Dr. Jakup Krasniqi: 34 vjet në kërkim të sovranitetit shtetëror III
Demonstratat e vitit 1981 e nxitën Lëvizjen e Fshehtë Çlirimtare që të bënte hapin e parë të saj të madh, hapin e daljes nga ilegaliteti në legalitet. Ky hap i bërë pa dyshim që ishte një fitore e madhe në rrugën e çlirimit e të bashkimit të kombit. Deri atëherë, shumë veprimtarë te Ilegales Atdhetare, rinisë e popullit i kishin folur për veprimtarinë e tyre të zemrës duke e maskuar misionin e tyre çlirimtar. Popullit, rinisë e studentëve si dhe punëtorëve u kishin folur me gjuhën konspiracionit me organet e tyre (gazetat) dhe me trakte, tani kishte ardhur koha dhe duhej t´i flitnin hapur një mase më të gjerë për politikën çlirimtare që do të ndiqej. Disa nga veprimtarët që, siç e theksuam edhe më sipër, patën “tagrin” e hidhur të ndëshkoheshin me dënime të rënda me vite e vite burgu, do të qëndronin krenarë, aty ku duhej t’i mbronin veprimet e tyre legale, sepse duhej t’i mbronin kërkesat e popullit të robëruar, qoftë në hetuesi, ne gjykatore apo burgjet e rënda. Kudo që të ishin, kudo që të gjendeshin duhej të mbronin çështjen e pazgjidhur te shqiptarëve në trojet e tyre të pushtuara, të cilat i kishin banuar denbabaden. Kështu Lëvizja Politike Klandestine Çlirimtare e filloi legalizimin e saj me sakrifica të shumta, me vështirësi të shumta, por pa u ndalur asnjëherë.
Për të sensibilizuar çështjen e Kosovës para vetes e faktorit ndërkombëtar, ishte më se e nevojshme që dikush të fliste nga tribuna e gjykatores. Folën, pasi heshtnin ata që e kishin marrë “përgjegjësinë” për të folur në emër të shqiptarëve. Për t’ia bërë të ditur botës demokratike se në Federatën Jugosllave ishte një çështje e pazgjidhur shqiptare, e cila kërkonte zgjidhje. Ndaj duhej vetëviktimizim për t’i kaluar vitet më të mira të jetës, me vite e dekada, nëpër burgjet serbe dhe jugosllave për idealizmin shqiptar. Pra, dikush tjetër duhej të flijohej për të qenë Kosova Republikë sovrane, e lirë dhe demokratike. Ndoshta, sot dikush edhe mund të thotë, a është Kosova e tillë? Jo, nuk është ashtu siç e projektuan idealistët! Megjithatë, duhet pranuar, më mirë sesa ishte atëherë, gjithsesi që është sot kombi shqiptar në Kosovë! Ndonëse kemi riciklimin e heshtakëve dhe të qyqarëve, që nuk qenë të zotët në asnjë kohë ta “trembnin macen nga përsheshi”. Të tillët ndryshe nuk mund të veprojnë as sot.
Hapat që i mori Lëvizja Kombëtare për Çlirim, edhe pse me shumë dhembje, ishin hapa të domosdoshëm. Ishin hapa që e përgatiten popullin shqiptar për ngjarjet që shpejt do të ndodhnin rreth tyre e në mesin e tyre. Pranvera Shqiptare e vitit 1981 është fillimi i një Kthese të Madhe të deriatëhershme, e cila do të jetë promotor i shumë ngjarjeve të mëpastajme.
Në rrethanat e reja të krijuara pas rrëzimit të murit të Berlinit, të burgosurit politikë kudo që ndodheshin u përpoqën të ishin katalizatorë të bashkimit të shqiptarëve në një front të gjerë kundër armikut shekullor. Ata jo pak herë deri me tani e kanë provuar këtë. Por kështu si këta atdhetarë të dëshmuar nuk mendonin ata që kishin dalë nga fryma e mendësisë se shkollës së Kumrovcit. Aty-këtu, pat në ndonjë rast edhe nga ish-të burgosurit politikë, që u mjaftuan me kushtet e reja për t´u shtrirë sa gjerë e gjatë në shtratin e „demokracisë“, duke mos ditur madje as kush e kishte shtruar atë shtrat?! Me të gjitha dobësitë e shfaqura atëbotë nga ish-të burgosurit politik, ata vazhdonin të ishin përkrah qytetarëve në çdo situatë e rrethanë, sado vështire që ishte.
Një meritë tjetër e pakontestuar e këtij brezi është se ishin hallka më e qëndrueshme e cila arriti ta ruajë vazhdimësinë e gjithë Lëvizjes Politike Atdhetare të pas Luftës së Dytë Botërore me UÇK-në e Adem Jasharit drejtpërdrejt e me pjesëmarrje aktive në luftën çlirimtare.
Ish-të burgosurit politikë i kanë meritat e pakontestueshme në krijimin, organizimin dhe orientimin politik e ushtarak të UÇK-së deri në çlirimin përfundimtar të vendit. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte forcë politike dhe ushtarake, e cila arriti që për një vit lufte, të korrë një fitore të madhe politike dhe ushtarake. Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjithsesi e ka edhe meritën që e bëri një interesin e kombit tonë me NATO-n, SHBA-të dhe me BE-në, me mbështetjen e të cilëve arritëm me sukses ta mundim Serbinë, në të gjitha fushat, në atë politike, ushtarake si dhe në atë diplomatike. Pra, falë UÇK-së dhe themeluesit të saj Adem Legjendarit dhe pasuesve të tij besnikë, arritëm ta realizojmë aspiratën e shenjtë të Kosovës, për liri dhe shtet sovran. Ndonëse, duhet thënë edhe kjo, lypset kohë deri te konsolidimi i plotë i sovranitetit shtetëror! Shteti i së drejtës i duhet këtij vendi e populli!