Ka dalë në dritë libri i veprimtarit, intelektualit dhe atdhetarit, Isak Guta me titull, “Zëri patriotik mërgimtar për Republikën e Kosovës”. Ky libër studimor është shkruar qysh në vitin 1984, dhe prej asaj kohe ka mbetur në dorëshkrim i shkuar me makinë shtypi të kohës. Në vitet 80-të kur autori i librit, veprimtari Isak Guta ishte në mërgim, ashtu si shumë atdhetarë e veprimtarë të tjerë u mor në mënyrë aktive dhe sistematike me çështje e Republikës së Kosovës, në kushte dhe rrethana të represionit gjithë jugosllave kundër Kosovës, me qëllim për ta çrrënjosur idenë e krijimit të një republike shqiptare në kundër të Federatës jugosllave të asaj kohe. Libri ka 116 faqe, botoi Radio-Kosova e Lirë, shtypi Intergraf në Ferizaj.
“Zëri patriotik mërgimtar për Republikën e Kosovës”, studim eseistik sintetizues i veprimtarit dhe intelektualit, Isak Guta
Studimi eseistik sintetizues i veprimtarit dhe intelektualit, Isak Guta, “Zëri patriotik mërgimtar për Republikën e Kosovës”, është një pasqyrë sa realiste po aq edhe besnike e zhvillimeve shoqërore e politike në Kosovë, përgjithësisht në viset shqiptare të mbetura nën Jugosllavinë e kohës dhe në mërgatën shqiptare, si pjesë integrale e atdhetarëve shqiptarë, të cilët kudo ku jetonin, kudo ku vepronin, alfën e tyre të preokupimeve kishin përpjekjet për liri, drejtësi, barazi të shqiptarëve të mbetur nën sundimin e shteteve fqinje të Ballkanit, nën Serbi, Mal të Zi, Maqedoni e Greqi.
Duke qenë edhe vetë subjekt i lëvizjeve atdhetare të kohës, Isak Guta, preokupimin e tij atdhetar e kishte manifestuar në mënyrën subjektive të perceptimit të realitetit, të qëndrimit dhe veprimit në kuadër të përpjekjeve të përgjithshme të shqiptarëve liridashës, të cilët nuk mjaftoheshin me pozitën e qytetarit të rendit të dytë, me pozitën e minoritetit, që quhej “kombësi”, kur ishin të vetëdijshëm se në Jugosllavinë e kohës, që përbëhej nga gjashtë republika dhe dy njësi autonome në kuadër të Serbisë, shqiptarët ishin popullata e tretë më radhë për nga numri i banorëve, pas serbëve dhe kroatëve. Isak Guta ishte i vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm se pozita diskriminuese e aparatit shtetëror jugosllav kundër shqiptarëve, kurrë nuk mund të pranohej nga shumica dërrmuese liridashëse, përveç klasës politike poltrone, e cila kishte pranuar atë pozitë në shkëmbim të favoreve politike, që gëzonte për veten e vet dhe ithtarëve të bashkëjetesës së shqiptarëve të pabarabartë në mesin e popujve të tjerë të barabartë në RSFJ.
Pozicioni politik i Isak Gutës, në vitet 80-të, 90-të të shekullit njëzet, ishte pozicion pragmatik, por që dallonte shumë nga pozicioni zyrtar i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës në kuadër të RSFJ-së sidomos pas protestave e demonstratave të Marsit, Prillit Majit të vitit 1981, kur edhe u thellua hendeku mes kërkesave të drejta të shqiptarëve për liri e barazi me të tjerët, në kërkesën plebishitare të krijimit të Republikës së Kosovës, si minimum i një bashkëjetese parimore, duke hequr dorë nga parimi Vetëvendosjes i proklamuar sidomos në shtete socialiste, pas Luftës së Dytë Botërore, por jo edhe i realizuar.
Studimi, “Zëri patriotik mërgimtar për Republikën e Kosovës”, është pasqyrë integrale e zhvillimeve të përgjithshme në Kosovë e troje, në Shqipëri e mërgatë si dhe në projektet e Jugosllavisë së AVNOJ-it e cila nuk e kishte trajtuar çështjen shqiptare, mbi bazë të parimeve të hershme të Partisë Komuniste Jugosllave, derisa çështjen bullgare e kishte zgjidhur duke themeluar Republikën e Maqedonisë, mbi trojet shqiptare e bullgare. Mungesa e trajtimit parimor të çështjes shqiptare, bëri që Jugosllavia e kohës të devijonte parimet mbi të cilat thirrej deklarativisht, ndërsa shqiptarët atdhetarë e kishin kuptuar me kohë se çështja e tyre ishte tradhtuar e anashkaluar me qëllime të errëta antihistorike, që në të njëjtën kohë ishte edhe antimarksiste.
Isak Guta i përket intelektualëve të kohës, të cilët pretendonin të zbutnin ekstremet politike, deri dikur sipas një fjalë të urtë të Sami Frashrit: “as para pushkës, as prapa mushkës”, sepse para pushkës të korrë plumbi, pas mushkës merr goditjet e saj. Realisht kjo kishte të bënte me një oportunizëm të llojit të vet, për të fituar kohë dhe për të parë sesi do të zhvilloheshin gjërat. Oportunizmi politik i udhëheqjes shqiptare të Kosovës, në vitet 90 është debatuar gjatë në të gjitha instancat partiake e institucionale jugosllave dhe është kritikuar, po aq sa edhe ajo që quhej veprimtari nacionaliste e irredentiste shqiptare.
Oportunizmi i kohës bazohej në pragmatizmin politik, në ecjen hap pas hapi, në ruajtjen e status-quosë, në pretendime për ta bindur klasën heterogjene politike, jugosllave, se barazia e shqiptarëve nuk binte ndesh me përcaktimet programore, marksiste-leniniste, përkundrazi ishte bazamenti i shprehjes së veprimit e përcaktimit ideologjik e politik të kohës kur idealet socialiste për liri, barazi, drejtësi e Vetëvendosjes ishin përhapur në shumicën e vendeve të botës.
Kjo vepër e shkrimtarit, veprimtarit dhe intelektualit, Isak Guta është njëlloj manifesti i veçantë, i cili nuk kishte pasur fatin të botohej në kohën e duhur, dhe, si i tillë nuk ka arritur te lexuesi, por autori, me qëndrimin e tij në mesin e mërgimtarëve, pjesë e të cilëve ishte edhe vetë, në biseda, debate, konferenca kishte mbrojtur qëndrimin e tij të “mesit” në përgjithësi, por Çështjen e Republikës e kishte mbrojtur me konsekuencë, si një të drejtë të natyrshme dhe të patjetërsueshme të gjysmës së kombit shqiptar, i cili në kushte dhe rrethana të caktuara, për shkaqe strategjike ishte rezervuar të kërkonte bashkimin me Shqipërinë, sikur kërkonte krahu militant i Lëvizjes.
Ky qëndrim, ku pozicion politik, në parim kishte përkrahjen e shumicës së popullit, ndërsa kërkesa për Republikën e Kosovës në Jugosllavi, që në fillim të saj ishte përkrahur fuqishëm nga qëndrimi zyrtar i Republikës Socialiste të Shqipërisë dhe udhëheqësi i saj politik e ideologjik, Enver Hoxha.
Libri është i mbushur me analiza, komente, vështrime e shënime mbi zhvillimet e kohës, veçmas në mërgatën zvicerane duke trajtuar në mënyrë të qartë të gjitha aspektet e lëvizjes shqiptare për Republikën e Kosovës, duke segmentuar edhe veprimet grupeve të caktuara, kryesisht të krahut militant të Lëvizjes, e cila qëndronte mbi baza të programit të çlirimit dhe bashkimit kombëtar. Në një mes të tillë krejt heterogjen, ku vepronin klubet shqiptare në përkrahje të RSFJ-së, grupe të tjera të hershme me prejardhje të ndryshme politike e ideologjike, LPRK-ja, pastaj LPK-ja e organizata të tjera, unifikim ishte shumë i vështirë. Edhe kur kishte ndodhur ai unifikim më 17 janar të vitit 1982, në Untergrupenbah të Shtutgartit në Gjermani, UDB-ja kishte goditur tinëzisht, duke martirizuar në pritë, tre nga krerët kryesorë të Lëvizjes, Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën e Bardhosh Gërvallën, për të lënë të kuptohej se ajo ishte kudo dhe do të ndëshkonte sapo të hetonte një unifikim të njëmendtë, të cilin nuk do të mund ta kontrollonte nga brenda.
Periudha kohore, e cila është trajtuar në këtë libër, e titulluar si “Kërkesa, Kosova Republikë në vitet 1968 – 1984, si bazë studimi ka zhvillimet kapitale të kohës, por nga një segment i veçantë, të zëri të mërgimtarëve, të klasës punëtore shqiptare, nga Kosova dhe trojet nën administrimin jugosllav, e cila përveç se mbante familjet e veta, ndihmonte popullin dhe pandashëm jetonte e vepronte në interes të tij. Ishte zëri i ndërgjegjësuar i edukuar në frymën patriotike dhe ideologjike të Partisë së Punës së Shqipërisë, që mbështeste fuqishëm të drejtat e Shqiptarëve sipas Kushtetutës dhe ishte prognozomi realist i Enver Hoxhës, se Jugosllavia ishte e mbarsur me padrejtësi, se ishte një burg i popujve që nuk mund të jetonte gjatë. Dhe kjo ndodhi me fillim në vitin 1990 deri te shpërbëja e përgjakshme dhe fatale për kroatët, boshnjakët myslimanë dhe shqiptarët. Ishte po ashtu qëndrimi konsekuent kombëtar i Enver Hoxhës, i cili nuk e nënshkroi Hartën e Helsinkit, në vitin 1974, e cila kërkonte të përmbyllej përgjithmonë çështja e kufijve të shteteve. Shqipëria asokohe nuk nënshkroi mos ndryshimin e kufijve, duke lënë hapur përpjekjet gjithë shqiptare për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Meritë e autorit në këtë libër studimor është pasqyrimi me realizëm i zhvillimeve në atë periudhë kohore, qëndrimi i tij politik dhe ideologjik në mbështetje të Çështjes së Republikës dhe në parimet bazë programore, politike të Partisë së Punës së Shqipërisë, e cila jo vetëm përkrahu çështjen e Kosovës, po qysh prej vitit 1945, ku Kosova me rojet e tjera ishin ri aneksuar nga Jugosllavia, Shqipëria kurrë nuk ishte pajtuar me atë aneksim dhe kishte ndikuar në të gjitha format e metodat e mundshme që ta mbante gjallë, ta përparonte e ta konsolidonte ndërgjegjësimin kombëtar, politik dhe ideologjik të shqiptarëve të mbetur jashtë atdheut, që nuk ishin një pakicë shqiptare, por në numër të banorëve ishin më shumë sesa ishte krejt Shqipëria.
Tërësia e problemeve që ka trajtuar në këtë studim të tij eseistik, Isak Guta, është mbresëlënëse, ashtu sikur janë edhe të gjitha veprat e tij, të botuara e në dorëshkrim, ku ai ka trajtuar dhe trajton tema të ndryshme në sinkroninë e diakroninë e zhvillimit të mendimit politik shqiptar mbi të kaluarën e të tanishmen si pjesë integrale e një kombi historik, i cili sado të jeton i ndarë në disa shtete, ai gjithmonë ka qenë dhe do të jetë i bashkuar në qenien e vet kombëtare, në shpirtin e vetë të ekzistencës e mbijetesës, në të drejtën e vetë të ligjshme të natyrshme për të jetuar si të gjithë popujt e kombet e tjera.
Ky libër studimor, i autorit, Isak Guta, të cilin unë e përcaktoj se një lloj “Manifesti programor, politik e ideologjik”-kontribut për Lëvizjen”, e begaton literaturën historike për Republikën e Kosovës, në dyzet-vjetorin e njërës ndër kthesat më të rëndësishme të historisë së Lëvizjes kombëtare, që çoi deri te Kthesa vendimtare e luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që rezultoi me çlirimin e vendit në qershor të vitit 1999 dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.
Ahmet Qeriqi