Albert Z. Zholi: Flet mësuesja veterane kuçiote, Miro Gjokutaj (Alikaj): Nuk harroj aksionin e madh kombëtar të luftës kundër  analfabetizmit

 Miro Gjokutaj (Alikaj): Nuk harroj aksionin e madh kombëtar të luftës ndaj  analfabetizmit

Si luftuam zakonet prapanike dhe për emancipimin e gruas në socializëm

– Nuk harroj angazhimin e rinisë për largimin e çitjaneve dhe zëvendësimin e tyre me fustane

– Si erdha nuse me karvanin e mushkave të kooperativës nga Kuçi në Golëm

– Kam edukuar 37 breza, ku kam pasur ndihmën e bashkëshortit, Tasim Gjokutaj

Miro Gjokutaj ka  lindur më 2 Korrik  1944  në fshatin  Kuç, në Vlorë. Rrjedh nga një  familje patriotike Alikaj me  Baba Qemal  dhe mëmë Nurijen, me zakone e tradita dhe është mbesë e Mustafa Matohitit. Një jetë të tërë në arsim ajo ka nxjerrë me mijëra nxënës që sot janë akademikë, profesorë, inxhinierë, mësues, mjekë, agronomë, inxhinierë, etj…

Nëse kthehesh pas, si vjen para jush jeta në dy kohë apo sisteme?

-Më ndodh shpesh që i rikthehem kujtimeve të jetës dhe si në një film dokumentar më shfaqen para syve jeta plot ngjarje, gëzime dhe shqetësime qysh në fëmijëri, rini, në fejesë e martesë dhe deri tani në pleqëri. Rrëfimin tim po e nis nga fëmijëria. Kam kaluar një fëmijëri të mirë, por edhe me vuajtje. Me shumë vuajtje, se atë vit që linda, na kishte vdekur një xhaxha dhe si  më kanë  thënë, tundesha vetë në djep dhe me  shami me sheqer në gojë. Po rritesha dhe shkova në foshnjore dhe 7 vjeçe, në klasë të pare, me mësuese Bedena Braho nga Fterra. Mbarova shkollën në Kuç me rezultate të mira duke kujtuar me respekt disa shokë e shoqe klase si, Sami Gjokutaj, Mane Hoxha, Liri Thomaraj, Teuta Demiraj, etj…Por vitet kaluan dhe do të nisja  rrugën e jetës. Shkova në kurs 6 mujor në Vlorë. Ndihmë të madhe më ka dhënë  Veledin Abazi. Mbarova kursin dhe më emëruan mësuese në  Gjormë, me klasën e tretë. Sa kujtime të bukura që kam kaluar aty, ishin njerëz shumë të mirë!

-Po më vonë si vazhdoi arsimimi juaj?

-Vitin tjetër shkova në kualifikim në Elbasan, aty u formova dhe mbarova shkollën  2 -vjeçare për mësuese. Kisha shumë shoqe e shokë nga Gjirokastra si Thoma Dedi, Mina Koçi, Liri Karagjozi, Bale Çuberi, Kasiani  Baxha, etj…Edhe këtu kam shumë kujtime  të bukura dhe rinia ime po ecte për bukuri. Mbarova shkollën dhe u emërova në Kuç. Kam mësuar breza të fëmijëve nga fshati dhe kam marrë pjesë në disa aktivitete shoqërore, si organizimi i festave popullore, në  festivalet që organizoheshin në Vlorë, kam takuar  Majnur Kadëna, Xhevdat Avdalli, Xhefka Çomo. Kam punuar në ato vite kur ishte koha për luftimin e zakoneve prapanike, emancipimi i gruas, prishja e kishave e të xhamive. Në mendje më vinë ato ditë të vështira të angazhimit të rinisë për largimin e çitjaneve dhe zëvendësimin e tyre me fustane. Shkonim derë më derë. E para që i hoqi çitjanet ishte mëma ime me xhaxheshën Hize. Kam qenë pjesë aktive e aksionit të madh kombëtar të luftës ndaj  analfabetizmit. Kam bërë kurse kundër anafabetizmit me gratë në Kuç. Kujtoj si tani angazhimin e grave si Rabo Idrizi, Zanko Alikaj, Shaho Limaj. Në kurse vinte edhe mëma ime. Kam punuar me abetaren e parë të Kol Xhumarit. Në fshat kam punuar disa vjet  me shumë dashuri e respekt i kujtoj me kënaqësi ato vite të zjarrta rinie e lumturie. Më ftuan kur u kremtua 100- vjetori i  shkollës, ku për kontributet e mia edhe më dekoruan.

Kujtimet tuaja rrjedhin si ujët e gurrës. Erdhën vitet e ndryshimeve të mëdha të jetës psh. fejesa…

– E paharruar mbetet fejesa dhe lidhja me shokun e jetës. U fejova  me  8 prill 1967 me  Tasim Gjokutën  dhe u martuam në  20 Gusht 1967. Po bëj qysh atëhere 54 vjet në Gjirokastër. Kam shumë kujtime të bukura.  Erdha nuse me karvanin e mushkave të koopetarivës nga Kuçi në Golëm, e pastaj me makinë deri në Gjirokastër. Kishte shumë vështirësi komunikimi. Familja  Gjokutaj shumë e madhe, shumë e dashur e me kulturë të gjithë. I kam gjetur të vegjël dhe jam rritur me të gjithë bashkë. Në Gjirokastër rinisa profesionin tim të dashur të mësueses. Kam edukuar 37 breza në shkollë të muzikës që u çel në 1968, ku u bëra mama dhe Tasimi baba. Atë viti Tasimi botoi edhe librin e parë, “Do ndërtojmë hidrocentral”. Po kalonin vitet me radhë,  me mundime, gëzime dhe sakrifica. Punën  e bëja me shumë përkushtim dhe pasion. Familja rritej dhe shumohej. U lindën fëmijët Merita dhe Besniku, i rritëm e i edukuam, i shkolluam dhe tani janë të lumtur në jetën e tyre, të lumtur me punën, me fëmijët dhe me kontributet e tyre në familje e shoqëri. Një nga momentet më të vështirë të jetës ishte ndarja me Tasimin. Tasimi u largua nga jeta jonë kur mbushëm bashkë 30 vjet. Iku më 11 prill. Ai iku, por mua më la mirë. Jetoj e lumtur me fëmijët  e mi, tri mbesat dhe një nip.  E kujtoj gjithmonë Tasimin  unë dhe i gjithë qyteti për çdo vit bëjmë një aktivitet në bibliotekën që mban emrin e tij, Biblioteka “Tasim Gjokutaj”. Po ashtu, më jep kënaqësi ribotimi i librave të tij nga Shtëpia Botuese  “Toena” dhe për këtë, i jam shumë mirënjohëse bashkëfshatarit tonë të nderuar, Fatmir Toçi. E ç’të them më shumë! Kujtimet janë si një lumë i rrëmbyeshëm. Aty jeta rrjedh me të mirat dhe vështirësitë e saj. Por kujtimet janë si gjurmët e hapave mbi dëborë, janë gjithmonë të bukura.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …