RKL

RKL: Ndërgjegjja e emigrantëve në peshojë pas fiaskos së “Kauzës” së Albin Kurtit, Vjosa Osmanit e Glauk Konjufcës

Dihet dhe nga askush nuk mund të mohohet kontributi jo vetëm financiar  i mërgimtarëve shqiptarë veçmas në Gjermani, Zvicër, Austri por edhe në shumë vende të tjera të Evropës e më gjerë. Dihet po ashtu se të hollat që mërgimtarët u dërgojnë familjeve të tyre e  kanë zbutur dhe e zbusin shkallën e varfërisë ekstreme, sepse buxheti i Kosovës që për 20 vjet nuk ka kaluar më shumë se dy deri në tre miliardë euro, nuk i dedikohet përmirësimit të kushteve të jetës së klasës së varfër por i shërben Qeverisë, administratës, arsimit, shëndetësisë, policisë së Shtetit, FSK-së dhe agjencive të shumta, që zënë me punë të afërmit dhe akrabatë e pjesëtarëve të  koalicioneve qeveritare.

Buxheti i varfër i Kosovës shfrytëzohet nga partia fituese ose koalicioni qeveritar dhe nuk mjafton për investime, as ka pasur apo ka ndonjë interesim në këtë drejtim, por u mjafton oligarkëve, parazitëve politikë, sekserëve të bosëve të politikës, kryetarëve dhe kryeparëve që na qeverisin, për ta  shfrytëzuar mizorisht, apo sikur  thuhet butësisht për ta “menaxhuar” si është më së miri, në të gjitha segmentet ku ndahet paraja publike dhe ku mund të zhvatet në të gjitha mënyrat tashmë tejet të sofistikuara. Mjafton të jesh mirë me letra kur shfrytëzon paranë publike, mjafton të kesh një dokument si mbulesë she pastaj bën sikur i thonë fjalës, “haja qenit, pija qenit, tash i bimë karadyzenit”.

Edhe tani 22 vjet pas luftës dhe çlirimit të Kosovës nga Serbia  pushtuese, vrastare e Milosheviqit, Kosova ende mbetet   me ardhmëri të rrethuar, shtet i njohur dhe i panjpohur, i pranuar dhe i papranuar, gjithnjë peng i politikës kolonialiste të Serbisë dhe i mbështetësve të këtij shteti xhandar të Evropës, sidomos nga Franca, Holanda, Gjermania, Austria  dhe jo pak shtete të tjera përveç Spanjës, e cila është zotuar se nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, edhe në rast se e pranon Serbia. Po ashtu i mbesin besnike  Serbisë edhe Rumania, Sllovakia, Greqia dhe shteti  i ndarë xhuxh, grek, Qiproja vend anëtar i BE-së.

Në kushte dhe rrethana të tilla politike, Kosova në përgjithësi, shqiptarët kudo ku janë dhe ku jetojnë, kanë obligim të japin ndihmën e tyre, jo për oligarkët në pushtet, jo për këtë apo atë parti politike, por për popullin në përgjithësi dhe besojmë se shmica syresh kanë vepruar dhe veprojnë kështu.

Përkrahja unanime e emigrantëve shqiptarë për Vetëvendosjen,  në zgjedhjet e fundit, derdhja e milionave për këtë qëllim, ishte një përkrahje thjesht politike, me marrëveshje paraprake përmes sekserëve politikë, duke u bërë pjesë e një kauze mashtruese, por  edhe e joshur me premtime për favore dhe përfitime politike.

Tani kur Vetëvendosja ka marrë pushtetin dolën sheshit marrëveshjet dhe tashmë ka filluar edhe zbatimi i tyre, sepse vota ka qenë e kushtëzuar me favore, favore për ata që kanë shumë, në mënyrë që të përfitojnë edhe më shumë, pavarësisht se partia në pushtet deklarohet parti e majtë, me program të barazisë sociale, që ishte një mashtrim i radhës dhe kurrsesi një kauzë realiste për vënien në jetë të atij programi.

Sot, më 2 korrik 2021, mërgimtari nga Peja, Fuat Ademaj,  që jeton dhe punon  në Gjermani, i ka shkruar letër publike kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit duke thënë se nuk ka nevojë që shteti i Kosovës të paguajë sigurimin e tij.

E di shumë mirë gjendjen e bashkëvendasve të mi që jetojnë në Kosovë. Një pjesë e tyre jetojnë më asistencë sociale e pension të veteranit të luftës, më pagesa tmerrësisht të ulëta, që nuk garantojnë as ushqim minimal për të kaluar muajin.

 

Faleminderit Kryeminister Kurti, që mërgimtarëve po dëshiron të ua paguash policen kufitare, pasi që Kosova akoma nuk është pjesë e Kartonit të gjelber.

Unë nuk kam nevojë që nga buxheti i varfer i Kosovës të më paguhet sigurimi.

A mos vallë gjyshes sime 92 vjeçare ia ndale shtesen e pensionit, për sigurimin e makines sime, që kushton disa mijëra euro ?

Apo ndoshta edhe veteranëve të luftës do ua ulë pensionet, për t’iu hy në “hater” mergimtarve?

Nese mendon që më këtë veprim, mund ta marrësh votën time, atëherë gabohesh.

Ne mërgimtarët vetëm japim për Kosovën, sepse atje kemi vendlindjen, prindërit, shtëpitë e tokën. Në Kosovë kemi gjakun tonë.

Më këto mjete të ndara, ndërto çerdhe e spitale, ndërto shkolla profesionale që të rinjët të pavarësohen.

Mua mos ma paguaj sigurimin, nuk ke nevojë.

Por ky është vetëm një rast, një rast që tregon ndërgjegje kombëtare dhe kërkon barazi shoqërore, sikur kishte premtuar Albin Kurti, i cili ka filluar ta realizojë premtimin për mirëqenien e mërgimtarëve, atyre mërgimtarëve që ia kanë dhënë votën kauzës të tij politike, apo parapolitike.

Sa do të ketë peshë ky reagim, kur dihet se shumica e mërgimtarëve, nuk do ta mbështesin këtë zë ndërgjegjeje dhe kjo zbulon një anë të shëmtuar të kësaj politike, kur del në shesh fakti se vota është dhënë me kusht për favore, ashtu sikur po ndodh edhe me të afërmit, akrabanë e afërt  e të lagët të partiakëve aktualë, të cilët po i zënë me punë militantët, që u kanë sjellë vota, me premtime e kushtëzime.

Deri tani, Vjosa Osmani ka rehatuar shumë nga akrabatë e militantët, njëjtë kanë vepruar edhe Albin Kurti e Glauk Konjufca.

Dhe, kur i hiqet “peta lakrorit”, i zënë ngushtë para fakteve e  argumenteve, Albin Kurti duke  folur për nepotizmin, pjesë e kauzës të tij mashtruese në fushatën zgjedhore, tani thotë:

Unë nuk mund të emërojnë këshilltar që nuk përputhen me programin tonë. Kurti, emërimin e familjarëve nëpër pozita e arsyeton duke thënë se janë “profesionistë” të spikatur. “Nëse ka ndonjë rast individual të ndonjë lidhje të ndokujt kjo nuk është bërë për shkak që e ka atë lidhje familjare, por bëhet fjalë për një profesionist të spikatur. Duhet ta dallojmë shërbyesin civil, prej të emëruarit politik. Unë ministra e ata këshilltar të tyre, nuk mund t’i emërojmë njerëzit që nuk përputhen në bindje dhe në të njëjtën kohë nuk e pranojnë programin”, tha Kurti në RTK

Ja si bëhet paçavure “kauza”, pa as edhe një keqardhje, pa asnjë pikë morali njerëzor e kombëtar, dhe, në rastin konkret ajo i nënshtrohet një puro morali politik, kapitalist madje edhe feudo-kapitalist.

Tani, pushtetarët e rinj, largojnë nga puna zyrtarët e ish pushteteve dhe duke u thirrur  në radhë të parë në profesionalizëm, ata  “pyllëzojnë “pushtetin e tyre politik  me fidanë të rinj, të një prodhimi hibrid, me shpresë se do të vjelin frute për ta mbajtur pushtetin sa më gjatë që të jetë e mundur, edhe pse dita e mirë shihet në mëngjes, por kurrë nuk dihet se çka sjellë pasditja.

Emigrantët e kanë “hak” të përfitojnë edhe nga buxheti i Kosovës, sepse kanë dhënë dhe po japin për të afërmit e tyre, me qëllim për të mos u bërë barrë e buxhetit të varfër, të vendit në të varfër të Evropës, që krahasohet me disa shtete të Afrikës e Amerikës Latine.

Ata gjithnjë i kanë pasur dyert e hapura për të investuar kudo në Kosovë, në Shqipëri e në Maqedoni,  nga kushdo që ka qenë në pushtet, dhe nuk janë pas syresh që kanë investuar dhe përfitojnë të mira materiale më shumë sesa kanë përfituar, në Gjermani, Zvicër e gjetkë, ku kanë punuar me vite të tëra.

Tekefundit, ata e paguajnë tagrin më të lartë të ardhmërisë së tyre familjare, sepse nuk i përballojnë dot  proceseve globaliste kapitaliste, asimilimit të qetë  dhe konvertimit të “natyrshëm”, madje jo gradual dhe të ngadalshëm, por të shpejtë e pashmangshëm.

Ata tani për tani kënaqen me një banesë apo shtëpi në Kosovë, të nderuar aspo të blerë në Kosovë,  ku vijnë një apo dy herë në vit, por nuk i sjellin dot të gjithë pjesëtarët e familjeve të tyre. Me këtë veprim të tyre nostalgjik, atdhetar, për të mos u shkëputur nga vendlindja, ata mundohen të mbahen për aq sa munden, edhe pse thellë në vetëdijen e ndërgjegjen e tyre rëndon “çekani” i padrejtësisë shoqërore, pasi shumë prej tyre jeta në pushtim me kohë i ka degdisur  nëpër botë, nga ku nuk ka kthim prapa.

Është vështirë e besueshme se heqja e polisave kufitare do t i lidhë më shumë emigrantët me vendin. Për atë shumë parash, që kursejnë nga polisat, ata shpenzojnë për pije gjatë rrugëtimit për në Kosovë. Por në politikë është me rëndësi se si përdoret karremi, meqë ajo është “kauza” për përfitime më të mëdha.

Emigrantët në Kosovë janë të mirëseardhur, sepse ata venë e vinë në vendlindjet e tyre, në atdheun e tyre, por nuk është e ndershme nga ana e tyre, të përkrahin vetëm pushtetarët, të pasurit, oligarkët e të gjitha kategorive dhe të ndikojnë në thellimin e hendekut të përçarjes mbi baza politike.

Kontrolloni gjithashtu

BDI; Përgënjeshtrim i deklaratave të Albin Kurtit mbi Gjuhën Shqipe, që inkurajojnë Gjykatën Kushtetuese

Deklaratat e fundit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me statusin e gjuhës shqipe …