Vaxhid Sejdiu

Isuf Ismaili: Përurimi i veprës së profesor, Vaxhid Sejdiut,  një shëmbëlltyrë  atdhetarie

Në begatinë kulturës, arsimit e ndërgjegjes shqiptare, radhiten misionarët e gjuhës shqipe, mësuesit dhe veprimtarët shqiptarë në mërgatë, të cilët kanë vepruar e veprojnë me përkushtim e dashuri të madhe për gjuhën, letërsinë, historinë e kulturën shqiptare përgjithësisht, duke ua përcjellë këto vlera dhe duke u dhënë mësimet e nevojshme fëmijëve shqiptarë që po rriten larg atdheut.

Në krye të kësaj veprimtari sa arsimore e atdhetare qëndron i pa luhatur, i përkushtuar me zemër të pastër e dashuri të pakufishme atdhetare, profesor dr. Vaxhid Sejdiu, për të cilin nuk ka pushim, por vetëm, punë, veprim, organizim e përkushtim deri në vetëmohim.  Kushdo që do të flasë e do të shkruajë për arsimimin e fëmijëve shqiptarë në mërgatë, duhet patjetër të theksojë punën, përkujdesjen, përkushtimin e veprimtarinë e gjallë të profesor Vaxhidit. Pa e theksuar punën e veprimtarinë e tij nuk mund  të kuptohet historiku i veprimtarisë e rrjetit të shkollave shqipe në Zvicër, por edhe në mërgatën shqiptare në Evropë.

Pra disa kohësh ai e ka botuar një libër të titulluar: “Shkolla Shqipe në kantonin St. Gallen – vatër e bashkimit kombëtar”

Ky libër i profesor dr. Vaxhidit më, 13 qershor 2021 u përurua në Vattwill të kantonit Sanct Gallen (Sankt Gallen)  në një atmosferë të këndshme e me frymë atdhetarie.

Interesimi i bashkëkombësve tanë e miqve zviceranë qe i madh, por organizimi u bë në përputhje me rregullat që shteti zviceran i ka përcaktuar në këtë kohë pandemie. Njëra nga këto rregulla është përcaktuar që në salla të mëdha nuk lejohet më shumë se 100 veta, prandaj numri i pjesëmarrësve qe i kufizuar.

 Në fillim z. Mehmetali Sherifi, përshëndeti pjesëmarrësit, në emër të Kryesisë kantonale të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në kantonin e St. Gallenit.

 Më pas u ftua z. Shaban Kabashi, një ndër mësuesit e parë ne Zvicër, tani në pension, i cili i tha disa mendime e vlerësime të vyeshme për librin.

Për librin,  u ftua nga organizatorët që të fliste autori i librit, profesor Vaxhidi,  i cili foli për një pjesë të materialeve që janë përfshirë në këtë libër. Ndër të tjera ai tha: “ Pjesë e të gjithë aktivitetit të shkollave shqipe, përveç orëve të mësimit, janë edhe manifestimet kulturore e atdhetare, sidomos për festën e Pavarësisë së Shqipërisë, për 28 Nëntorin, pastaj për festën e Shkollës Shqipe 7 Marsin, për pavarësinë e Republikës së Kosovës 17 Shkurtin… “

“Ëndrra  ime është që Shkolla Shqipe të jetë sa më e organizuar, sa më e mirë me një numër sa më të madh nxënësish, mësuesish e veprimtarësh. “

“Me këtë rast dua ta përshëndes nga zemra Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, ambasadorin Ilir Gjoni dhe Ambasadën e Republikës së Kosovës që na kanë mbështetur vazhdimisht ─ tha në fund profesor Vaxhidi!”

Pas fjalës së profesor Vaxhidit, pra të pranishmëve u ftua ambasadori i Republikës së Shqipërisë z. Ilir Gjoni. Ambasadori Ilir Gjoni është jo vetëm një ambasador me një kulturë të gjerë me dije diplomatike e politike të shkëlqyera, por është edhe një mik i yni shumë i dashur,  shumë i afërt me njerëzit, që i mirëkupton shumë njerëzit. Ai e ka tejkaluar ngurtësinë diplomatike e administrative, të diplomatëve e politikanëve të zakonshëm, duke i  dhënë krah e forcë anës njerëzore e afërsisë me popullin, i gatshëm e për të ndihmuar mërgatën tonë kurdoherë. Të gjitha këto atë e bëjnë shumë popullor. Kështu mbështetja, dashamirësia dhe gatishmëria e tij për t’i dalë në ndihmë shqiptarëve në Zvicër, të cilët janë nga të gjitha trevat shqiptare, është ai rrugëtimi më i mirë për të ngelur në kujtesën dhe qarkun më të mirë të shqiptarësisë dhe nderimit njerëzor.

