Bedri Tahiri

Bedri Tahiri: Paradokset tona në  94-vjetorin e shuarjes së Shotë Galicës

SHOTË GALICA DHE HILET E JETËS Ose ZEMËRTHYERJA E HEROINËS ME TRE VARRE

Korriku- muaj i Galicës

Po të kishte horoskop edhe për vendbanime, korriku do t’i përgjigjej Galicës.

Këtë e them me plot gojën, ngase kam argumente:

Në korrik të vitit 1907, në betejën e Deviçit, në luftë kundër turqve, ra heroikisht Bejtë Galica (babai i Azem Galicës);

Në korrik të vitit 1921 Shotë Galica vret naçallnikun në Mitrovicë;

Më 15 korrik të vitit 1924 u zhvillua Epopeja e Arbërisë së Vogël;

Më 25 korrik të vitit 1924 dha shpirt Azem Galica;

Më 10 korrik (ka edhe data tjera për vdekjen e saj), të vitit 1927, në mjerim të plotë vdiq Shotë Galica dhe

Më 17 korrik të vitit 1998, në Rrasë të Zogut ra dëshmori i UÇK-së Adem R. Ademi!

* * *

Azem e Shotë Galica- unikat në jetë e në histori!

Dymbëdhjetë vjet luftë çlirimtare e sakrifica vetëmohuese!

Gjashtëdhjetë beteja fitimtare!

Varri i Kryetrimit Azem Galica- Varri më i thellë në botë (73 metra)!

Dhe, nga gurmazi i tij enigmatik, pas dyzet e shtatë vitesh, eshtrat e Tij “fluturuan” në Galicë!

Vdekja e “Nuses së Maleve”- Heroinës Shotë Galica, një nga më të rëndat në historinë tonë; vdiq në mjerim të plotë, e braktisur fare nga pushteti i kohës, madje edhe e kërcënuar nga mbreti e nga uria katandisëse!

Dhe, sot, ende loja vazhdon në këtë dramë kombëtare!

O tempora, o mores!

Ende, as sot e kësaj dite, nuk ekziston një lapidar a shtatore e mirëfilltë për këta dy heronj të kombit!!!

Ende, as sot e kësaj dite, nuk ekziston asnjë lapidar a pllakë përkujtimore për luftëtarët e Çetës së tyre kreshnike!!!

Lëri, lëri të gjitha këto. Aq më keq, e që mendjet e shëndosha nuk mund ta pranojnë dot një gjë të tillë, këta dy bashkëshortë e bashkëluftëtarë, të cilët mezi arriti t’i ndajë vdekja, edhe sot e kësaj dite janë të ndarë!!!

Varri i zbrazët i Shotës në Galicë është kenataf i llojit të vet, për të cilin grekët e vjetër do të bënin çmos!!!

Besoj se ka ardhur koha që mos të bëhemi krejt të shurdhër e të verbër! Vallë, a nuk është një satisfaksion moral e kombëtar që këta dy bashkëluftëtarë e bashkëshortë, të cilët për dymbëdhjetë vjet nuk i ndanë as luftërat, as betejat, që sot t’i bashkojmë! Sinqerisht, nuk jemi nisur nga shpirtngushtësia e përvetësimit të këtyre figurave madhore kombëtare. Jo, ore jo. Azemi dhe Shota tashmë janë shpallur HERONJ TË KOMBIT dhe i përkasin gjithë SHQIPTARISË! Përkundrazi. Jemi nisur thjesht nga ndjenja e pastër e idealit të tyre, që, ashtu siç qenë në jetë- TË PANDARË, edhe sot në amshueshmëri e në LIRI të pushojnë TË PANDARË!

Ne të afërmit e kryetrimit si dhe komisioni nismëtar, sikur kemi mbetur zë i humbur në shkretëtirën e paanë. Që nga viti 2004 nuk kemi lënë derë pa trokitur, në Kosovë e në Shqipëri. Dosja me kërkesa e shkresa të ndryshme është fryrë aq sa nuk peshohet dot. Dhe, përpos fjalëve të mira, të buta e të ëmbla, askush asgjë konkrete! Thuajse jemi lodhur, andaj kërkojmë ndihmë. Kërkojmë ndihmë nga ata që e kuptojnë drejt problemin e shtruar. Le të gjykojnë paanshëm mendjet e ndritura të kombit dhe le ta japin ndihmesën e tyre të mundshme.

Tekefundit, ky bashkim zemrash, eshtrash e idealesh ka simbolikë edhe më të thellë: Ai është amaneti i Tyre dhe paraprakisht nënkupton BASHKIMIN TONË KOMBËTAR!!!

* * *

Kërkesa për rivarrosjen e eshtrave të saj në Galicë, pranë bashkëshortit dhe bashkëluftëtarit Azem Galica, le që po injorohet tash e dy dekada, nga shoqëria e nga të dy qeveritë, por, së fundmi, doli në shesh edhe një hile e paparë dhe e padëgjuar: Krahas dy varreve të ditura, mbiu si nga dheu edhe varri i tretë, për të cilin thuajse nuk di askush të të jap përgjigje!!! Shih deri ku ka vajtur misterioziteti i një sistemi totalitar mbytës!

Hajde, mendjekrisur, hajde!!!

Jemi mësuar të kemi personalitete pa varre e pa eshtra: Heroin kombëtar, Gjergj Kastriotin- Skënderbeun; të madhin Pjetër Bogdanin, paskëtaj poeti kombëtar, Gjergj Fishta…

Edhe për Ali Pashë Tepelenën dimë se trupin e ka në Janinë e kokën në Stamboll, por me tre varre jo!!!

Çudi e çudive!

Heroina Shotë Galica me tre varre!

1. Varri dhe lapidari në Fushë- Krujë, bërë më 1962,

2. Varri në Galicë, i rregulluar në vitin 2014 dhe

3. Varri në Krujë, i “zbuluar” javët e fundit, a, i rregulluar në kohën e komunizmit!

Një skandal e shkuar skandalit!!!

Kjo lojë me eshtrat e Heroinës Shotë Galica duhet të marrë fund!

Turpi bie mbi institucionet vendimmarrëse shtetërore!

Ky turp, le të rëndoi si gur mallkimi edhe në ndërgjegjen e të gjithë atyre që në çfarëdo mënyre pengojnë realizimin e këtij amaneti!

O sot, o kurrë!- të ndriçohet ky fenomen që jep një pasqyrë të trishtë të mendësisë sonë mjerane dhe eshtrat e Heroinës Shotë Galica të pushojnë aty ku e kanë vendin, në Galicë, pranë burrit e bashkëluftëtarit Azem Galica!

Nuk i ndau LUFTA!

I ndau POLITIKA!

T’i bashkoi LIRIA!

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …