Nezir Myrtaj: ANKESË Lidhur me aktgjykimin nr. 69/82 të datës 10.7.1982 II

Nuk jemi kundërrevolucionarë, nacionalistë e irredentistë, por revolucionarë marksistë-leninistë

 Secili shqiptar i ndershëm që nuk pajtohet me politikën shtypëse e shfrytëzuese jugosllave, me nënçmimin kombëtar e aksionet shfarosëse, po kualifikohet si kundërrevolucionar, nacionalist e irredentist. Po mblidhen ku janë e ku s’janë shqiptarët e ndershëm, po bashkohen, po “organizohen” në “organizata ilegale” dhe po nxirren para gjyqeve. Këso organizatash ilegale po formohen duke bashkuar edhe personat në lidhje farefisnore, punëtorë të një ndërmarrjeje, nxënës dhe studentë të njohur në shkollë apo fakultet, njerëz që flasin e këndojnë shqip, njerëz që veshin rrobat kombëtare shqiptare, plisin e bardhë shqiptar.

Zotërinj revizionistë, juve nuk ju pëlqen konstatimi i Marksit, se sa më i madh të jetë intensifikimi i shtypjes kombëtare nga borgjezia e vet ose e huaj, aq më shpejtë rritet ndërgjegjja kombëtare e atij kombi, aq më e madhe bëhet ajo. Duhet ta dini se ky është një fakt i pamohueshëm. Populli i Kosovës nuk u ngrit në demonstratë pse ishte i kënaqur, pse kishte liri të tepërt, pse jetonte në bollëk të madh, pse ishte i barabartë me të gjithë të tjerët, pse punëtorët nuk shfrytëzoheshin nga borgjezët, pse fshatarët nuk e ndienin peshën e pronës private në kurriz, pse nxënësit e studentët kishin bursë e kredi të mira për mësim e studim, pse zvogëlohej papunësia, pse uleshin çmimet, pse nuk kishte mjaft të burgosur, ose pse nuk i pëlqente të jetonte, por u ngrit pikërisht pse ishte e kundërta e tyre dhe të drejtat e veta i kërkoi në rrugë në mënyrë paqësore. Juve s’ju pëlqen ta kuptoni se demonstratat në Kosovë i shpalli, i organizoi dhe i udhëhoqi vetë populli i thjeshtë i saj, e jo siç mundoheni ju ta paraqitni gjendjen. Ata që ju i quani organizatorë, nacionalistë e irredentistë apo organizata ilegale, vetëm përkrahën demonstratat dhe dënuan dhunën e terrorin që u ndërmor ndaj demonstruesve. Si çdo popull që lind dhe rrit mbrojtësit e vet, edhe populli shqiptar në Kosovë ka bijtë e vet që sot po i dergjen nëpër burgje të errëta dhe po shahen me fjalë banale nga ju “të ndershmit komunistë”.

Por nuk duhet të harroni zotërinj që keni forcën e armëve, se populli shqiptar në Jugosllavi i njeh shumë mirë miqtë dhe armiqtë e vet, i njeh shumë mirë bijtë e tij të vërtetë dhe nuk mashtrohet. Për të janë të freskëta dhe të paharruara për historinë, aksionet e njëpasnjëshme që ndërmorën shovinistët jugosllavë ndaj tij. Ndaj popullit të Kosovës u zbatua politika shfarosëse, prej dëbimeve me dhunë nga trojet shekullore e deri te prishja me dru e njerëzve dhe vrasjet e fshehta dhe të hapëta. Jo vetëm në Jugosllavinë e vjetër, por edhe në atë të Titos, populli i Kosovës u largua me dhunë, u torturua, bile sot ndaj tij po zbatohet edhe teoria e Maltusit, e cila tejkalon çdo teori raciste për zhdukjen e një populli. Janë po këta baballarë e gjyshër tanë që para Luftës së Dytë Botërore ua lëshuan kolonëve serbë e malazezë tokat më të mira, siç u detyruan t’i lëshojnë të parët e tyre edhe në kohët e mëparshme; janë po këta baballarë e gjyshër që nata i zinte në Kosovë, por mëngjesi i çelte në shkretëtirat e Anadollit; janë po këta baballarë e gjyshër që luftuan nazi-fashizmin me armë në dorë dhe në prapavijë u vranë; janë po këta baballarë e gjyshër të cilët në vitet e “vetëqeverisjes socialiste” përjetuan terrorin më të egër të armës dhe të drurit, të cilin nuk e kishin përjetuar as në vitet e luftës; janë po këta baballarë e gjyshër dëshmitarë të burgosjeve në masë në vitet e gjashtëdhjeta, shtatëdhjeta e janë dëshmitarë edhe të këtij aksioni antishqiptar që po zbatohet sot në Kosovë.

Këto nuk harrohen lehtë nga populli shqiptar, të cilit asnjëherë nuk iu mbyllën plagët e vjetra, këto nuk shlyhen dot nga historia. Pra, edhe këto ngjarje që po ndodhin sot nuk e befasojnë popullin tim, ai e di që këto masa janë fushatë antishqiptare-vazhdim i aksioneve të mëparshme. Që të mbulohen këto aksione famëkëqija, udhëheqja jugosllave, kohë pas kohe i ka vlerësuar ato duke nxjerrë bilancin e fitores së tyre e njëherit i ka arsyetuar ato me lloj – lloj mekanizmash bajate mbrojtëse, duk i shpallur si aksione të ndërmarra nga të tjerët dhe kohën në të cilën janë kryer ato, si kohë e deformimeve në pushet e në parti. Këto të ashtuquajtura deformime të njëpasnjëshme të shfaqura në shoqërinë jugosllave edhe pse sikur u dënuan nga udhëheqja, ishin të planifikuara mirë që më parë nga vetë ajo. Kjo për popullin tim do të thotë veprim në stilin: të të vras njëherë, pastaj të kërkoj falje. Veprimet antikombëtare jugosllave ndaj popullit shqiptar janë kundërshtuar dhe kanë hasë në rezistencë të madhe nga populli im, pse ato shpesh herë e quan atë në buzë të greminës, ato po kundërshtohen edhe sot më shumë se kurrë nga i gjithë populli i Kosovës. Unë, si pjesëtar i Grupit Marksist-Leninist të Kosovës, si të gjithë shokët e tjerë të grupit,dhe kështu edhe ç’do njeri i ndershëm i organizuar, apo i paorganizuar,dënojmë ashpër veprimet shfarosëse të njëpasnjëshme kundër popullit shqiptar. Ne “GMLK”kemi përkrahur dhe gjithmonë do ta përkrahim luftën e popullit tonë për të drejta e liri, duke kuptuar këtu edhe përkrahjen ndaj popujve të tjerë jugosllavë për luftën e tyre n ndaj shtypësve të tyre.

Ne që sot po përkrahim popullin tonë në përpjekjet e tij, ne që jemi organizuar për shkak të nevojës së domosdoshme për t’u çliruar njëherë e përgjithmonë nga sundimi shekullor klasor e kombëtar, udhëheqja jugosllave, si të gjithë popullin po na quan kundërrevolucionarë, nacionalistë e irredentistë, mirëpo ne, të udhëhequr nga teoria revolucionare marksiste-leniniste, të cilën ju e keni braktisur dhe shkelur qysh gjatë Luftës së Dytë Botërore; të udhëhequr nga ajo teori që popujve u tregon rrugën e çlirimit dhe ia paralajmëron vdekjen çdo armiku të popujve, që i fut tmerrin borgjezisë së çdo vendi, jemi gjithherë revolucionarë, marksistë-leninistë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …