leoni

Nezir Myrtaj: ANKESË Lidhur me aktgjykimin nr. 69/82 të datës 10.7.1982. V

Nuk kemi bërë presione mbi serbët e malazezët, por mbi popullin shqiptar po bën presion një pushtet i tërë

Për të mbuluar dhunën, terrorin, masakrat e presionet e veta ndaj popullit shqiptar në Jugosllavi, udhëheqja e saj përmes propagandës së vet të ndyrë po përhap lloj-lloj gënjeshtrash gjoja për presionet që po i bëhen popullit serb e malazez në Kosovë, duke e akuzuar krejt popullin shqiptar se po bëka presione të formave të ndryshme duke llogaritur këtu konfliktet në mes të personave të veçantë, blerjen e pronës së ndonjë serbi që shpërngulet me vullnetin e vet, prishjen e ndonjë varreze (që në të gjitha rastet janë bërë nga fëmijë të pandërgjegjshëm ose edhe nga vetë serbët të ngarkuar me nacionalizëm e shovinizëm për qëllime të caktuara), pyetjen që i paska bërë ndonjë fëmijë ndonjë serbi, në formën ”a do të na japësh republikën” ( e në këtë rast dihet përgjigja), preja e një qerreje dru në malin e ndonjë serbi etj, etj., e kështu deri në absurd duke numëruar këtu krijimin e klimës së papërshtatshme politike në Kosovë. Dhe, nga këto “presione” populli serb dhe malazez po u shpërngulka nga Kosova. Mirëpo, sado e rafinuar dhe e përpunuar me mjeshtëri të jetë demagogjia jugosllave, për njollosjen e popullit shqiptar, nuk ia arrin dot qëllimit të ndyrë, sepse nuk i ha kush gënjeshtrat pa kripë. Udhëheqja jugosllave është shqetësuar shumë për shpërnguljet që po u shkaktuakan në Kosovë dhe ka që një vit e gjysmë që ka formuar komisione të veçanta, të cilat kanë për detyrë që të ndalojnë procesin e “shpërnguljes”. Bile sot kur janë hartuar programe të “luftës për Kosovën”, në forumet më të lartë partiake e shtetërore, si betejë kryesore është caktuar ajo kundër shpërnguljes së serbëve e malazezve nga Kosova.

Vetëm ai që është i ngarkuar me një shovinizëm të trashë ka paturpësinë të flasë për “presionet” të cilat po e detyrojnë popullin serb e malazez për shpërngulje, vetëm ai ose ata mund të propozojnë që “shpërngulja” e këtyre popujve të shqyrtohet që nga viti 1971 e këndej, por nuk dëshirojnë të fillojnë vetëm pak vjet më përpara këtë shqyrtim shpërnguljesh. Si nuk ka turp udhëheqja jugosllave të akuzojë një popull të tërë, të cilin dikur pat ëndërruar ta shpërngulte të tërin nga tokat e veta: sot me qindra mijëra shqiptarë të shpërngulur me dhunë e demagogji jetojnë në shkretëtirat e Anadollit, po aq shqiptarë të shpërngulur nga Mali i Zi jetojnë në Amerikë, Australi e në shtetet e perëndimit etj., me mijëra bijë shqiptarë sot janë ndarë nga gjiri i ngrohtë i familjes dhe  toka e tyre e dashur duke mos pasur të drejtë kthimi, dhe këto në kohën e Jugosllavisë ”socialiste vetëqeverisëse” ndodhën – kjo është më tepër se gjenocid i ushtruar ndaj një populli. Ndoshta udhëheqja jugosllave mendon se populli ynë nuk i kupton maskaradat e kurdisura në kurrizin e tij, por le ta dijë mirë se ato i di jo vetëm populli shqiptar por edhe popujt jugosllavë edhe popujt që e njohin realitetin jugosllav.

Udhëheqja jugosllave angazhoi personalitete politike e pseudoshkencore për hartimin e planeve për shfarosjen e popullit shqiptar. Ato personalitete kaq shumë të angazhuara u lavdëruan sepse kryen detyrën  “me nder”. Dhe ato personalitete, sot ( në ditët kur u kritikuan” ato plane) zënë një vend me rëndësi dhe heqin vallen sipas avazit të vjetër në udhëheqjen e ngushtë partiake e shtetërore. Është ai Çubrilloviç, ai Kolishevsk, e ai Çesmersk etj. Që edhe sot flasin për rritjen e shpejtë të popullit shqiptar dhe ndoshta në kokën e tyre sillet vërdallë ndonjë plan i ri shfarosjeje. Ishte para një kohe Shkupi e Beogradi qendër e shpërndarjes apo më mirë të thuhet dëbimit të shqiptarëve nga tokat e veta me lot në sy – ja zgjidhja jonë e çështjes kombëtare-kjo është pak më pak se dëbimi i palestinezëve nga trojet e tyre nga  izraelitët)- kjo është rruga e shfarosjes.

