(Intervistë ekskluzive e këngëtares së mirënjohur shqiptare, Mrika Trumshi dhënë Radios-Kosova e Lirë)
Përshëndetje e dashur motër, Mrikë Trumshi, faleminderit që ju përgjigje ftesës për të realizuar një intervistë me Ju, është kënaqësi.
RKL: Dëgjuesit e Radios-Kosova e Lirë, Radio që ka lindur në flakët e luftës çlirimtare, e kanë dëgjuar dhe dëgjojnë me respekt e kënaqësi zërin dhe këngët Tuaja. Ata duan të dinë më shumë për ju, kur keni filluar të këndoni, me kë keni kënduar e bashkëpunuar….
Mrika Trumshi Hoxha: Përshëndetje Radio Kosova e Lirë! Faleminderit duhet t`ju them unë, pasi është krenari, vetëm kur dëgjon emrin që mbartni, emrin e një zëri flakadan, që buron pikërisht aty ku janë plagët, aty ku lindën burrat e dheut, aty ku është historia dhe fisnikëria e një kombi. E si pikërisht ju, ndër personazhet tuaj të intervistuar më zgjodhët edhe mua, sinqerisht jam e befasuar, e mbushur, pasi Mrika nuk është nga ata këngëtarë që kanë namin e sotëm me bume albumesh, ku ndoshta numri i tyre është pyetja e parë që përdoret si kriter gazetaresk, nëpër intervista të tilla artistesh. Por megjithatë, që këngën e kam të lindur, që këngën e kam në shpirt, që kjo është dhe do të jetë bashkë me mua gjithë jetën time, ketë e ndjej dhe e di fort mirë…
Të flas për zanafillën e saj, nuk është e vështirë sepse më duket se kënga lindi bashkë me mua… Kam kënduar që e vogël. Në moshën 7-vjeçare unë këndoja me çifteli , ku kjo e fundit dukej me e madhe se unë vetë. Ishte një instinkt, një dashuri për ta mësuar me çdo kusht ketë instrument, edhe pse atëherë të rralla ishin ata vajza, por si ëndrrat e një fëmije duke menduar në çdo rast, Fatime Sokolin, idhullin e gjithë atij brezi. Doja shumë edhe këngët e festivaleve për fëmijë, por edhe këngët e festivaleve të muzikës se lehtë për të rritur. Nuk mund të ndaja kush ishte ajo që me nxiste më shumë, por e rëndësishme është ajo që isha e dashuruar me të. Një radio e vogël ishte primare për të mësuar këngët, orët e muzikës në shkollë, aktivitetet e larmishme që duhet pranuar që ishin të shumta, por skenat vazhdonin të ishin vetëm ata të voglat nëpër komunitete dhe Pallati i Kulturës në Rrëshen ku finalizoheshin konkurrimet. Isha soliste këngësh e festivaleve për fëmijë, ose këngëve rapsodike në të gjitha koncertet, sidomos deri në mbarim të 8-vjeçares. Vjen një pauze në vitet e para të shkollës së mesme, pjesëmarrëse aktive, por jo soliste dhe as e evidentuar se mund të kisha premisa të tilla për të vazhduar. Ndryshe rrodhën gjerat më vonë. Ishte një kthese e papritur…
RKL: Xhamadani i trimërisë, që i kushtohet Mic Sokolit dhe Betejës së Koshares së vitit 1881 është kënga, të cilën e keni interpretuar me zemër dhe pasion të veçantë në Festivalin e vitit 1978, në Gjirokastër. A ishte ajo kënga e Juaj e parë?
Mrika Trumshi Hoxha: E tregova se ishte kënga që më dha zë, por jo kënga ime e parë…Unë dua t`i mëshoj fort idesë, se Mrika ishte dhe është askush në ketë lloj historie, në qoftë se shikojmë të shkëputur nga ‘’Ansambli Emblemë i Mirditës”. Do të ndalem pak këtu, me falni, pasi nuk mund ta perceptoj përgjigjen e pyetjes tuaj pa këtë lidhje të rëndësishme. Viti 1978 ka shënuar një kthesë rrënjësore në themel të formatit si dhe të konceptimit në kompleks të materialeve të shkruara, muzikës, kostumografisë, regjisë, të gjithë janë të lidhura fort duke shënjuar majat e arritjes, si kurrë ndonjë herë tjetër pikërisht në Fest Folk 1978. Këngët e ‘’Ansamblit Mirdita’’ morën dhenë në gjithë trojet ku flitej shqip. Dhe kjo ka një domethënie… Të mos harrojmë se pikërisht në ketë festival, hyri në historinë e vargut të lavdishëm poeti, Gjokë Beci…Këto janë këngë afro 40-vjeçare, por tingëllojnë aq bukur, si atëherë, sepse vargu i tij shihte shumë më larg, përtej të nesërmes, përtej viteve, sepse vargu i tij kapërcente shekuj… Një këngë ka volume në histori e kjo do të thotë shumë. Fjalët prej shpirti, kushtrimi i gjakut që nuk thahej, por që ndizej përditë e më shumë, preknin pikërisht aty ku ishte dhimbja , aty ku kombi ziente, aty ku asgjë nuk mund të arrihej pa kushtrim në të gjitha anët, aty ku edhe vaji edhe kënga kishin dhe kanë misionin e vet… Sa më jetë gjatë të jetë një këngë, aq më shumë ka vlerë… Le të bëhen “hite” sot , “hite vere” e” hite dimri “, të nesërmen nuk dëgjohen më… Atëherë pse duhet t`i quajmë kështu?
Këto fjalë prej ari, u ndërthuren aq bukur me motivet tona të Mirditës, të mbledhura nga çdo zonë e kësaj treve. Nuk mund të arrihej këtu pa formacionet e reja që u krijuan, dhe këtu do të theksoja më të rëndësishmin, që mori jehonë në gjithë Shqipërinë, “Grupin e Burrave të Mirditës”, një zë shkëmb, një zë tamam “gjëmim topash në një fushëbetejë’’, zë me të cilin unë kam qenë dhe jam shumë e lidhur dhe që i dha peshën absolute këngës time, por edhe këngëve të tjera të këtij grupi … Por si arritën në këtë stad kaq profesional këto këngë?. Edhe kjo nuk është rastësi absolutisht, por falë punës se palodhur të krijuesve vendas të këngës folklorike, skalitës të denjë të këtyre motiveve si: Fran Vorfi, Mark Gjoka, Servet Cara, Kolë Zefi , Dodë Prendi, etj dhe në fund për t`u certifikuar artistikisht, për të arritur në atë kulm ku s`kishte arritur ndonjëherë kënga e kësaj treve, pikërisht nga mjeshtri i palodhur, kompozitori i paharruar, i ndjeri, Dorian Nini, i cili nuk ishte nga Mirdita, ishte me origjine nga jugu, por që u njësua me këngën e Mirditës. Atëherë këtu dal te pyetja juaj direkt. Kush ishte bashkëpunimi? Mua me ka evidentuar si soliste në këngën e Xhamadanit…, pikërisht, Dorian Nini, i panjohur atëherë për ne të gjithë, që e kishin sjellë si të dënuar nga Festivali i 11-të, i RTSH, për të punuar në përgatitjen e Fest Folk 78. Duhet theksuar se këtu atij i dhanë një autoritet të padiskutueshëm si udhëheqës artistik i këtij festivali. Dori e ka dhënë të parën ide, e kanë mbështetur edhe të tjerët pasi kanë dëgjuar versionin e të kënduarit, por qe ishte surpriza me e bukur në jetën time, surprize edhe për të tjerët, pasi siç e theksova unë nuk isha ndonjë e njohur dhe nuk kisha as edhe një mbështetje. Duhet pranuar se, ashtu si edhe sot, mbështetja ka rendësinë e vet. Ishte thjeshte një provë e të kënduarit të një këngë çfarëdo, nga të gjithë pjesëmarrësit, pasi ai nuk na njihte. Menjëherë ka kërkuar, që Mrika do të këndojë ‘’Xhamadanin e Mic Sokolit “ Më duket në temperament, në timbrin e zërit, e duhura për ketë këngë. Parafytyroni gëzimin tim. Ishin pikërisht të tilla këngë që unë i doja shumë. Kujtoj këtu se të gjitha këngët e Arif Vladit të asaj kohe, unë i këndoja me vete kushedi sa herë, dhe ai e kapi ketë fakt, me një të dëgjuar të një kënge që nuk kishte lidhje absolutisht me natyrën epike. Me kujtohet që e këndova kot, sa për të kaluar radhën, pasi nuk prisja përzgjedhje solo. Ai shënjoi me mjeshtëri te gjithë solistet, të gjithë të spikatur në përshtatje me këngët që do të këndonin. Ishte zgjedhja më e mirë. Megjithatë këngët ishin me dublim dhe deri ne fund nuk dihej përfundimi, por thjesht që isha një kandidate e këngës që me rrëqethi sapo e dëgjova në fillim, ishte një fitore që as nuk e kisha ëndërruar. Duhej të punoja shumë dhe ndoshta habiteni sot, që çdo fjalë të kësaj kënge është mësuar e ndarë me rrokje, ku do ishte theksi, ku do ishte vibratoja, si të mposhtja emocionet, që shpesh e zbukurojnë këngën por ka raste që e dëmtojnë atë, ndërsa që shpirtin ta kisha te kënga s`kishte nevoje të ma mësonte askush. Përfundimi u vendos nga juria qendrore për të gjithë këngët dhe solistet. Nuk ka qenë kaq e thjeshtë, por nuk dua të ndalem këtu sepse nuk është objekt i kësaj interviste.
Ishte një ëndërr që kalonte nga dallga në dallgë, në atë që jo gjithçka varej nga unë, ose nga kënga, por rëndësi ka finalizimi, finishi. Emocioni më i fortë ka qenë kënga në kalanë e Gjirokastrës. Edhe tani që po shkruaj jam e përlotur, pasi e ndjej veten pikërisht në atë skenë të gurtë, ku Mrika e vogël, e veshur me tirq e xhamadan, këndonte për herë të parë në një skenë gjigante, nga ku kishte sytë e gjithë Shqipëria. Emocion për vete, emocion për krijuesit e këngës, emocion për ata që më kishin besuar , emocion për Mirditën time që përfaqësoja. Nga fundi i skenës, ku ishte gjithë grupi, duhet të ecja krenare duke i rënë çiftelisë së bashku me kreshniket e këngës mirditase, që sinqerisht me dukeshin sikur ishin mburoja ime, dhe duke llogaritur hapat që të mbaronte introdukti deri tek arritja e mikrofonave në qendër të skenës. Aty do fillonte menjëherë kënga dhe Mrika do të magjepsej nga duartrokitjet e papritura të publikut që në strofën e dyte të këngës, kur filloi ndërthurja e heroizmave nga brezi në brez, për t`u finalizuar në një breshëri të menjëhershme të të gjithë të pranishmeve kur kam kënduar vargun e fundit ‘’Gjithë shqiptaret janë, “Mic Sokola”. Nuk e di, nuk isha me vetja, çdo gjë më dukej një ëndërr…të gjithë në këmbë, ku duartrokitjet nuk kishin te mbaruar. Mbaj mend Gjokë Becin që më përqafonte i përlotur, këngëtaren e madhe, Vaçe Zela… ishim aq të lumtur. I gjithë grupi kishte arritur majat e suksesit. E them me bindje që grupi pas nesh në konkurrim, ka qene krejt i pafat. Shumica e të pranishmeve kanë mbërritur pas nesh në sheshin e Çerçizit, ku ne kemi dhënë përsëri programin nga fillimi deri në fund. Mirdita do të zinte vendin e parë në këtë festival … Nuk kishte qytet, ku të mos kërkohej Mirdita, nga veriu në jug, në të gjithë koncertet kombëtare të asaj kohe, pikërisht këngët tona do të ishin përfaqësimi më dinjitoz. Një arritje ku historia e këtij grupi flet vetë. Sot ‘’Ansambli Mirdita është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin ‘’Mjeshtër i Madh”, fryt i një historie brezash të përkushtuar krijuesisht, solistësh, drejtuesish për të arritur deri këtu.
RKL: Këndimi Juaj është i veçantë, meqë kur këndoni i përkushtoheni këngës me tërë qenien. Si arrihet kjo?
Mrika Trumshi Hoxha: Kjo thjeshtë, është e lindur. Mjafton të këndosh një këngë që e do me gjithë shpirt. Unë e dua këngën time dhe këndoj vetëm ato këngë që mua më rrëmbejnë dhe më bëjnë të jem pjesë e tyre. Ndoshta është një nga faktorët që unë kam kënduar pak këngë. Nuk kam aktruar asnjëherë në skenë, kam qenë gjithmonë vetja e përfshirë brenda saj, sepse kështu jam unë dhe s`mund të jem ndryshe. Skena e festivalit shënoi të parin emocion të fortë, por kur këto këngë janë kënduar ne vitin 1979 në stadiumet e qyteteve të Malit te Zi , ku për here të parë shkonte një grup nga Shqipëria, pikërisht me të tilla këngë, parafytyrojeni emocionin e këtyre skenave, sa e sa të përlotur, që thërrisnin me ovacione të fuqishme ‘’Rroftë shqiptaria”, “Jemi shqiptarë dhe s`mund të bëhemi kurrë serbë as malazez”. Sa e sa arrestime në sytë tanë vetëm për të tilla ovacione. Si mund të këndosh kot, si mund të aktrosh e të mos e ndjesh këngën?. Aty vlonte thirrja historike e një kombi të ndarë si mos më keq, të shtypur si mos më keq, vlonte liria e mohuar brez pas brezi. Ne jepnim 2-3 koncerte në dite, vetëm live dhe nuk e ndjenim lodhjen. Publiku i përpinte. I kishin mësuar përmendesh, këndonin bashkë me ne, varg për varg. Atëherë unë këtyre u them hite, sepse shqiptareve këto këngë ua këndonte shpirti, prandaj i kishin mësuar aq shpejt, pasi nuk kishte kaseta si sot. Mos të harrojmë se në vitin 1981 plasën demonstratat e para në Kosovë. Gjokë Beci, e theksoj ketë fakt, i ka paraprirë me vargun e tij këtyre dufeve që zienin si kazan, e që një dite patjetër do te shpërthenin…
RKL: Në Radion Kosova e Lirë dhe në Radio të tjera në vendit, kënga: “Mirë se vjen dita e shqiptarit”, që i kushtohet Pavarësisë se Kosovës me vargjet e bukura te Gjok Becit, muzika, Edmond Zhulali, vlerësohet si një lloj Himni që i keni kushtuar çlirimit të Kosovës. Po ashtu vërehet se e keni kënduar po me aq përkushtim sikur edhe “Xhamadanin e trimërisë”, por edhe këngët e tjera. Ku e gjeni forcën shpirtërore për të shënuar majat e këndimit? Është e lindur kjo ndjenjë apo e fituar, e arsimuar?
Mrika Trumshi Hoxha: O, sinqerisht nuk di t`i diferencoj këngët e mia. Sado pak, secila prej tyre ka një histori te veten. Më ngelen peng koncertet për Kosovën. Kanë qenë koncertet më të bukura që janë realizuar ndonjëherë, me këngëtaret më të spikatur të shqiptarisë. me vargun Gjokë Becit, Agim Doçit si dhe të kompozuara me aq ndjenje e profesionalizëm nga mjeshtri i këngëve shqipe, Edmond Zhulali. Aty në ata koncerte doja me shpirt të isha, e kush nuk donte, po përsëri e panjohur, tepër e vogël me dukej vetja, para atyre qe morën pjesë në atë skenë. Ndjehesha krejt e harruar. Që të njihesh sot, do shumë investim nëpër vidioklipe, të jesh e fokusuar vetëm këtu, por unë në jetën e përditshme kisha tjetër profesion. Isha e shkëputur edhe nga grupi im pasi banoja ne Durrës. Të gjitha këto ndikuan jo për mirë tek dëshira për këngën. Pikërisht në atë kohë unë isha e angazhuar direkt në terren me fluksin e kosovareve që erdhën në komunitetin tim, pasi në profesion isha punonjëse në administrimin social. Isha e njësuar me dramën që ato përjetonin, me historitë e tyre, këndoja nëpër shpi bashkë me fëmijët e Kosovës që i kishim strehuar këngët e Leonores , Ilirit e Arifit e ndoshta me po aq shpirt sa ato. Unë vetëm tek shtëpia ime e njerëzit e mi, nuk kam menduar si do ja dilnim, kam marr furgonin aq sa kishte, burra, gra, fëmijë, dhe hapem dyert pa e ditur se kush ishin, u dhamë një strehë, ndamë përgjysmë atë qe kishim për vete.
E që këtu e kisha vendosur, që në rastin më të parë që do i kthehesha këngës, atëherë kur do ta gjeja përsëri veten, unë do të doja një këngë për Kosovën. Për poetin nuk kisha mëdyshje, por kompozitorin nuk e njihja vetëm se e kisha të fiksuar nga koncertet e famshme të Kosovës. Me ndihmuan shumë, më dhanë shumë kurajë për të vazhduar, nuk gjej fjalë falënderimi, pasi më dhuruan një këngë po kaq të bukur dhe me të vërtetë me dukej si një rilindje apo vazhdim i jehonës se ‘’Xhamadanit”… por tashme xhamadanin e një epoke tjetër. Është një këngë qe është pritur furishëm kudo që ka pas fatin të jetë e pranishme, në të gjitha trojet shqiptare, Kosovë, Maqedoni, Mal të zi etj. I thashë poetit të ndritur, si të falënderoj unë ty poeti im. Më fale një “Xhamadan të Përflakun”, nga Luvri mbi krye një Plis Shqiptarie”, me the -vishe edhe ” Shqiponjën me Pesë Flatra”, se ky është kostumi me i bukur i ‘’Mëmës së Dheut Tim’’. Por më duket, vazhdova, se këto këngë, sikur nuk po e gjejnë më veten. Nuk e di ku të fokusohem, pasi në këto që ecin sot në treg, vetëm do të shtiresha. Ti mos u mërzit, më tha poeti i madh. Unë kam menduar, që çdo varg imi, çdo varg i këngëve të tua, të mbetet, s`ka rëndësi pëlqehet sot apo jo. Këtu po më tregonte historinë e Plisit në Luver , para se të shkruante librin e tij me këtë titull. “E kam shkruar këtë tekst për ty”. Më tregoi vizitën në këtë muze dhe plisin që dukej sikur ja bënte me sy, “Unë jam yti këtu në Luver, çdo objekt tjetër është i huaj dhe ti patjetër që do shkruash diçka për mua”. Kur e këndoja në fillim pak kush e kuptonte se ku donte të dilte kënga. Sot në çdo ngjarje kombëtare, të gjithë me plisa. Dhe plisat e shqiptarisë, do të përfaqësojnë sivjet kombëtaren tonë në Paris. Kush s`e kishte vizituar Luverin , asnjë nuk foli për Plisin. I pari ishte Gjoke Beci. “Jam mik I Luverit në Paris, Unë shqiptari me plis”.
Për pyetjen direkt, po ju them se majat e këndimit, jo, jo, unë nuk i kam arritur. Ata duan shumë, shumë, por them se jam krenare për çfarë kam kënduar, pasi e kam menduar mirë përpara zgjedhjen time. Nuk kam mbaruar shkollë profesionale për kanto, edhe pse doja shumë. Kështu ishte atëherë. Fatin e jetës tënde e përcaktonin të tjerët. Jam ekonomiste në atë që jam diplomuar, shumë larg nga kënga në këtë profesion. Kënga tek unë e theksova që në fillim, është e lindur, fat që kam punuar me profesioniste të mirëfilltë, një experiencë e gjatë në skenë, pasi sidomos në atë kohë ne vetëm me koncerte merreshim, si dhe përkushtimi absolut për secilën prej tyre. Kjo do të thotë se shpirtin unë e kam këtu, e atje veçse punoj sepse me duhen leket patjetër, është një bazë ekonomike se cilës i përkushtohemi.
RKL: Po thuajse të gjitha këngët që ju i këndoni janë këngë kushtrimi me motive patriotike. A do të thotë kjo se e keni vazhduar traditën e hershme të këngës heroike, që dikur është kultivuar me aq respekt e dinjitet në Shqipërinë e kohës, apo ndoshta besoni edhe ju ashtu sikur besojmë edhe ne, se vjen koha dhe “Xhamadani” i kënges patriotike sërish do t’ i vishet kombit?
Mrika Trumshi Hoxha: Si te them. Patjetër që kam vazhduar traditën e këngës patriotike, pa u mburrur se unë jam patriote, pasi te gjithë kështu thonë sot. Them se historia nuk mbaron këtu. Gjithmonë do te ketë një ‘’Mirë se vjen ‘’ më të mirë, për Kosovën e mbarë shqiptarët. Varet nga ne, varet sa jemi të motivuar në ketë drejtim, por vetë historia jep shtytjen e vet drejt asaj që akoma nuk është zgjidhur. Ajo që na mundon të gjithëve është se ku janë ‘’Baballarët e Kombit’’ , ku janë “Burrat e Dheut” që të ngrehin zërin si dikur. Nejse, nuk dua të flas më këtu, sa për të mos anashkaluar pyetjen tuaj. Unë vetëm do të këndoj dhe do të zgjedh vargun që dua. Unë kam zgjedhur të jem kjo, le të jem e ‘’humbur”. Shumë prej atyre që këndonin kështu e kanë lënë ose kanë devijuar. Nuk kam pse të bej komente, pasi kjo është jeta e sotme që na kanë servirur, “luftë për të ekzistuar”. Por ajo që ja vlen të përmendët është që pikërisht këngë zhgarravina me fjale të ndyra, që këndohen po nga i njëjti soj, janë këngët më fitim prurës dhe që gjejnë promovim absolut në ekranet tona ‘’prestigjioze’’,ose ose, kur një këngë patriotike këndohet nga një përformance që të vjen të vjellësh kur e shikon të veshur ashtu në skenë. Këtë fakt nuk mundem ta perceptoj , ose me tepër pse ne arritëm deri këtu?
RKL: Dëgjuesit e Radios-Kosova e Lirë, besojmë se edhe të gjithë shqiptarët liridashës, kudo ku janë u dëgjojnë me kënaqësi e respekt. Keni ndonjë porosi për ta apo mund të na befasoni më shpejt edhe me ndonjë këngë tjetër?
Mrika Trumshi Hoxha: Vetëm kaq. Së shpejti një këngë tjetër…
RKL: Mrikë e respektuar, ju faleminderit për kohën, ne të urojmë shëndet, sukses, urojmë këndosh sa më shumë këngë trimërie e heroizmi, këngë tipike të botës shqiptare, kudo ku ajo gjallon.
Mrika Trumshi Hoxha: Një falënderim prej zemre për ju, për atë që u transmetoni brezave, për atë që u transmetoni shqiptareve. Kemi shumë nevojë për zëra të tillë mediatikë, që të mos zbehet, që të mos lejohet të hidhet pluhur, që të mos transformohet kënga burimore dhe e pastër shqipe sipas interesave. Kjo histori për të cilën me të vërtetë, kemi pse të krenohemi. Është jona, është historia e shqiptareve…