Fjala e tij në atë takim, në atë përurim është sa rëndësishme aq edhe qartë për të gjithë. Pasi i përshëndeti të pranishmit, foli shtruar, pa letër, si i thonë vendçe. Ai tha shumë fjalë të rëndësishme për  librin, ndër të tjera theksoi: “ Unë kam pasur rastin ta marrë më përpara librin e Vaxhidit me një dedikim emocionues, të cilin kam mundur ta lexoj dhe sinqerisht mendoj, se është një vepër që ia vlen të lexohet dhe të përhapet sa më shumë… “

“ Unë dua të them disa fjalë zemre, në mënyrë të veçantë, edhe për marrëdhëniet e mia me Vaxhidin. Unë kam rreth shtatë vite e gjysmë që e kryej funksionin e ambasadorit këtu në Zvicër dhe e them pa hezitim se Vaxhidi ka qenë nga njerëzit e parë me të cilët kam pasur kontakt. Dhe i cili më ka bërë përshtypje për përkushtimin e angazhimin maksimal tij e të kolegëve të tij për zhvillimin e mësimit të gjuhës shqipe. Sigurisht, pa hezitim, e them se Vaxhidi ka qenë dhe është, prej vitesh, këshilltari im për sa i përket mësimit në gjuhën shqipe dhe përhapjes së Shkollës Shqipe në diasporë, këtu në Zvicër dhe nuk është rastësi që Ambasada e ka përzgjedhur Koordinator të veprimtarisë për mësimin e gjuhës shqipe. Por, për tej kësaj zgjedhjeje, Vaxhidi i kryen edhe funksionet e Kryetarit të Forumit Mbarëkombëtar të arsimtarëve shqiptarë në diasporë…” “ Unë te Vaxhidi kam gjetur një mik, fjala mik, ju e dini të gjithë , është fjalë e madhe. Është e mirë shoqëria, por Vaxhidi hyn te miqtë, sigurisht edhe te ju, sepse ai përmes punës angazhimit, përkushtimit dhe asaj që unë e quaj patriotizëm me vepra e jo vetëm me fjalë, ai ka mundur të fitojë zemrën time dhe të asaj pjese mësuesish e veprimtarësh që kanë pasur marrëdhënie pune e veprimtarie…”

“ Së fundi, për nga rëndësia desha të shpreh një falënderim të veçantë për familjen e Vaxhidit e cila është pjesë tërë kësaj pune, është kontribuuese e kësaj vepre…”

Në vazhdim fjalën e mori z. Xhenis Haxhimehmeti diplomat në ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë. Ai pasi e përshëndeti ambasadorin, Ilir Gjoni, koordinatorin e mësimdhënësin profesor Vaxhid Sejdiun e të pranishmit të tjerë, tha se më vjen mirë që ndodhem këtu, sepse gjatë të gjitha këtyre viteve ka dalë në pah dëshira për mësimin e gjuhës së ëmbël shqipe e dokumentuar edhe në librin që po përurohet. Kjo na motivon që të gjithë ne duhet të bëjmë që të përhapet sa më shumë mësimi në gjuhën shqipe e kjo mund të bëhet kur ne jemi të bashkuar. Në fund falënderoi të gjithë të pranishmit.

Më pas para të pranueshmeve foli edhe z. Riza Demaj, veprimtar i çështjes kombëtare. Ai ndër të tjera theksoi se sa i rëndësishme është mësimi i gjuhës shqipe për nxënësit shqiptarë, këtu në Zvicër  e përgjithësisht në diasporë. Foli edhe për nxënësit shqiptarë që edhe kanë marrë mësimet e nevojshme në gjuhën shqipe, por edhe kanë mbaruar shkolla e universitete në gjuhën e vendit, ku jetojnë. Ai theksoi se ata ndihen krenarë për kulturën gjuhësore e të përgjithshme shqiptare që kanë marrë nga Shkolla Shqipe e familja, një pjesë e këtyre nxënësve tanimë të rritur e shkolluar mirë kanë edhe detyra e funksione të rëndësishme politike e shoqërore në institucionet e shoqërinë zvicerane.

Ishte i pranishëm edhe konsulli i Republikës së Shqipërisë z. Valon Gashi etj.

Më pas në shenjë respekti për mësuesit,  të cilët punuan më se 20 vjet në shkollat shqipe të kantonit të St. Gallen u ndanë mirënjohje. Mirënjohje morën mësuesit Shaban Kabashi, Qefsere Sejdiu dhe Hamdi Mustafa. Me mirënjohje u nderuan edhe veprimtarët: Taip Ibrahimi, Adnan Fazliu, Mehmetali Sherifi, Jakup Asani, Rexhep Rexhepi, Adem Osmani, Agron Sherifi dhe Imit Istrefi, të cilët dhanë ndihmesën e tyre për botimin e këtij libri.

Në fund nxënësit e shkollave shqipe, dhanë një koncert me këngë e valle e recitime të shkëlqyera artistike e me shpirt atdhedashurie. U dalluan me recitimet dhe këngët e tyre: Lind dhe Fisnik Maxhuni, Gentonis Shala, Gresa Shala, Tana dhe Lina Limoni si dhe nxënësit e shkollës shqipe të vendbanimit Buchs, duke luajtur një valle popullore.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …