Në aktgjykimin kundër të cilit po ushtroj këtë ankesë, për të arsyetuar dënimet e rënda janë përdorur mekanizma mbrojtës për akuzat qesharake që na janë ngarkuar. Sipas atyre që na dënuan, ne paskemi dëshiruar një sistem shoqëror të tipit stalinist, dogmatik, një sistem të barkut të njëjtë, një sistem pa pronë private ku shteti ta ketë rolin kryesor etj, etj., sepse ne qenkemi jo marksistë-leninistë, por ekstremistë stalinistë me ideologji dogmatike. Shumë nga këto akuza i kemi për ndër që na ngarkohen, sepse janë akuza që çdo oportunist e revizionist ua bën revolucionarëve, akuza që tregojnë hapur se si shtrembërohet marksizëm-leninizmi. Nuk është e vërtetë që ne kemi dhënë ndonjë recetë për një rregullim shoqëror, për një socializëm të veçantë. Parimet e socializmit i kanë dhënë themeluesit e marksizëm-leninizmit dhe ne nuk kërkojmë që të ndërtohet një socializëm jashtë këtyre parimeve. Vetëm “politikat” jugosllave shpikën një lloj të ri të socializmit jashtë parimeve themelore të tij, një socializëm me pronë private, një socializëm “human”, një socializëm kapitalist. Dhe kjo, është “meritë” e madhe “sepse, as Marksi e as Engelsi, as Lenini e lëre më Stalini, nuk kanë mundur të parashikojnë një socializëm me pronë private. Lindja e pronës private, shkruan Marksi, çdo orë e çdo çast lind kapitalizmin.
E çfarë mund të thuhet atëherë për Jugosllavinë, në të cilën jo vetëm që ka lindur prona private, por ajo asnjëherë nuk është zhdukur-për këtë edhe ka “nderin” të quhet revizioniste. Duke menduar se populli i Kosovës është ai i viteve të dyzeta, apo edhe të mëhershme, i zhytur në obskurantizëm fetar, po bëhen përpjekje për t’i “bindur” njerëzit besimtarë se ne po dashkemi të prishim kisha e xhamia. Në këso pozite ka rënë Jugosllavia “vetëqeverisëse” sa të kërkojë ndihmë e bashkëpunim me hoxhën e popin. Dhe dihet mirë se kujt i ka shërbyer feja gjithmonë. Marksi “fetar” thotë se feja është opium për popullin, kurse disa politikanë filistinë në Kosovë po shqetësohen për fatin e fesë së popullit të Kosovës. Por kot flasin ata, sepse populli shqiptar i njeh mirë ata dhe e di se ç’fe kanë. Ne marksistë-leninistët e Kosovës, marksizëm-leninizmin e kuptojmë si teori revolucionare që klasës punëtore ia tregon rrugën e çlirimit të vet-prandaj edhe është teori e klasës punëtore, atë nuk e kemi kuptuar kurrë si dogmë. Gjithmonë marksistët konsekuentë, nga oportunistët, socialdemokratët, anarkoliberalët e revizionistët e çdo ngjyre, janë akuzuar për dogmatikë, si të majtë etj. dhe nën pretekstin e marksizmit krijues, duke zbatuar atë në kushtet “konkrete”, e që nuk mohohet kjo veçori, revizionistët e kanë ndryshuar atë krejtësisht, duke hedhur poshtë edhe parimet kryesore të tij. Për ne është nder të quhemi stalinistë, kur dihet se nuk ekziston drejtim i veçantë ideologjik me emrin stalinizëm, por Stalini me veprën e vet, nuk ka bërë asgjë më tepër përveç që e ka vazhduar veprën e Marksit, Engelsit e të Leninit, prandaj edhe mbetet një klasik i ndritur i marksizëm leninizmit. Është po ai Stalin që kishte marrë pjesë në revolucionet demokratike borgjeze të Rusisë cariste; po ai Stalin që së bashku me Leninin e madh e udhëhoqën Revolucionin e parë proletar në botë; ishte ia Stalin, bashkëpunëtori nga më të ngushtit të Leninit; ishte ai Stalin të cilin, pas vdekjes së Leninit, vetë populli e kishte zgjedhur në vendin e tij; ishte po ai Stalin i cili për tridhjetë vjet me radhë qëndroi në krye të një të gjashtës së botës, të shtetit proletar, madje në një nga periudhat më të stuhishme dhe vendin i cili nga regjimi carist kishte trashëguar një prapambetje të gjithanshme e nxori nga një gjendje e tillë; ishte po ai Stalin që me Ushtrinë e Kuqe ia dha grushtin vendimtar nazifashizmit që ishte bërë rrezik për botën. Ata që ne po na quajnë stalinistë dhe që ndaj tij po hedhin kaq shumë baltë, le t’ia vënë për një moment gishtin kokës, të mendojnë drejtë e le të thonë se ishte socialiste Rusia e Stalinit, apo ajo e Hrushovit e Brezhnjevit, e cila Rusi ishte hegjemoniste e imperialiste;u sulmua dhe u rrezikua sovraniteti i shteteve e popujve nga Rusia e Stalinit apo nga ajo e Brezhnjevit?
Pse nuk u kritikua e sha Stalini sa ishte gjallë? “Diktatori” Stalin u kritikua nga ata që e bënë revizioniste Rusinë, për të cilën ishte derdhur gjak dhe po të ishte gjallë ai, do të mburrej me këto sulme. Nuk vrau e preu dora e Stalinit, por vrau e preu diktatura e proletariatit ata që e rrezikuan këtë diktaturë. Kundër Stalinit u hodhën të gjithë ata që me kohë i kthyen shpinën diktaturës proletare, ata të cilëve ai ua hodhi të palarat në fushë. Kur sot, popujve jugosllavë u servohet një propagandë kaq e madhe kundër Stalinit, pse atëherë këta popuj nuk i kanë në duar veprat e tij, a mos ai nuk paska shkruar asgjë dhe nuk paska asnjë dokument tjetër në bazë të të cilit të shihet e vërteta. Besoj se koha do ta thotë të vërtetën,e Stalinin do ta vë në vendin e merituar dhe siç do të triumfojë marksizëm-leninizmi, kështu do të mbetet i pavdekshëm edhe ai.
Për të na dënuar sa më rëndë, ne u akuzuam sikur ne qenkemi ata që shkaktojmë prishjen e marrëdhënieve me RPS të Shqipërisë. Jugosllavia paska dëshiruar të ketë marrëdhënie të mira me të (siç u tha në seancën gjyqësore) dhe populli shqiptar në Jugosllavi, paska pasur mundësi të shërbejë si urë lidhjeje midis këtyre dy shteteve. Mirëpo, duhet ditur njëherë e mirë se populli shqiptar nuk luftoi vetëm për ura, se këto ura që u mendua të krijoheshin nuk u vunë në baza të forta e të shëndosha.
Çdo popull ka të drejtë të interesohet për pakicën e vet në një shtet tjetër, e aq më tepër ka Shqipëria, e cila gjysmën e popullit e pat lënë jashtë Shqipërisë (sikur dikur Rusia e Leninit që sulmohej nga të tjerët) dhe ata që bëjnë këtë propagandë po tregojnë karakterin e tyre shqiptaro-fob, duke sulmuar çdo gjë shqiptare. Dielli me shoshë nuk mbulohet.
Edhe në aktakuzë, por edhe në aktgjykim bëhen përpjekje që dikush të nxirret si i parë. “GMLK” ka pas komitetin e saj drejtues, prandaj çdo gjë që është vendosë është vendosur prej tij, kështu që edhe përgjegjësia për çdo anëtar të tij është e njëjtë. Për të arsyetuar kurthin e kurdisur ndaj Hydajet Hysenit dhe shkatërrimin e tij, në aktvendim dhe në aktgjykim, ai nxirret si më fajtori, prandaj po u dashka të ndëshkohet sipas formave më të rënda që parashihen. Edhe në seancën gjyqësore është deklaruar se Hydajet Hyseni nuk ka qenë as kryetar grupi, as sekretar e as ndonjë udhëheqës tjetër në grup. Nuk është e vërtetë që ne të tjerët kemi thënë se vetëm Hydajt Hyseni di çdo gjë për grupin. Kjo është veshje. Unë kam bindjen se ndaj Hydajet Hysenit është bërë plan i rrezikshëm. Në aktvendimin nr. 14/82 nuk figuron fare emri i tij, kurse në të njëjtin aktvendim të shokëve të tjerë thuhet se ai ndodhet në arrati! Pse të mos shkruhet edhe në aktvendimin tim kështu, apo vetëm pse unë jam arrestuar së bashku me të?!
Në aktgjykim asnjë fjalë e mbrojtjes sime dhe as e shokëve të tjerë para trupit gjykues, nuk është shkruar, përkundrazi, ato janë falsifikuar e ndryshuar sipas qejfit. Për ata që nuk pranuan të paraqesin mbrojtjen e vet, në aktgjykim, nuk përmendet fare pse ndodhi kështu, pse nuk pranuan të flasin. Në seancën gjyqësore u lexuan edhe deklaratat e Hydajet Hysenit, pa prezencën e tij dhe ne as që besuam se ato ishin të tij, ashtu nuk mund të ishin prova materiale, pa dëgjuar edhe mbrojtjen e tij.
Të gjithë anëtarët e “GMLK”, e edhe unë, nuk kemi deklaruar dhe nuk kemi mundur të deklarojmë as para hetuesisë, as para gjyqtarit hetues dhe as në seancën gjyqësore se ne i kemi organizuar e udhëhequr demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, siç shkruan në aktgjykim. Këto demonstrata, siç e dini edhe ju, i organizoi e udhëhoqi populli, kurse ne vetëm i përkrahëm ato dhe ai që ka pasur rastin edhe ka marrë pjesë në to. Vlerësimi ynë për to ka qenë se ato ishin plotësisht të drejta dhe paqësore, në to ky popull parashtroi kërkesat e veta të cilat janë të garantuara edhe me Kushtetutën Jugosllave. Në to pati parulla “jemi shqiptarë e jo jugosllavë” (çfarë ka armiqësore këtu), parulla për kushte më të mira të nxënësve e studentëve, parulla “Duam shokët”(lirimi i shokëve nga burgu), parulla “poshtë borgjezia”, dhe ajo kryesore “Kosova Republikë”. Asnjëherë nuk pat parulla siç thoni ju: “dua bashkim” (nëse është thënë kështu, është kërkuar që të bashkohen njerëzit me demonstruesit, e jo bashkim me Shqipërinë), “Kosova e pastër etnike”, asnjëherë nuk është brohoritur kundër popujve jugosllavë.
Kërkesa për “Kosovën-Republikë” është e drejtë, dhe situata në Kosovë do të stabilizohet vetëm pas plotësimit të kësaj kërkese, sepse ajo nuk është vetëm kërkesë e “nacionalistëve” e “irredentistëve”, por e gjithë popullit shqiptar. Është çështje e tij, popullit shqiptar, se ç’do të bëjë me republikën e vet, por tash ai nuk pat kërkuar të shkëputet nga Jugosllavia, këtë të drejtë ia garanton parimi i vetëvendosjes se kombeve. Pra, në dokumentet e “GMLK” janë bërë të qarta pikëpamjet tona, veç tjerash edhe në lidhje me Republikën e Kosovës. Nëse ne qenkemi “nacionalistë” e “irredentistë”, le të mbetemi të tillë, ju plotësojani kërkesën popullit shqiptar, për të cilën derdhi gjak dhe e pagoi shtrenjtë.
Kosova patjetër do të bëhet REPUBLIKË. Aksionet antishqiptare në Jugosllavi do të njollosin edhe popujt e pafajshëm jugosllavë. Ata që po i udhëheqin këto aksione një ditë do të japin llogari para popullit dhe historisë. Kjo periudhë do të mbetet, si çdo periudhë tjetër e tillë, njollë e pashlyer në faqet e historisë jugosllave.
Në substancën e kësaj ankese, shpesh herë kam përdor shprehjen: “Populli shqiptar në Kosovë”. Këtë e kam bërë jo që t’jua mbushi mendjen se jam një nga përfaqësuesit e tij, por duke u nisur nga fakti se ky popull është vënë i tëri në shënjestër të çdo arme. Që të mos thuhet çdo shtëpi, guxojmë të themi se çdo fshat shqiptar në Kosovë e Jugosllavi, ka nga disa vetë të ndjekur, të vrarë apo të burgosur, për çdo familje është hapur dosja e hetimeve-çdo familje po detyrohet të “diferencohet”. Dhe unë si pjesëtar i këtij populli kam të drejtë të shfaq mendimet e mia nga kjo pozitë. Jemi biri i të një populli, të cilin e përcollën vuajtjet dhe durojmë të gjitha të këqijat që na bëhen – na mjafton lavdia.
Fitorja i takon, herët a vonë, të drejtit!
E drejta me ne!
27 shtator 1982
Nezir Myrtaj