Mbushja e baterive patriotike të Vjosa Osmanit, Albin Kurtit e Glauk Konjufcës, para monumenteve të lirisë

Mbushja e baterive patriotike të Vjosa Osmanit, Albin Kurtit e Glauk Konjufcës, para monumenteve të lirisë

Prania e përditshme në aktivitetet tematike e përkujtimore të dëshmorëve e martirëve nga tre krerët e lartë të Shtetit, bëhet jo me qëllim për të marrë pjesë në dhembjen e familjarëve, jo me qëllim për të bashkë-ndjerë me ta, sepse  asnjëri nga këta të tre nuk është prekur nga lufta, nuk ka dëshmorë as martirë në familjen e ngushtë apo të gjerë, nuk ka fare dhembje për të rënët, përveç “shtirosjes” politike dhe pretendime për t u paraqitur patriotë e mëmëdhetarë, edhe pse këtë nuk e kishin treguar me vepër gjatë luftës.

Këto pretendime janë të tejdukshme dhe të vetmin qëllim kanë veshjen me petkun e patriotizmit, mundësisht mashtrimin e familjarëve të dëshmorëve e martirëve për zgjedhjet e ardhshme.

Retorika patriotike e kumtuar para familjarëve të dëshmorëve e martirëve, duke mos përmendur as edhe njërin nga krerët e UÇK-së që po mbahen  të pranguar në Hagë, pjesëmarrja në zbulime pllakash të veprimtarëve, në vende të caktuara, me pretendime hipokrite për të rishkruar segmente të luftës çlirimtare, duke anashkaluar kreun e luftës, për t’ u veshur me merita patriotike  të para luftës, në përpjekje për  të krijuar një bazament të ri të “Republikës së Tretë” të Albin Kurit, janë pretendime të mjera, të çjerra dhe krejtësisht naive, të cilat nuk mund të arnohen, sepse historia e shkruar me gjak e luftës së UÇK-së, ka emra e mbiemra, ka   ADN-në e vet çlirimtare, që me kohë është ngritur duke shpërfillur organizimin partiak të kohës si atë pacifist edhe atë që vepronte në mërgim dhe që ishte tejet heterogjen, i përçarë dhe i kapardisur në grupe e klane të ndryshme.

Bateritë e mbushura me patriotizëm nuk e bëjnë të gjatë, ndërsa e vërteta e luftës, ka energji të pashtershme, energji burimore, e cila rrezaton, veç tjerash edhe në 1600 monumentet e lirisë, pllaka, shtatore, obelisqe, memorialë,  me të cilat është zbukuruar  edhe fizikisht, shpirti i përjetësisë çlirimtare, kudo në Kosovë, veçmas atje ku liria është paguar shumë shtrenjtë dhe nuk zhbëhet dot, as fiton peshë në dërdëllitjet e  fjalimet retorike të politikanëve, të cilët nuk kanë ndonjë vepër të mishëruar me historisë së luftës, përveç retorikave mashtruese e hipokrite.

Përpjekjet për t’i vënë  madje edhe bazat fizike të Republikës së Tretë janë një donkishotizëm i llojit të vet, sepse “nuk bëhet dot ara me urata, por me shata e lopata”. Sepse lufta u bë me armë në dorë  dhe dihet si drita e diellit se kush e kishte armën, kush e dha gjakun, kush i dha gjymtyrët,  kush e dha mundin e djersën, kush e dha bukën e kripën, ashtu sikur dihet mirëfilli se  kush ia kishte mbathur  duke ikur drejt Maqedonisë, Shqipërisë e tutje nëpër shtete të Evropës e të botës, në kohën kur Kosova po digjej nga piromania serbe. Atyre që u kishte rrëshqitur nën këmbë toka e Atdheut, gjatë kohës ku Kosova po digjej cep më cep, ndërsa lufta e UÇK-së jo vetëm që nuk kishte pushuar për as një ditë, por ishte konsoliduar dhe kishte përballur me sukses sulmet e regjimit vrastar të armatës serbe e jugosllave, atyre që sot rrahin gjoks për trimëri dhe  22 vjet pas luftës vizitojnë monumentet e lirisë, do t’ iu thuhet edhe një diçka tjetër, nëse vazhdojnë këtë avaz  të krekosjes me bateri patriotike të mbushura para monumenteve të lirisë, vetëm e vetëm për qëllime të përfitimeve politike.

Ahmet Qeriqi

  1. 6. 2021

Krojmir

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …