Isuf Ismaili: Romani ,,Çlirimtarët dhe mercenarët’’ vepër artistike e përshkrimit besnik të realitetit faktik II

Isuf Ismaili: Romani ,,Çlirimtarët dhe mercenarët’’ vepër artistike e përshkrimit besnik të realitetit faktik II

Romani ,,Çlirimtarët dhe mercenarët’’ i botuar në vitin 2016,   është njëra nga veprat letrare që Ahmet Qeriqi e ka ndërtuar me një përkushtim të madh letrar, artistik e gjithashtu edhe me atdhetarizëm të përkryer. Ai i ka paraqitur dhe portretizuar artistikisht çlirimtarët, trimat e trimëreshat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe atdhetarët të tjerë të  devotshëm, të cilët edhe pas luftës e ruajtën pastërtinë njerëzore dhe përkushtimin atdhetar deri në vetëmohim, siç janë Miran Gjetani, Besim Hoti, Kushtrim Burimi, Jeton Krasi, Shkodran Kolonja, Zel Dura, Demë Shehu etj. Këtë portretizim artistik ai na e ka paraqitur në bazë lëndës së pasur të realitetit faktik, të përjetimeve e situatave të vërteta të gjendjes që është paraqitur, madje që vazhdon paraqitet edhe tani në Kosovë. Por ai na i ka paraqitur edhe disa personazhe të tjera shumë interesante dhe ka arritur të na i portretizojë me një realizëm të shkëlqyer siç janë: Demë Mali, Ferid Roga, Sllavica, ministri, Pango etj. Përshkrimi artistik dhe realiteti faktik  janë shumë interesant duke vënë në pah këto e personazhe dhe të tjerë që nuk i theksuam, në lidhje me ngjarjet që kanë përmbledhur e karakterizuar dhe paraqitur e  veprën letrare të përsosur në ndërtimin e ndërthurjen artistike.

Personazhet janë disa të imagjinuar, ndërsa disa janë lehtë të kuptueshëm, janë personazhe reale. Miran Gjetani është një personazh që zgjon vëmendje të veçantë, sepse ai me një guxim, përkushtim e gatishmëri të madhe për t`i shërbyer atdheut, kishte incizuar shumë personazhe politike vendëse dhe ndërkombëtare, që kishin ardhur në Kosovë për të kryer shërbime të shumta dhe i kishte incizuar, po ashtu edhe tjerë njerëz që paraqesin rëndësi në pohimet e tyre për Kosovën e shqiptarët përgjithësisht. Ai kishte ndërmend të botonte një libër me ato përgjime të incizuara ,,mendonte se do ta skandalizonte opinionin e sidomos inspektorët e UNMIK-ut, EULEX-it, por edhe disa krerë të partive politike, madje edhe komandantë të luftës, të cilët e kishin kthyer në kapital përfitimi, vlerat e luftës së UÇK-ës.’’ (Faqe 19 dhe 20 romani ,,Çlirimtarët dhe mercenarët’’ viti i botimit 2014)

Mirani , vendos të bisedojë me mikun e tij, i cili është profesor. Atë e takoi pikërisht në fshatin e tij të lindjes. Pasi Mirani i tregon profesorit për punën, incizimet, profesori e këshillon dhe i thotë se po të botonte një libër me incizime do të ishte me rreziqe të mëdha, por krejt puna ka një zgjidhje dhe zgjidhja është të shfrytëzohet materiali për një vepër letrare. Pasi ai e kishte pyetur Miranin se a kishte lexuar veprat Dostojevskit, Tolstoit, Balzakut a Markezit, i thotë:

,,Të pyes për këta shkrimtarë, me qëllim për të shpjeguar se të gjithë ata, e shumë të tjerë, e kanë pasqyruar realitetin e kohës, në të cilën kanë jetuar. Në romanet e tyre kanë marrë për bazë realitetin shoqëror, marrëdhëniet ekzistuese në një shoqëri të caktuar dhe kanë gjurmuar thellë atë realitet,…’’ (Faqe 22, po aty).   Më pas profesori në një analize shoqërore e filozofike i shfaq pikëpamjet e tij, forcën mendimit të mbështetur në të dhëna historike dhe shoqërore e filozofike, duke dhënë shtysë e mbështetje shpirtërore Miranit për ta botuar materialin që kishte grumbulluar si lëndë të pasur për një vepër letrare e artistike.

Një figurë shumë interesante dhe njëkohësisht një atdhetar i pathyeshëm, si gjatë luftës edhe pas saj, na paraqitet Jeton Krasi, epror në Brigadën 121, Ismet Jashari, ai kishte në trupin e tij tetë cifla të granatës, të cilat ishin shumë të rrezikshme për shëndetin e tij. Ndërsa mjekët në Prishtinë e në Tiranë nuk shpresonin, se do ta shëronin, prandaj e  kishin këshilluar Jetonin, të shkonte në ndonjë spital special në Gjermani, por ai s`kishte para, i duheshin 50 mijë euro për t`u kuruar. Kishte trokitur në dyert e shokëve atje lart në  zyrat e shtetit e të institucioneve, por nuk ia hapnin derën. Edhe pse e kishte jetën në rrezik, ai nuk u bë zorrë në këmbët e ndërkombëtarëve as të njerëzve vendës, ai nuk pranonte parat e pandershme për t`u shëruar. Kishte shkuar te dhëndëri i tij, Deli Çala, i cili kishte një firmë të tij dhe kishte përfitime të mëdha, donte të kuptonte se ç`mendime kishte e si kishte gjendjen ai. Ai i kishte thënë se kishte luftuar për Thaçin dhe se po të  kishte luftuar për Rugovën do t`ia jepte paratë  për t`u shëruar në Gjermani, ndërsa Jetoni i thotë se po të kishte luftuar për Rugovën nuk do të plagosej fare, por i bëri të qartë, se nuk kishte luftuar as për Thaçin, por për çlirimin e Kosovës. Jetoni me një lëmsh urrejtjeje i thotë: ,,Ti, miko, kurrë nuk je djersitur, por kungulli gjithmonë të ka shkuar mbi ujë. Mirë në kohën e Titos, mirë me Rugovën e tash edhe më mirë edhe me Unmikun. Kollaj e ke ti, por…’’

Shkrimtari, Ahmet Qeriqi, nëpërmjet Jeton Krasit dhe Deli Çalës na jep tablo të qarta të realitetit në Kosovën e pas  luftës. Realitetin, që na e paraqet në të vërtetë  ka nevojë t’ia paraqesim opinionit, si shtytje për ta lexuar me vëmendje romanin: ,,Çlirimtarët dhe mercenarët,, , meqë është merita e tij e padiskutueshme, që na ka dhënë këtë vepër letrare, e cila është rëndësishme si lëndë e dorës së parë, për t’i kuptuar edhe brezat, që vijnë kontradiktat e kohës sonë, vuajtjet e pathyeshmërinë e çlirimtarëve të vërtetë, babëzinë e shëmtinë e jo meritorëve për pushtet, për të kuptuar këtë kohë të mbarsur me rreziqe të mëdha dhe një shpërfillje të tejskajshme të njerëzve në pushtet dhe të huajve, për ato ideale, për ato qëllime, të lirisë së njëmendtë dhe bashkimit të Shqipërisë së natyrshme e etnike, për të cilat kemi aspiruar, kemi bërë përpjekje e sakrifica, për të cilat flijuan jetën e tyre dëshmorët dhe heronjtë.

Lexuesi do të kuptojë fare qartë se sa dhembje të madhe kanë të gjithë çlirimtarët e njëmendtë, se sa të injoruar janë, nga ajka e pushtetit, siç është rasti i Jeton Krasit i cili edhe pse me tetë cifla në trup nuk i ofron ndihmë as dhëndëri i tij, e as shokët në qeverisje. Shkrimtari na jep jo vetëm informacione, por edhe përshkrime dhe situata të ndërlidhura nga një pjesë e madhe e atyre njerëzve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët gjetën vend të përshtatshëm në atë parti, jo për të bërë mirë për atdheun e tyre, por për t`u bërë disa si qyqarë në njërën anë e disa të tjerë për të bërë edhe tradhtinë e shëmtinë ndaj atdheut e ndaj atyre trimave e trimëreshave dhe atdhetarëve të njëmendtë, siç janë luftëtarët e UÇK- ës, si Jetoni, siç janë edhe patriotë e njerëz të tjerë të devotshëm, që mbi çdo gjë e donin vendin e tyre: Shqipërinë e natyrshme, së cilës i kishin dhënë gjak, mund, djersë e pjesë të trupit të tyre.

Ahmet Qeriqi na jep të dhëna të shumta në romanin e tij, na flet për Hansin , luftëtarin e UÇK-së, me origjinë gjermane, i mbetur si invalid i përjetshëm, i cili jeton me familjen e tij në Fortesë dhe i martuar me një shqiptare, na flet edhe për tre luftëtarët e UÇK-ës,  dëshmorë internacionalist, Françesko Bider nga Italia, për Pajarin nga Franca  dhe për algjerianin Murad Muhamed Ali, që kishin rënë për çlirimin e Kosovës. Na flet edhe për luftëtarin e tjetër gjerman, Roland Bartesko, i cili ishte dënuar nga administrata ndërkombëtare pa të dhëna.

Një personazh tjetër shumë interesat është edhe Gim Gagi, një inspektor, një bashkëpunëtor i sigurimit serb, jugosllav, i cili pas luftës së lavdishme të UÇK-së, kthehet në Kosovë dhe vihet në shërbim të UNMIK-ut. Gim Gagi përfaqëson ata bashkëpunëtorë shqipfolësish, të cilët ishin bërë shtrati i pushtuesve jugosllav dhe serb në trojet shqiptare.

Ngjarjet ndërthuren dhe me personazhe të tjera siç është edhe Ferid Roga, i cili punonte për Bosin e madh, por që në fillim duhet thënë se Feridi, punonte se kishte hall, por në thelb ai paraqitet i mirë, sepse nuk zhytet në punët e aktivitetet e dyshimta e të pista të Bosit të madh. Bosi madh është një personazh interesat, tregtar, bashkëpunëtor i jugosllavëve, veçanërisht i serbëve, pjesëtar i LDK-ës. Ky do të mbaj lidhje të vazhdueshme me serbët, siç na paraqitet në roman lidhja e veçantë me Sllavicën, vajzën e mikut të tij. Sllavica na duhet shumë. Ajo ka lidhje në Vranjë, në Nish, në Beograd, madje edhe në Vojvodinë…”,- thotë Bosi i madh dhe vazhdon: ,,… kemi një lidhje kumbarie dhe kam respekt për familjen e saj. Edhe babai im i ndjerë ishte shok i ngushtë me babanë e Sllavicës.” Dialogët e Bosit me Feritin paraqesin në sipërfaqe pikëpamje të Bosit në kundërshtim të hapur me vizionet, qëllimet, angazhimet, përpjekjet e sakrificat, por edhe me realizimet e disa arritjeve shqiptare e atdhetare.  Dalin në pah kamuflazhet e tij, dinakëria, por edhe babëzia për pasuri të pistë etj.,

Kur Feriti i kërkoi Bosit të madh, ta ndihmonte për një vend  pune njërin nga dajallarët e tij, dhe kur Bosi e pyet me ironi, se përse interesohej kaq shumë për dajallarët, Feridi ia kthen se ti dajallarët i ke në PDK, (nënkuptohet të siguruar), Bosi i madh i përgjigjet: ,, – Po qe besa, në PDK janë, atje i kanë çelur vezët për t`i ruajtur zogjtë dhe për t`i mbuluar të ligat…”

Shkrimtari me aftësinë e shquar, me përkushtimin e pashoq, na paraqet situata të shumta të një realiteti, duke qëlluar mu në shenjë me penën e tij, siç janë ndodhitë që i përshkruan kur bëhet fjalë për Bosin e Madh, Deli Çalin, ose deputetin Demë Mali, për veprimet e cinizmin e tyre ndaj atyre që kanë luftuar, kanë dhënë gjak e djersë, mund e sakrifica për atdheun. Bosi i madh do që ta ndihmojë Jeton Krasin me qëllim që ta fusë në grusht, ta keqpërdorë, ta kërcënojë, ta shtrëngojë për ta thyer, por Jetoni nuk pranoi dhe s`mund të pranonte një gjë të tillë, meqë e dinte se kush ishte dhe se ç`qëllime kishte Bosi i madh, megjithëkëtë Ferid Roga shkoi për t`ia komunikuar Jetonit atë që kishte thënë Bosi madh. Njëkohësisht edhe Miran Gjetani do që ta ndihmojë Jetonin dhe kur futet në zyrën e Shoqatës e gjen aty edhe Ferid Rogën. Nga dialogët që bëjnë na del në pah realiteti i hidhur se luftën dhe dëshmorët ,por edhe invalidët dhe ushtarët e pathyer e atdhetarët të tjerë të njëmendtë i shpërfillnin jo vetëm ata që ishin dëshmuar kundër tyre, por edhe disa që  ,,kapitalin politik e kombëtar e kishin përdorur për t`u pasuruar me çdo kusht”, siç është rasti për të theksuar deputetin Demë Mali. Ai edhe pse kishte marrë pjesë në luftë, pothuajse asgjë nuk i kishte mbetur në kapitalin e tij shpirtëror, sepse atdhetarizmin po e përdorte  për qëllimet e pasurimit dhe kënaqësisë individuale, duke përçmuar atdhetarët si Jeton Krasin, por edhe Miranin dhe mikun Miranit, që punonte te Radio Kosova e Lirë. Ky Demë Mali i quante idealizma të kota, përralla dhe folklorizëm idealet, mundin sakrificat e gjakun e derdhur, luftën heroike  për bashkimin e Shqipërisë dhe jehonën e ushqimin shpirtëror e atdhetar që përhap, që e jep Radio Kosova e Lirë.

Siç do të shohim në vijueshmëri të komentimit dhe analizës Miran Gjetanti dhe Ferid Roga do të vazhdojnë përpjekjet pandërprera për ta ndihmuar shokun tyre Jeton Krasin. Përpjekjet e Miran Gjetanit për të gjetur fonde e mundësi, që ta ndihmonte Jetonin për t`u shëruar, shpërthen talenti dhe paraqitja e realizmit jo vetëm faktik, por edhe letrar  e filozofik, del në pah porosia dhe karakteri i pathyeshëm i autorit, vizioni drejtësia e gatishmëria për të dhënë çdo gjë për atdheun dhe njëkohësisht edhe guximi e përkushtimi njerëzor.

Përshkrimi i realitetit është mahnitës, është si një pikturë e zbërthyer tërësisht, si një filmim që duket  qartë rrugëtimi i së keqes, i shëmtuarës, i padrejtësisë, i tradhtisë, i veprave të ndyra siç është rasti i Gim Gagit, i Bosit të madh, të cilët përfaqësojnë ata bastardë shpirtshitur shqipfolësish, të cilët në të kaluarën i shërbyen LKJ-së e sigurimeve serbe e jugosllave, përbërjeve administrative e politike të atyre pushtueseve, të cilët edhe pas luftës me bijtë e bijat e tyre gjetën vend e hapësirë për të vazhduar punën e shërbimet antishqiptare në institucionet politike, parlamentare, gjyqësore, policore, ekonomike e administrative të Kosovës dhe në ato fusha private e biznesi. Një personazh i tillë, është pra Gim Gagi i cili do ta marrë në pyetje si hetues i EULX-it Ferid Rogën, cili dyshohej se i kishte marrë një shumë të madhe parash Bosit të Madh, për të krijuar një mundësi  të paguante shumën e parave, që kërkonte spitali gjerman për ta shëruar Jeton Krasin.

Përpjekjet e Miran Gjetanit dhe Ferid Rogës janë jo vetëm interesante, por njëkohësisht edhe vuajtje e sakrifica për ta ndihmuar  shokun tyre dhe nëpërmjet tyre autori arrin të na paraqesë edhe shpirtin e thyer e të përulur të disa njerëzve, që për paranë dhe lavdinë, për poste e grada harronin shokët e tyre të dikurshëm, këta që mbi supet e tyre kishin bartur barrën e luftës dhe kishin bërë me përkushtim të pashoq e heroizëm të theksuar. Përpjekjet e Miran Gjetanit kishin ndeshur në vështirësi të madha, duke shkaktuar një gjendje të hidhur shpirtërore, kur ai takon një nga shokët e tij të luftës, Uran Lamin, zyrtar i lartë i qeverisë. Mirani kishte planifikuar të bisedonte hollësisht për ta ndihmuar Jetonin, ndërsa Urani filloi të filozofonte për kapitalizmin, duke u munduar të arsyetonte vetën dhe ata që kishin rënë në atë batakun e parasë dhe lavdisë e pasurisë së palavdishme. Pra edhe ky nuk e ndihmon Jetonin sepse Jetoni, Mirani dhe shoku i tij i kishin kritikuar Uranin dhe uranët të tjerë si ai.

Në roman na paraqiten personazhe të tjera interesante siç është Besim Hoti, i cili kishte marrë pjesë në luftën e UÇK-së, së bashku dhe me babanë e tij. Besim Hoti edhe pse në një gjendje të keqe materiale bënte përpjekje të vazhdueshme jo vetëm për ta mbajtur figurën dhe shpirtin e tij të pastër, por përpiqet t`i ndihmojë edhe të tjerët. Ai do ta shpëtojë edhe shoqen e tij shkollës Lemen nga bataku i pistë, që kishin futur pronarët e matrapazët e kafeneve e tregtisë së pistë, të cilën e shfrytëzonin fizikisht me punë në lokale të ndyra, por edhe  dhunonin seksualisht. Përshkrimet e ndjekin njëra tjetrën dhe ngjarjet janë të ndërlidhura e të përjetuara. Një ngjarje që është shumë interesante, duke pasur brenda saj një kuptim sa atdhetar e filozofik po aq edhe njerëzor e shoqëror, është fjala për takimin e Miran Gjetanit me Besim Hotin, e më pas kur e takojnë profesor Kushtrim Burimin. Biseda e diskurse të tilla letrare janë paraqitur edhe në mënyr[ krejt dokumentare sikur janë fjalimet e Simbolit të Rezistencës, Adem Demaçi, pastaj Akademikut Rexhep Qosja e të tjerëve. Lë mbresa të veçanta sidomos biseda që bëhet mes profesor Burimit, Miranit e Besim Hotit të lë një përshtypje të jashtëzakonshme. Pasi kishte folur për aktualitetin për kapitalizmin e xhunglës, që lejon pasurimin brenda natës, për njerëzit që kishin devijuar dhe ishin degjeneruar ja se ç`na thotë: ,,Nuk është thënë kot se keqja zgjërohet atje ku nuk luftohet”,  (Faqe 74 po aty) Ai shton se këto të këqija ndodhin sepse shumica e njerëzve tanë nuk i luftojmë nuk i denoncojmë, nuk dënojmë ose linçojmë këta lloj njerëzish dhe veprimet e tyre, prandaj ja se ç`na thotë shkrimtari nëpërmes personazhit  Miran Gjetani: ,, – Kjo më kujton rrëfimin e Biblës kur hebrenjtë e kishin dërguar para Jezusit një grua që ishte zënë në flagrancë. Ata i kishin marrë në duar gurët, të gatshëm për ta mbytur, sipas ligjit të vjetër të Mojsiut. Kur Jezusi, duke i parë  si të çartur, me gurë në duar, tha: – Le ta godasë me gurë i pari nga ju që kurrë nuk ka bërë mëkat, ata fillojnë t`i lëshojnë gurët dhe të ikin njëri pas tjetrit.” (Po aty faqe, 74)

Ata bisedojnë për degjenerimin moral, për reklamat e kapitalizmit, për shfrytëzimin bukurisë së femrës, duke nxitur e detyruar të lakuriqësohet për të joshur e topitur mendjet njerëzore, për t`ia larguar vëmendjen punëtorëve e popujve nga shfrytëzimi e shtrydhja e të pasurve e kapitalistëve dhe atyre kriminelëve që thithin djersën e gjakun e njerëzve të thjeshtë, flasin për televizionet në gjuhën shqipe, të cilat kush më shumë e kush më pak i nxisin dhe paraqesin, si gjëra të kohës, si gjoja kulturore shëmtitë që u cekën më sipër. Ndërsa, personazhet si Gim Gagi, Vet Surro dhe prokurorin e ELEX-it Mauro Servo, arrin Mirani t`i incizojë nëpërmes kamerierit, Shpend Dreni, i cili kishte qenë luftëtar i UÇK-së. Dialogët e tyre paraqesin interes të veçantë, meqë del në sipërfaqe kurdisja ndërkombëtare me disa vendës për të burgosur dhe dënuar luftëtarët e UÇK-ës, për gjoja krimet e luftës sipas dosjeve serbe të Serbisë.

Një dimension të veçantë në roman autori i ka kushtuar mundimeve jetësore të idealistit, Jeton Krasi i cili në fund 10 vjet pas luftës arrit shërohet,  meqë Spitali ushtarak në Tiranë e kishte trajtuar me prioritet. Atë e vizitojnë shokët dhe miqtë. Shkrimtari nëpërmes këtyre personazheve ka përshkruar heroizmin dhe madhështinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për çlirimin e vendit dhe bashkimin e viseve shqiptare. Kur Ban Vitia dhe Zel Dura i shkojnë në shtëpi Jetonit dhe kur Zel Dura tregon për një ngjarje të rëndësishme gjatë luftës Jetoni mezi ishte përmbajtur, ndërsa Ferdi ishte emocionuar shumë. Zel Dura tregon, se kur kishte rënë një dëshmor i atdheut të cilin shokët dhe afërmit donin ta varrosnin nëna tij del para tyre dhe thotë: ,, – Nuk ju jap të drejtë të ma varrosni djalin, pa ia dhënë uniformën dhe armën e tij, këtij djalit tjetër, që ndodhet këtu…” (Po aty, faqe 225)

Autori ka paraqitur në retrospektive edhe shumë ngjarje interesante  nga lufta e UÇK-s, sikur është përjetimin e  një plaku tetëdhjetë e pesë vjeçar, që kishte strehuar anëtarët e familjes diku në Durrës dhe bashkë me një plak tjetër nga Drenica ishin kthyer në Kosovë për të luftuar, ata kishin armë dhe sa arrijnë në malet e Junikut i veshin rrobat ushtarake të UÇK-së dhe menjëherë kishin vënë re, se po luftohej, zënë një pozitë të mirë dhe i dalin nga mbrapa ushtrisë serbe, e cila ishte në luftime me ushtarët e UÇK-së, ushtria serbe pëson humbje dhe tërhiqet e vënë edhe në mes të dy zjarreve dhe kështu ajo atë luftë s`e kishte përballuar dot. Më vonë kur ushtarët e shohin se kush janë ata trimat pleq, habiten e në mënyrë të veçantë habitet i biri i plakut tetëdhjetë e pesë vjeç, i cili ishte dhe komandat, dhe i cili nuk e kishte lejuar babanë të radhitet në rreshtat e ushtarëve,  Atij i   kishin thënë të bijtë e tij, që të bënte vetëm udhëheqjen e familjes për t`u strehuar në Durrës. Por plaku e kishte bërë të veten, ai tani më nuk ia jep askujt snajperin e tij dhe do që të luftojë nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, armikun shekullor serb. Këto përshkrime janë sa emocionale aq edhe të rëndësishme si fakte edhe letrare por edhe historike meqë janë përshkrime të përjetimeve të njëmendta, edhe sepse kanë zënë vend meritor në romanin: ,,Çlirimtarët dhe mercenarët”, për t`u bërë pjesë e pandarë e leximeve dhe porosive për brezat që vijnë, për botën e ndërgjegjes njerëzore, se lufta për çlirimin e bashkimin e Atdheut është e shenjtë, por të gjitha këto duke u përjetuar edhe në një vepër të shquar letrare e artistike.

Autori ka gjetur vend përmes gojës së Miran Gjetanit të paraqes realitetin për Rugovën e kohën e tij: ,,Rugova ka qenë fatkeqësia jonë e madhe, por e pranoj se duhet pasur parasysh, se ka përfaqësuar shqiptarin e robërisë shekullore, mendoj, atë shtresë të shqiptarëve, të cilët te paraqitja e Rugovës, kanë gjetur vetveten, njeriun që është mësuar të jetojë me dinjitetin e nëpërkëmbur, qyqarin, njeriun e mjerë, të cilit Serbia ia kishte futur frikën deri në palcë, njeriun me mungesë totale të besimit në vetvete dhe durimin si filozofi, duke emetuar Gandin. Ku Gandi e ku Rugova, ku Anglia e ku Serbia po a mund të bëhet një krahasim i tillë.” (Faqe 241, po aty)

Në romanin: “Çlirimtarët e mercenarët” Ahmet Qeriqi i ka rënë mes për mes realitetit kaq të hidhur e tragjik  që përfaqësojnë krijesat, ferra në udhët e Atdheut dhe të popullit shqiptar. Ai i ka goditur fort këto krijesa dhe kjo është vepër me shumë vlerë, pra ai nuk ka ngelur vetëm në ndërthurjen e konstatimeve, por me porosinë e shëndoshë e duke pasqyruar realitetin, duke nxjerrë në dritë të vërtetën, na ndriçon rrugën që duhet të ndjekim. Për të pasur sa më të qartë këtë rrugë shkrimtari e profesori ynë i dashur romanin e tij: ,,Çlirimtarët dhe mercenarët” e përfundon  me fjalën e bacë, Adem Demaçit, këtij atdhetari të shenjtë, që rrezaton liri, forcë, guxim, atdhedashuri, njerëzi të pastër, si ujë burimesh të kulluara, që rrezaton e shkëlqen rrugën e bashkimit të popullit shqiptar dhe të Shqipërisë së natyrshme e etnike, i cili edhe aty në nga foltorja e Panairit të Librit të lirisë thërret për të ecur drejt bashkimit të Shqipërisë dhe besimit se ajo do të jetësohet, thërret pra për : ,,një Shqipëri që do t`i gëzojë zemrat e të gjithë shqiptarëve kudo që janë”.

Ka shumë ngjarje në dimensionet krijuese e rrëfimtare  të këtij romani që mund të merren në analizë, por ajo që është e shumë e rëndësishme, madje që i tejkalon të gjitha analizat e shqyrtimet tona, romani, “Çlirimtarët dhe mercenarët”, është vepër letrare që duhet të lexohet me vëmendje shumë të madhe për t`u pasuruar edhe në pikëpamje atdhetare, kulturore e njerëzore. Ahmet Qeriqi me veprën e tij qëndron krenarisht në kurorën e letërsisë së sotme shqipe, si një shkëlqim diellor, që i sjell  ngrohtësinë shpirtërore atdhetarëve shqiptarë, nxënësve e studentëve, punëtorëve e intelektualëve njerëzve të thjeshtë e të ndershëm, me porosinë e qartë se e drejta, njerëzorja, dashuria ndaj atdheut dhe triumfi për një Shqipëri të natyrshme e të bashkuar, do të jetësohet.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Albert Z. ZHOLI; Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi

Dje ishte dita e dytë e  Panairit të 27-të të Librit “Tirana 2024”, suksese dhe mangësi – Në …