Sot në orën 14.00 do të mbahen protesta të organizuara nga Lëvizja për Reforma e PDSH-së eRDK-së me në krye Vesel Mehmedin, Shoqata e të Burgosurve Politikë në Maqedoni, Illyricum Libertas dhe OVL-të e UÇK-së. ”Protestat janë akti nga ku nis çdo vullnet politik, i cili nuk ka mundur të shprehet ndryshe me mjete politike, përkatësisht institucionale. Ne do të protestojmë kundër obstruksioneve ndaj Prokurorisë Speciale, kundër proceseve të montuara politike, kundër burgosjeve të shqiptarëve, kundër kësaj qeverisjeje, kundër këtij sistemi, kundër këtij statusi. Protesta është para së gjithash një akt rezistence ndaj regjimeve. Protesta e 22 prillit në veçanti ndaj gjendjes së padurueshme, që ka ardhur si pasojë e qeverisjeve antishqiptare, me zyra dhe zyrtarë antishqiptarë, thuhet në njoftimin e publikuar me këtë rast.
Nuk ka rëndësi data e protestës, rëndësi ka rezistenca dhe kauza jonë dhe këto para së gjithash flasin një gjuhë, gjuhën shqipe, sepse vetëm ashtu mund të realizojmë vetveten, vetëm në këtë mënyrë merr kuptim aktiviteti ynë politik. Çdo aktivitet që nuk është komplementar me këto kushte e konsiderojmë si pengesë ndaj aspiratave tona. Protesta e 22 Prillit është protesta ndaj rendit, ndaj statusit, ndaj shtetit, ndaj pushtetit që ka riprodhuar vetveten tash e mbi 25 vjet, gjithmonë në dëm të shqiptarëve. U bëjmë thirrje studentëve, unioneve të tyre, shoqërisë civile, organizatave të ndryshme jo-qeveritare, subjekteve politike shqiptare. Bëjmë thirrje tek çdo shtëpi ku flitet shqip, që fatin e vet ta lidh me vullnetin e përbashkët. Ne nesër do të manifestojmë kushtin e lirisë dhe demokracisë duke dalë në rrugë e protestuar. Do të protestojmë kundër sistemit. Kundër këtij sistemi diskriminues, segregues dhe antidemokratik. Do të ngremë zërin si kolektivitet sepse pikërisht si kolektivitet na janë mohuar të mirat e mirëqenia. Të bëhemi nesër në Shkup një trup i vetëm.” thuhet në deklaratën e përbashkët të këtyre subjekteve.