Në Wattwil të Zvicrës, u prezantua libri: “Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit – vatër e bashkimit kombëtar” i autorit, Vaxhid Sejdiu

Në Wattwil të Zvicrës, u prezantua libri: “Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit – vatër e bashkimit kombëtar” i autorit, Vaxhid Sejdiu

Të dielën me datën 13 Qershor 2021, mësuesi Dr. Vaxhid Sejdiu prezantoi para mysafirëve, mësuesve dhe prindërve të shkollës shqipe librin “Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit – vatër e bashkimit kombëtar”. Në sallën e  qytetit ishin saktë 100 veta, aq sa lejonin masat kundër pandemisë. Nga pjesëmarrësit përveç një numër të vogël të nxënësve ishin mësuesit, prindërit, veprimtarët e shkollës shqipe, ambasadori i  R. së Shqipërisë z. Gjoni, diplomati i R. së Kosovës z. Xhenis Haxhimehmeti, konsulli i R. së Shqipërisë z. Valon Gashi, kryetari i LAPSH për Argau z. Riza Demaj, kryetari LAPSH për kanton Thurgau z. Nexhat Hyseni, kryetari i Shoqatës “Bashkimi” z. Guxim Alushi etj.

Autori i librit, mësuesi Vaxhid Sejdiu prezanton librin “Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit – vatër e bashkimit kombëtar”, para pjesëmarrësve

Programin e udhëhoqi Shqiprina Saqipi – Xhemaili, përndryshe ish – nxënëse e shkollës shqipe, e cila tha: Sot do të bëjmë prezantimin e librit “Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit – vatër e bashkimit kombëtar” të mësuesit tonë Vaxhid Sejdiut. Mësues, prindër dhe veprimtarë të shkollës shqipe në Kantonin e St. Gallenit më se 30 vjet përhapin dritë dhe dituri për fëmijët shqiptarë.

Dhe pikërisht në shërbim të këtij misioni është edhe dita  e sotme në të cilën do të prezantohet ky libër, i cili na sjell historikun e shkollave shqipe në Kantonin e St. Gallenit. Mësuesi, Vaxhid Sejdiu, përveç punës së tij të palodhur në orët mësimore, angazhimit të tij në organizimin dhe rritën e shkollave shqipe, jo vetëm në Kantonin e St. Gallenit por edhe në mbarë Zvicrën, e sjell para jush edhe librin “Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit – vatër e bashkimit kombëtar”, në të cilin kemi  mundësi të shohim nxënësit, prindërit, mësuesit nën emrin e bukur të shkollës shqipe.

Pastaj kryetari i LAPSh për Kantonin e St. Gallenit, z. Mehmetali Sherifi, përshëndeti pjesëmarrësit, kurse mësuesi veteran i shkollës shqipe në Zvicër, z. Shaban Kabashi, foli rreth librit në fjalë.

Mësuesi Vaxhid Sejdiu, bëri prezantimin e librit “Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit – vatër e bashkimit kombëtar” duke e ilustruar me fakte dhe të dhëna punën dhe angazhimin e mësuesve dhe prindërve gjatë këtyre tri dekadave, gjë që zgjoi emocione te të pranishmit. Pas prezantimit të tij, fjalën  e mori ambasadori i Republikës së Shqipërisë z. Ilir Gjoni, i cili foli me respekt të lartë për punën dhe angazhimin e mësuesit Vaxhid Sejdiut në shërbim të shkollës shqipe, si shembulli më i mirë se si punohet jo vetëm si mësues por edhe si koordinator i shkollave shqipe.

Me një fjalë përshëndetëse, pjesëmarrësit i përshëndeti edhe z. Xhenis Haxhimehmeti diplomat në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë, dhe pastaj në emër të Këshillave të prindërve fjalën e morën z. Taip Ibrahimi dhe Adnan Fazliu.

Në pjesën e dytë në shenjë respekti për mësuesit, të cilët punuan më se 20 vjet në shkollat shqipe të Kantonit të St. Gallenit u nderuan me mirënjohje, mësuesit Shaban Kabashi, Qefsere Sejdiu dhe Hamdi Mustafa. Po ashtu me mirënjohje u nderuan edhe veprimtarët të cilët e ndihmuan botimin e librit: z. Taip Ibrahimi, Adnan Fazliu, Mehmetali Sherifi, Jakup Asani, Rexhep Rexhepi, Adem Osmani, Agron Sherifi dhe Imit Istrefi.

Programi u mbyll me nxënësit e shkollave shqipe, të cilët edhe pse të paktë nga numri (për hir të vendeve të kufizuara) ata shkëlqyen. U dalluan me recitimet dhe këngët e tyre: Lind dhe Fisnik Maxhuni, Gentonis Shala, Gresa Sahala, Tana dhe Lina Limoni si dhe nxënësit e shkollës shqipe të Buchsit, me një valle popullore.

Dhe në fund pjesëmarrësit hynë në radhë për të marrë nënshkrimin e autorit si dhe për të bërë një fotografi rasti.

Wattwil, 14.06.2021

Kryesia e LAPSh – Kantoni St. Gallen

Sektori për informim

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …