Me ftesë zyrtare të Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj sot në vendin tonë erdhi në vizitë, Heroi ynë, Gjenerali historik amerikan, Wesley Clark. Si nikoqir dhe mik i tij, gjeneralin Clark e priti ministri Mehaj i shoqëruar nga komandanti i FSK-së dhe stafi më i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së. Vizitës i ka paraprirë takimi virtual i datës 25 qershor kur gjeneral Clark shprehu vullnetin e tij për ofrimin e këshillave nga eksperienca e tij profesionale ushtarake dhe akademike në rast nevoje për ministrin Mehaj.
Pritja me nderimet më të larta ushtarake, pasuan me takimin tête-à-tête të ministrit Mehaj dhe gjeneral Clark dhe takimin në nivel të delegacioneve më të larta. Pas takimit, të dy iu adresuan mediave të shumta me mesazhet për qëllimin dhe përmbajtjen e diskutimeve.
Me këtë rast, ministri Mehaj shprehu nderin e madh për të dhe Ministrinë e Mbrojtjes si dhe rëndësinë historike që ka vizita e general Clark. Duke theksuar se, gjeneralin Clark e njoftoi me të arriturat e deritashme të FSK-së, procesin e tranzicionit si dhe qëllimet dhe objektivat e tij për të ardhmen. Ai gjithashtu, njoftoi se në shenjë të mirënjohjes dhe falënderimit të përjetshëm për kryeveprën e tij – Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës dhe vizitës së sotme historike në Ministrinë e Mbrojtjes, nga sot Qendra e Studimeve Universitare e Akademisë së Mbrojtjes do të emërohet “Qendra e Studimeve Universitare – Wesley Clark”.
Nga ana e tij, gjeneral Clark theksoi se është shumë i lumtur që rikthehet në Kosovë. “Përgjatë viteve kam parë progres në Kosovës. Është një marsh mbresëlënës drejt demokracisë dhe lirisë. Shpresoj edhe për rritjen e zhvillimit ekonomik për popullin e Kosovës. Populli i Kosovës i dërgon një shembull të fortë Botës se çfarë është vendosmëria që të jetojnë dhe t’i shërbejnë demokracisë dhe çfarë do të thotë të japësh për vendin tënd”, tha Gjenerali Clark.
Në vazhdim, gjeneral Clark vizitoi edhe Qendrën Universitare ku nga ministri Mehaj iu komunikua zyrtarisht dhe iu dorëzua vendimi për emërimin e QSU-së me emrin e tij “ Qendra e Studimeve Universitare- Wesley Clark”. Nga QSU, gjeneral Clark vazhdoi vizitën në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, ku u prit nga Shefi i Stafit, gjeneral brigade jeton Dreshaj me bashkëpunëtorë të cilët e njoftuan atë me sistemin organizativ dhe operacional të FSK-së.
Më pas, gjeneral Clark i shoqëruar nga Ministri Mehaj, vazhdon vizitën me takimet e përcaktuara me Kryediplomaten Gërvalla, Kryeministrin Kurti, Presidenten Osmani dhe Kryeparlamentarin Konjufca.
Gjeneral Wesley Clark, më 1999 ishte prijës i operacionit ajror me bombardimet 78 ditëshe të caqeve serbe, si Komandant Suprem i Forcave të NATO-s, operacion ky që rezultoi me kapitullimin e forcave ushtarake të Serbisë dhe arritjen e paqes bashkë me lirinë e popullit të Kosovës.