Dr. Skënder Demaliaj: HYSEN PAPA – DREJTUESI I NDRYSHIMIT DHE I TRANSFORMIMIT TË TROPOJËS NË VITET 1970-1978

Dr. Skënder Demaliaj: HYSEN PAPA – DREJTUESI I NDRYSHIMIT DHE I TRANSFORMIMIT TË TROPOJËS NË VITET 1970-1978

Hysen Papa, njeriu i palodhur i punës. Jetoi aq sa punoi. Jetëgjatësia e çdonjërit nga në llogaritet jo nga vitet, por nga puna.

Vitet 1970 – 1978 në Tropojë e themi me plot gojë: Janë vitet e Hysen Papës

Tropoja në vitet 1970 – 1978 pati një ndryshim dhe transformim rrënjësor. Bajram Curri në atë kohë ngjante me një fshat. Pikërisht në këto vite mori pamjen dhe funksionin e një qyteti të vërtetë: me rrugë të asfaltuara, me shëtitoren, me ndërtesa moderne shumë katëshë, me lulishte e parqe, me objekte të shumta social-kulturore. U ndërtua vepra e madhe energjetike, Hidrocentrali i Fierzës, Fabrika e tullave në Tropojë, Fabrika e miellit, u vu në punë linja e re e prodhimit të rakisë, verës, kumbullës së zezë tropojane, u shumëfishua eksporti i gështenjës, u hapën vendburime të reja kromi në Kam, Kepenek, Zogaj, Lajthizë, Rragam, filloi shfrytëzimi i kuarcit me cilësi shumë të lartë në Kërnajë. U ndërtua spitali i ri, poliklinika e re, spitali infektiv. U mbollën plantacione me kumbulla, rrush, mollë, qershi, pjeshkë, arra. Numëroheshin rreth një milionë dru frytorë. Fidanishtja e Tropojës ishte nga më të mirat në shkallë vendi. U ndërtua godina e re e Komitetit të Partisë dhe e Komitetit Ekzekutiv, Gjykata dhe Prokuroria e rrethit. Shtëpia e oficerëve, Shtëpia e pritjes, Hotel Turizmi, Muzeu Historik. U vunë në punë për ujitje rezervuarët e Tplanit, Degës, Zogajt, Zherkës, Vladit, Rodogoshit, Visoçës. U hapën 80 kilometër kanale kulluese në fshatrat: Tplan, Pac, Zogaj, Tropojë, Arvejë, NB Rragam. Në vitin 1960 kishte 2000 ha tokë nën ujë, më 1970 kishte 4000 ha dhe më 1978 kishte 6000 ha tokë nën ujë, pra 80% e sipërfaqes ujitej. U bonifikuan 1600 ha tokë në: Pac, Tplan, Zogaj.

Përparimi i një vendi nuk matet me një tregues të vetëm. U ndërtua Pallati i Kulturës (1974) me sallën e shfaqjeve me mbi 400 vetë. U krijua dega e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve (1974), Shtëpia e pionierit (1975), ku zhvillonin veprimtari rrethi i letrarëve të rinj, i valltarëve, i këngëtarëve, i instrumentistëve, i piktorëve të vegjël. Filloi nga puna Teatri i kukullave, i cili jepte 3 – 4 premiera çdo vit. U ngrit Kabineti i folklorit (1977) Parku sportiv i lojërave me dorë. U hap filiali i Universitetit të Shkodrës, shkollat e mesme në Tropojë, Pac, Lekbibaj, Margegaj, Fierzë, Cërnicë, Bujan. U plotësuan nevojat me kuadër vendas në arsim, shëndetësi, bujqësi.

Studimet na kanë mësuar se bota nuk mund të kuptohet pa numra, por edhe se nuk mund të shpjegohet vetëm përmes tyre.

Hysen Papa u shfaq në këto vite si lider i vërtetë. Suksesi personal i tij lidhet me:

marrjen e iniciativës, mbajtjen e zotimeve, të qenit e tij shumë aktiv, duke qëndruar në krye të punëve e duke prirë me shembullin e tij personal,

përcaktimin e prioriteteve,

zbatimin e thënies “Kërko fillimisht të kuptosh, pastaj të kuptohesh”

zbatimin e parimit të vetëpërtëritjes së balancuar.

Drejtues i talentuar e i përkushtuar në shërbim të njerëzve

Servantes thotë së talentet kanë biografitë më të shkurtra. Kjo fjalë e mençur e këtij shkrimtari të madh më sjell ndërmend Hysen Papën, drejtuesin e talentuar e të përkushtuar në shërbim të njerëzve. Drejtuesit e partisë e të pushtetit në Tropojë para ardhjes së tij mburreshin se e dinin shumë mirë çfarë duhej të bënin, por bënin pak më shumë se asgjë. Hysen Papa e dinte çfarë t’u thoshte, t’u kërkonte e t’u premtonte njerëzve. E mbante fjalën, i bënte realitet premtimet e dhëna. Bëri shumë… një ndryshim jo i vogël. Ndryshim në mentalitet. Analizën dhe vendimet i merrte mbi bazën e informacioneve, të dhënave dhe fakteve konkrete. Një procedurë e tillë është e vështirë, por është shumë frymëzuese dhe kuptimplote për të kuptuar situatën, të vërtetën. Një perceptim për botën i mbështetur mbi këtë model ndihmon të orientohesh saktë, shpejt dhe të gjesh drejtimin e duhur.

Qyteti duhej të kishte një plan rregullues funksional, të ishte i pastër, i sistemuar, me më shumë hapësirë, me vepra industriale të përqëndruara, me shumë njësi shërbimi për të rritur shumëllojshmërinë dhe cilësinë e tyre. Qytetarët do të kishin më shumë kohë të lirë, do të ishin më të relaksuar, më bashkëpunues,më aktivë në punët komunitare. Ai mblodhi inxhinierët, bisedoi dhe u konsultua me ta, i nxiti të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, me qytetarët, me arkitektët dhe inxhinierët jashtë rrethit, të shfletojnë e të lexojnë literaturë bashkëkohore. Gjërat e mira realizohen nga ata njerëz që kanë mendime dhe veprime aktive, që vëzhgojnë me zell të madh jetën e tyre të brendshme dhe atë të të tjerëvë, që perceptojnë kudo modele dhe stimuj pozitive. Këta njerëz nuk lodhen së kombinuari mjetet që kanë në dispozicion. Në vitin 1971 filloi ndërtimi i veprës më të madhe energjitike në vendin tonë, Hidrocentrali i Fierzës. Këtë moment e shfrytëzoi me shpejtësi Hyseni. Përfitoi nga fondet e caktuara për Fierzën, nga aftësitë e inxhinierëve që punonin aty, nga teknologjia dhe makineritë e saj. Konsultimet me ekspertë e specialistë të fushave të ndryshme ishin elementi thelbësor i punës dhe i suksesit të tij. Për planin rregullues të qytetit u konsultua me inxhinierët Ismajl Ahmeti dhe Demush Mala. Për mbjelljen e drurëve frutorë, vendet ku do të mbilleshin dhe varietetet dhanë pëlqimin e tyre agronomët Sadri Metaliaj e Ahmet Mala si dhe mjeshtrit më të mirë popullorë, per ujitjen Sokol Meshi, Sokol Rama, Hasan Ponari, për shërbimin gjeologjik Haki Caslli, për shërbimin veteriner Filip Meshi, për mekanizimin e proceseve në bujqësi Tahir Aliaj, për zhvillimin e arsimit, të kulturës dhe artit Selim Matoshi, Idriz Logu, Hasan Neza, Ndoc Papleka, Marash Mëhilli, për sektorin e shëndetësisë Ramë Matoshi dhe Shaban Mala. Njerëzit nuk jetojnë së bashku thjesht për të qenë së bashku. Ata jetojnë së bashku për të bërë diçka së bashku. Më të suksesshmit gjithmonë janë shembuj të këmbënguljes. Bashkimi i pasionit me këmbënguljen e bën të veçantë drejtuesin. I veçantë, i papërsëritshëm mbetet Hysen Papa. Psikologjia na mëson se talenti plus përpjekje janë baraz me aftësi dhe aftësi plus përpjekje janë baraz me suksesin. Hysen Papa kishte talent dhe aftësi. Gjithë veprimtaria e tij politike, organizative karakterizohet nga përpjekjet e vazhdueshme e të pandërprera për rritjen ekonomike, rritjen e të ardhurave dhe përmirësimit të cilësisë së jetës. Idetë dhe projektet e reja nuk e shpërqëndruan nga ato të mëparshmet, pengesat nuk e shkurajuan. Interesat, prioritetet ndryshonin nga viti në vit. Janë pjesë ë didaktikës së jetës dhe zhvillimit. Në vëmendjen e tij ishin ato më kryesoret. Vendosmëria, aftësia për të marrë vendime në kohën e duhur e për t’i zbatuar ato zhvillohet. Kështu ndodhi me Hysen Papën, por edhe me njerëzit që i drejtoi.

Ndryshojmë kur kemi nevojë të ndryshojmë. Kishte ardhur momenti për ndryshim. Ritmet e zhvillimit në Tropojë në dekadën 1960-1970 qenë të ngadalshme. Ndërtimi i veprës së Fierzës, intensifikimi i marrëdhënieve Shqipëri – Kosovë, dyfishimi i popullsisë, përgatitja e kuadrove vendas ndikuan pozitivisht në zhvillimin e Tropojës, qenë shtysë pozitive për t’u prezantuar më mirë, më me dinjitet me vëllezërit kosovarë. Malësia e Gjakovës është zgjatim i trojeve shqiptare që mbetën jashtë territorit të saj pas Konferencës së Londrës së vitit 1913. Këto rrethana politiko-ekonomike-shoqërore-kulturore-arsimore, momenti historik që u krijua u shfrytëzuan pa humbur kohë e me zgjuarësi nga drejtuesi kryesor i rrethit Hysen Papa. Katër asetet themelore psikologjike: interesi, praktika, qëllimi, shpresa u bënë pjesë e pandarë e mendimit dhe e veprimit të tij. Interesi dhe pasioni janë të lidhura pazgjidhshmërisht me njëri-tjetrin. Interesi e rrit dhe e forcon pasionin. Pasioni shfaqet kur ajo që bëjmë na jep kënaqësi. Praktika është një formë e këmbënguljes, është disiplina e përditshme, përpjekja për të realizuar gjërat më mirë se më parë. Qëllimi, bindja se puna jote është e rëndësishme e motivon pasionin. Shpreson edhe kur ka vështirësi dhe rrethanat nuk janë në favorin tënd. Pas çdo pune të mirë që bëhej, pas çdo suksesi ai ndihej më i lehtësuar, e ndjente veten më mirë, e bënte gjumin rehat. Ndihej i lumtur. Të jesh i lumtur do të thotë te jesh i mjaftueshëm në vetvete. Meditonte… meditonte… vepronte që të nesërmen për arritje e suksese të reja.

Drejtues me vizion, orator i pashoq

Vizioni është i lidhur me përgatitjet paraprake për të njohur vlerat e tij dhe mundësitë për ta realizuar atë. Vetanaliza e zhvillimit të vizionit personal ndihmon në realizimin në kohë të objektivave kryesorë që i përcakton vetë. Sipas psikologëve vizionet kanë të bëjnë me atë:

si mund të kthehen dështimet në mësim,

frika e dështimit kapërcehet duke siguruar suksese të qëndrueshme,

si mënjanohen vetkufizimet që ushqehen nga mosbesimi në vetvete,

guximi ka aftësi magjike për të siguruar suksesin,

arritja e suksesit është zgjidhja më e mirë e problemeve, sepse hap rrugën për suksese të reja të niveleve gjithnjë e më të larta,

Hysen Papa ndërmori nisma të guximshme. Vetëm supet e tij i mbanin ato. Pati edhe skeptikë e dashakeqë, dikush nën zë e dikush me zë thanë se nuk mund të realizoheshin, do të mbeten në mes të rrugës. Pati edhe nga ata që u bënë pengesë. Rruga duhej pastruar nga drurët e shtrembër dhe ai e pastroi. Do të kishte vështirësi, pse jo edhe ndonjë dështim të përkohshëm, por nuk u tremb, nuk u zmbraps. Mësoi prej tyre, shtoi ritmet e punës. Njerëzit e mençur na kanë mësuar se sado të mendosh, po nuk veprove, nuk mund të largosh edhe një gur nga rruga. Nuk humbi kohë që ditën që u vu në krye të punëve në Tropojë. Aksioma e tij ishte: “Asnjëherë nuk do të gjesh kohë për diçka nëse nuk do që t’a gjesh”. Qëndronte në zyrë deri në mesnatë, gjithë ditën bashkëbisedonte me kuadrot kryesorë, me bujqit, blegtorët, mekanikët, ndërtuesit, mësuesit, artistët, kufitarët. Ishte dhe orator i pashoq. Me orë të tëra fliste pa i përsëritur fjalët. Në bisedat e tij me njerëzit kishte mirësi, thirrje për punë, zotime të ndërsjellta, shpresë për ditë më të mira. Dembelët, thashethemexhinjtë, bajraktarët parazitë e mburracakë nuk i duronte. Mbeten aktuale edhe sot fjalët e mençura të një plaku tropojan: “Kryesisht paria politike e Malësisë së Gjakovës për 70 vjet ngeli bajraktare e pushtetit, ndërsa Hysen Papa ngelet bajraktari i punës”. Me termin “kulturë” nuk nënkuptohen kufijtë gjeografikë apo politikë që ndajnë një popull nga një tjetër, por kufijtë e padukshëm psikologjikë që na ndajnë nga ata. Në thelbin e saj një kulturë përcaktohet nga normat dhe vlerat e përbashkëta të një grupi njerëzish. Me fjalët të tjera një kulturë e veçantë shfaqet sa herë një grup njerëzish gjejnë mes tyre konsensusin për mënyrën dhe arsyen e realizimit të gjërave. Hysen Papa u dha tropojanëve kulturën e vendosmërisë për t’i çuar gjërat deri në fund, deri në realizimin e plotë, ju dha kulturën e punës.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …