dhe të panjollosur, ashtu siç ishte shpirti i tyre i dëlirë. Këto shenja civilizimi e atdhetarizmi, qëndrojnë në mendjet e zemrat tona si gjëja më e shtrenjtë, vlera më e lartë, ngase popujt e qytetëruar e respektojnë të kaluarën mbi të cilën ndërtojnë të ardhmen. Asnjë vlerë nuk qëndron mbi jetën dhe vuajtjet e të rënëve për liri, prandaj na takon t’i ruajmë dhe të kujdesemi për këtë trashëgimi – sot e mot. Lavdia dhe nderimi ju takon dëshmorëve, ndërsa neve na mbetet obligimi të bëjmë më të mirën për ndërtimin e jetës së lumtur të brezave të ardhshëm. Populli i Drenocit me rrethinë duhet ta kenë për nder që sot në mesin e tyre po vijnë, e do të qëndrojnë gjatë mbi këta shkëmbinj me rrënjë të thella në tokë, bijët e bacës Avdi Sherif Gashi. Ata të ngjallin nderim e respekt dhe admirim bashkë. Të pavdekshëm siç janë, do të qëndrojnë këtu e do të përcjellin fëmijët teksa rriten, bujqit teksa punojnë arat e vreshtat, mësuesit tek edukojnë fëmijët dhe shokët e tyre të armëve që i ruajnë e i mbrojnë këto statuja si vlerën më të çmuar të historisë dhe të luftës tonë çlirimtare. Lavdi për vëllezërit Bedrush e Feim Gashi, lavdi për të gjithë të rënët për liri!

May be an image of 1 person dhe ambiente të jashtme

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …