Kryetari i Shoqatës së të Zhdukurve dhe Viktimave të luftës, në Besianë, Latif Mehmeti, thotë se ka prova të mjaftueshme që gjenerali serb, Millovan Bojoviq të ndalohej me akuza për krime lufte. Vendimi i Gjykatës së Apelit për lirimin e ish-gjeneralit serb, Bojoviq, është kundërshtuar nga shqiptarët e kësaj ane të Kosovës. Dosjet dhe mbi 2500 dëshmi të mbledhura gjatë tërë këtyre viteve për krimet që u bënë në zonën e Llapit, janë prova të mjaftueshme. Bashkëfshatarët e mbajnë mend atë si gjeneral të ushtrisë serbe. Gjatë vitit 1999 në shtëpinë e të tij gjendej shtabi dhe policët e ushtarët serbë.
Kryetari i KMDLNJ-së, në Prishtinë, z. Behxhet Shala, thotë se mos-veprimi i institucioneve të drejtësisë në rastin e Bojoviqit tregon edhe njëherë mungesën e vullnetit politik që të hetohen personat, të cilët kishin përgjegjësi komanduese gjatë luftës. Gjykata e Apelit mori vendim që ta dëbojë Bojoviqin deri në pikën kufitare më të afërt dhe t’ia dorëzojë policisë kufitare të Serbisë, pas ankesës së mbrojtjes së tij dhe vlerësimit të ekspertizës. Bojoviq ishte dërguar në paraburgim me vendim të Gjykatës Themelore të Besianës për veprën penale, kalim i paautorizuar i vijës kufitare.