Jo vetëm kohëve të fundit por gjithmonë kokat jugosllave të udhëheqjes u shqetësuan shumë për shtimin natyror të popullsisë shqiptare dhe për këtë shkak edhe preferuan një “planifikim” të familjes. Kjo çështje kaç me “rëndësi” ishte temë diskutimi edhe në Komitetin Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, ku kishte përpjekje të gjenden shkaqet e kësaj rritjeje e një nga to ishte (thanë ata) prapambetja ekonomike e kulturore e popullsisë shqiptare. Dhe është interesant se si udhëheqja jugosllave, për të zvogëluar shtimin natyror të shqiptarëve, të kësaj dukurie “jonormale” nuk u përpoq ta nxjerrë Kosovën e viset tjera me shqiptarë, nga prapambetja! Në vlerësimin e kësaj çështjeje ka pasur edhe qëndrime të drejta. Ka pasë edhe zëra që kanë thënë të vërtetën se “viset ku jetojnë shqiptarët janë më të prapambeturat”; me siguri, nëse vërtet ka komunistë jugosllavë, ka të tillë që ju vjen turp ta diskutojnë këtë çështje të shtimit tonë natyror.

Ne “GMLK”, edhe në materialet tona e kemi dënuar politikën jugosllave në qëndrimin ndaj shtimit natyror të shqiptarëve dhe konsiderojmë atë si farsë të rrezikshme dhe vazhdim të përpjekjeve të saj për shkombëtarizimin e viseve shqiptare. Nëse ne në traktet tona kemi dënuar përpjekjen për zvogëlimin e numrit real të popullsisë shqiptare gjatë regjistrimeve, nuk kemi bërë asnjë të keqe, për këtë kemi pasur të drejtë dhe në bazë të kësaj nuk mund të quhemi nacionalistë. Pra, kur populli shqiptar në Jugosllave akuzohet se bën presion ndaj të tjerëve, ndaj tij udhëheqësit jugosllavë kërkojnë që të merren masa kundër shtimit natyror edhe pse ata e dinë se për shqiptarin fëmija është gëzimi i jetës, se ai jetën nuk e mendon pa trashëgues.

Jo vetëm shtimi natyror, por edhe origjina e shqiptarëve, sikur nuk u pëlqen atyre që neve po na quajnë nacionalistë, irredentistë, prandaj edhe sikur po u pengon shumë autoktonia jonë – kjo nuk është më shumë se racizëm.

Ne marksistë-leninistët e Kosovës e dënojmë çdo presion të vërtetë që mund t’u bëhet familjeve serbe e malazeze, e që nuk përjashtohet rasti, dhe dëshirojmë fqinjësi të mirë me ta, mirëpo po aq tepër dënojmë propagandën jugosllave e cila çdo shpërngulje e karakterizon të karakterit politik, të bërë nën presion. Ne nuk e mohojmë faktin se ashtu siç mund të ndodhë një ngatërresë në mes të shqiptarëve, mund të ndodhë edhe në mes të shqiptarëve dhe ndonjë anëtari të kombit tjetër; ashtu siç mund të vritet një shqiptar nga dora e një shqiptari, mund të vritet edhe një serb; ashtu siç mund të shahet një shqiptar nga një fëmijë shqiptar, mund të shahet edhe një serb dhe që këto të mos kenë karakter politik, mirëpo që të diskreditohet lufta e drejtë e popullit kosovar, çdo incident ndërnacional në Kosovë po kualifikohet e karakterit politik. Vallë a nuk qenka racizëm ideja se gjaku i një joshqiptari, qenka më i shtrenjtë se i shqiptarit; që vrasësi i një joshqiptari qenka kriminel dhe duhet të dënohet me vdekje, kurse vrasësi i një shqiptari edhe mund të arsyetohet!! Sot propaganda jugosllave për konsum, po shfrytëzon deklaratat e njerëzve të pandershëm, të cilët edhe në ditët e “Rankoviqit” përhapnin fjalën e tyre përmes mjeteve të informimit. Janë qesharake deklaratat e atyre personave të cilët flasin për shpërnguljet e serbëve e malazezve nga Kosova-ata po bëhen trumbetues të politikës në fuqi.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …