Takimi për Rishikimin e Përbashkët të Sektorit të Pylltarisë në Kosovë, që organizohet më 24-25 qershor 2021, ka për qëllim sjelljen së bashku të akterëve të ndryshëm dhe partnerëve tjerë për të shqyrtuar dhe analizuar gjendjen aktuale të pyjeve dhe sektorit të pylltarisë si dhe të identifikojë mundësitë dhe sfidat në arritjen dhe shfrytëzimin e funksioneve dhe rolit ekonomik, social dhe mjedisor të pyjeve në Kosovë.
Ngjarja dy-ditore është pjesë e projektit të FAO-s “Mbështetje në fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, financuar nga ambasada suedeze në Kosovë.
Rishikimi i përbashkët i sektorit pyjor të Kosovës është një proces i vazhdueshëm që përfshin një dialog mbi Vlerësimin e Zbatimit të Strategjisë së Zhvillimit të Pylltarisë 2010-2020, si dhe do të kontribuojë në hartimin e strategjisë së re për pylltarinë që mbulon periudhën 2021-2030.
Ngjarja fillon me konferencën që do të mbahet më 24 qershor në hotel Sirus dhe pasohet nga një vizitë në terren, të premtën më 25 qershor 2021.
Konkluzionet e rishikimit të përbashkët do të kontribuojnë gjithashtu për të identifikuar projektet e zhvillimit në të ardhmen dhe për të krijuar mundësi për investime shtesë në sektorin e pyjeve.