Mijëra qytetarë shqiptarë morën pjesë në protestën e sotme në Shkup me moton ‘Ndal Sistemit’, ku shprehën revoltën ndaj proceseve të montuara politike në Maqedoni dhe padrejtësive të tjera me të cilat po përballen shqiptarët. Protestuesit nisën marshin e tyre paqësor nga Bitpazari, duke vazhduar më pas deri te ndërtesa e Kuvendit të Maqedonisë. Duke valëvitur flamuj kuqezi, ata brohoritën thirrje ‘Duam Drejtësi’, ‘Stop montimeve’, ‘Ali tradhëtari’ e të ngjashme me këto. Kryetari i Lëvizjes për Reforma në PDSH, Ziadin Sela theksoi se kjo protestë bëhet për t’i kthyer Maqedonisë demokracinë e vërtetë. “Ky është një fillim i një rruge të gjatë. Do të protestojmë çdoherë për të kërkuar hisen tonë”, tha Sela para protestuesve. Ndërkaq, Daim Hiseni,një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, tha se vendimi i kryetarit sllavo-maqedonas, Gjorgje Ivanov, për faljen e 50 politikanëve kriminelë dëshmon se shqiptarët kanë shumë arsye për të protestuar. Ai tha se Maqedonia duhet patjetër të ndryshojë Kushtetutën, ku shqiptarët do të jenë të barabartë me maqedonasit.
